Deputeti i PS, Arbjan Mazniku u ka bërë thirrje qytetarëve të Cërrikut që të dalin të votojnë për kryetarin e bashkisë. Maziku tha se procesi është zhvilluar pa probleme.
“Jemi duke kaluar ditë të mirë për Cërrikun, ka pasur një votim që është i kënaqshëm. Ditë e qetë ditë e mirë për demokracinë shqiptare, njerëzit ti ftojmë të dalin sërish në numra dhe të shprehin vullnetin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të Cërrikut. Ftojmë qytetarët që me gjithë qetësinë që kemi treguar gjatë kësaj dite, të vijojnë të votojnë”, tha Mazniku.
Sipas tij pjesëmarrja në zgjedhje nuk është e ulët, por jemi tek shifrat e zgjedhjeve të kaluara vendore më 2023-shin.
“Pak problematika, gjërat kanë shkuar qetë, çdo gjë është në rrugë të mbarë. Ne jemi në numra të ngjashëm me zgjedhjet e fundit. Në zgjedhjet vendore tipikisht ka një rënie të vogël krahasuar me zgjedhjet kombëtare. Ne jemi në numra të ngjashëm, deri tani jemi të kënaqur me pjesëmarrjen”, tha Mazniku.
Ndërsa pyetjes së gazetarëve se përse kanë ndërruar listat e zgjedhësve, Mazniku iu përgjigj duke thënë se janë shtuar emrat e emigrantëve, të cilët më 11 maj ishin hequr pasi u realizua për herë të parë vota e diasporës.
“U hoqën votuesit që u regjistruan jashtë, ata rivendosen më listë në këto zgjedhje. Listat që keni parë më 11 maj kanë qenë lista pa emigrantët, ata rivendosen në listë”, theksoi Mazniku.



















