'Zjarret si tritoli shtyllave'/ PD: Prokuroria të thërrasë Xhaçkën!

1 Prill 2019, 17:54

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi sot se gjatë muajit mars janë regjistruar 243 vatra zjarri, ndërsa i cilësoi si akte vandale të qëllimshme. Ministrja për situatën aktuale të zjarreve hoqi paralele me tritolin kundër shtyllave të tensionit të lartë pak kohë më parë. "Në pjesën dërrmuese këto janë akte të pastra vandalizmi, për mos ju vënë akoma një emër tjetër në mungesë të provave konkrete që do t’i zbulojnë hetimet.

Janë akte që për nga logjika e natyra u ngjajnë si dy pika uji atyre sulmeve me kallëpe tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, që ndoshta si për rastësi kanë ndodhur po gjatë të njëjtës periudhë" tha ajo. Ndërkohë që pas deklaratës dhe akuzave indirekte të ministres ka reaguar Partia Demokratike.

Deputetja Dhurata Çupi kërkoi nga prokuroria që të thërrasë ministren Olta Xhaçka pasi ka deklaruar se ka dijeni për akte të rënda kriminale nëpërmjet zjarrëvënies së qëllimshme. "Deklaratat dhe akuzat qesharake të Olta Xhaçkës, që ngjajnë si dy pika uji me akuzat e shefes së saj politike, Elisa Spiropali, për tritolin në shtyllat e tensionit të lartë, u provojnë shqiptarëve se drejtohen nga një qeveri e destabilizuar dhe nga një kryeministër me qëllime të mbrapshta" tha Çupi.