Zjarri te magazina, pas 24 orësh ende asnjë sinjal nga roja! Familjarët debatojnë me zjarrfikësit

25 Mars 2021, 21:18

TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë, nga zjarri që përfshiu një magazinë në qendrën tregtare ‘Casa Italias’, përgjegjësi i sigurisë Arjan Sala që mbeti i bllokuar brenda magazinës, ende nuk është gjetur, bëjnë me dije burime për Report Tv. Që prej orësh 16:00 të një dite më parë, dyshohet se trupi i 33-vjeçarit ndodhet brenda në magazinë, por për shkak të shtëllungave të dendura të tymit, është e vështirë që të ndërhyhet.

Flakët aktualisht janë shuar, po magazina rreth 1000 m2 është "pushtuar" nga shtëllunga të mëdha tymi, të cilët ua vështirësojnë punën forcave zjarrfikëse. Familjarët e 33-vjeçarit pretendojnë se forcat zjarrfikëse nuk kanë bërë sa duhet për të gjetur trupin e të afërmit të tyre.

Shefi i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj ka bërë me dije se në ndihmë të tyre kanë ardhur të gjithë zjarrfikësit e Bashkisë së Tiranës dhe edhe ekipet e kërkimit të minierave, ku po kërkojnë për 33-vjeçarin i cili prej më shumë se 24 orësh ka humbur të gjitha kontaktet me të afërmit e tij. Report Tv mëson se zjarri ka rënë në momentin që po shkarkohej një kamion me rroba, ku Arjan Sala ndërhyri për të shuar flakët, por fatkeqësisht mbeti brenda.

Xhaxhai i tij tha me lot në sy në një prononcim për mediat një natë më parë, se Sala ka shpëtuar 20 persona, ndërkohë që vetë nuk ia arriti të dilte. Ai tha më tej se tashmë shpresat i kishte tek Zoti, pasi për të nuk kishte asnjë shenje jete. Ambienti ku ka rënë zjarri ku ka qenë i mbushur plot me materiale, me rroba e dyshekë. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike, por edhe kjo pistë akoma është e dyshimeve fillestare.