Zv. ministrja: Mësuesit e infektuar me COVID janë zëvendësuar! Mehmeti: Fshehin shifrat për politikë

20 Tetor 2020, 20:09 | Përditesimi i fundit: 2020-10-20 21:13:46

Një muaj pas hapjes, situata me koronavirusin nëpër shkolla duket ende e paqartë. Ndërkohë që shumë raste të reja në radhët e mësuesve dhe nxënësve raportohen çdo ditë, Ministria e Arsimit thotë se gjithçka është nën kontroll teksa janë marrë të gjitha masat.

Për nuk janë të këtij mendimi zërat opozitarë teksa PD ka denoncuar shumë raste ku sipas tyre nuk janë marrë asnjë masë për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Kjo ka shkaktuar një përplasje mendimesh mes zëvendës Ministren e Arsimit Nina Guga dhe ekspertin e arsimit pranë PD-së, Ndriçim Mehmeti.

Zëvendësministrja e ka cilësuar situatën nën kontroll pavarësisht rasteve të infektimit të mësuesve. Ajo thotë se të gjithë të infektuarit si dhe kontaktet e tyre të afërta janë karantinuar teksa theksoi se mësuesit janë zëvendësuar.

Këtë të fundit ajo e lidhi me infektimin e 10 mësuesve dhe 3 sanitareve në shkollën 'Emin Duraku' ku Guga u shpreh se janë marrë masa të menjëhershme.

"Ne jemi akoma në një moment të vështirë të pandemisë. Aktorët e sistemit shëndetësor nuk janë të paprekshëm. Në çdo ditë të këtij muaji në procesin e mësimit nuk kemi raste të mbylljes së klasave për shkak të koronavirusit. Kemi mungesa të mësuesve jo vetëm për shkak të infektimit të mësuesve por dhe si arsye e mungesave të tjera. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për nxënësit, kemi 60 nxënës.  Gjithçka që kemi deklaruar patjetër që është e dukshme sepse ne jemi në sistem. Ministria e Arsimit nuk ka se si i fshehin këto gjëra. Ndërsa raste të tjera ne nuk kemi se si i publikojmë pa marrë një miratim nga ministria. Ndërsa për mungesën e çdo mësuesi ne marrim masa të menjëhershme. Situata në shkollën Emin Duraku është nën kontroll pasi 10 mësuesit që janë infektuar janë në karantinë. Edhe personat e afërt janë në karantinë. Mësuesit janë zëvendësuar" tha Guga.

Ndërkohë për këtë pasqyrim të bërë nga zëvendës ministrja, Ndriçim Mehmeti nuk është në të njëjtin mendim teksa e cilësoi situatën katastrofike. Ai thotë se qeveria gënjen me shifrat për arsye politike si dhe nuk ka kursyer kritika për skenaret që po ndiqen aktualisht. Mehmeti përmendi zhvillimin e mësimit me disa turne si dhe me 30 minuta duke e konsideruar të pamjaftueshme. Sipas tij, një zgjidhje shumë e mirë do të ishte marrja me qira apo dhe zhvillimi i mësimit në ambiente alternative.

"Thonë se Shqipëria ka gati 1000 mësues por në të vërtetë ata janë praktikantë që po trajnohen. Unë i thoja merrini dhe tani këta i morën por i konsideruan mësues. A janë 17 mijë familje që kanë mbetur jashtë për shkak të tërmetit? Ata e kanë mendjen për mësim online? Gënjejnë me shifrat. Fshihen për qëllime politike. Ajo tha se 30 minuta mësim është shumë mirë. Nëse ti bën tendera sekret, për të marrë mjedise me qira në mënyrë që të mos kishe këtë situatë. Çfarë po bëni me nxënësit me aftësi ndryshe? Kur dalin në 19:45 çfarë prodhimtarie kanë nxënës. Meqënëse nuk na i solli pandemia. Ti e di që edhe pa pandeminë ka pasur shkolla të shkatërruara. Mund të merreshin dhe kisha për t'i rikthyer në ambiente me qira. Këta thonë se çdo lagje ka një bibliotekë, përse mos të shfrytëzoheshin këto ambiente" - tha Mehmeti.