Gjykatësi i ndershëm/Historia e rrallë e një ish-hetuesi të diktaturës

Gjykatësi i ndershëm/Historia e rrallë e një ish-hetuesi të diktaturës

Në foto ish-hetuesi Bashkim Caka 

Si shkon kjo botë, të jesh i ndershëm do të thotë të jesh i zgjedhur mes dhjetëmijë vdekësorësh” WILLIAM SHAKESPEARE (1564 – 1616). 

Plot dy vjet mё parё, një lajmërim vdekjeje në një derë pallati, në një rrugë të Tiranës së re, më shkaktoi një drithërimë në zemër e më ringjalli kujtimin e një periudhe të veçantё të jetës sime. Emri dhe fotografia e lajmërimit mortor të Bashkim Cakës, më solli parasysh një ndodhi, tashmë të largët në kohë, 36 vjet të shkuara.

 Në një qendër të vogël bujqësore e blegtorale, rreth dy km. larg qytetit të Lushnjës, punonja si ndërtues në një objekt që ngrihej çdo ditë. Ishte mëngjez dhe po fillonim punën e përditëshme. Papritmas dy makina Gaz 51, të mbushura me oficerë dhe policë, i a behën mes nesh.

Shefi mustakoç i Sigurimit të rrethit i u printe dhe m’u drejtua me këto fjalë: “Ti je i nipi i Mustafa Krujës?” Përgjigjes sime pohuese ai i shtoi shprehjen, mjerisht tepër të njohur: “Në emër të popullit je i arrestuar!”. Mbas dy orësh isha në një qeli, së bashku me një njeri tjetër. Ishte një praktikë e njohur dhe kjo, që shërbente për të nxjerrë ndonjë gjë nga i sapo arrestuari. Mbas disa orësh erdhi polici i shërbimit, më lidhi duart e më shoqëroi lart, në zyrën e hetuesit, që do të merrej me proçesin tim. 

Ishte një djalë i ri në moshën 27 vjeçare. Nuk e kisha njohur më parë, e kisha parë atë mëngjez në grupin e njerëzve që kishin ardhur të më arrestonin. Takimi i parë me Të qe befasues për mua. “Ti nuk më njeh, por un të njoh shumë mirë ty. Quhem Bashkim Caka, dëshira ime është të shkojmë mirë, pavarësisht roleve që kemi.” Kjo qe njohja e drejtpërdrejtë dhe ato fjalë të pakta shkaktuan një pështjellim mendimesh në trurin tim. Me ecjen e ngadalëshme të proçesit u binda se fjalët e takimit të parë, apo të njohjes vetiake, ishin të sinqerta.

Djaloshi hetues nuk ngulmonte të nxirrte të dhëna të tjera, veç atyre që kolegët e Tij të Sigurimit i kishin sjellë, nëpërmjet një proçes – verbali të gjatë padije, të hartuar prej vetëm një njeriu. Bashkimi, vullnetarisht, e kufizonte punën e Tij, në atë të një “noteri”, i cili duhej t’a kthente atë dokument padije në një tjetër ballafaqimi, me të cilin duhej të mbrohesha un vetë nga akuzat e një paditësi të vetëm, për më tepër të një shoku tim. Në Shqipërinë komuniste ishte zhdukur institucioni i avokatisë, nga i cili përfitojnë edhe kriminelët më të rrezikshëm në gjithë botën. Ai quhej i “kotë” dhe i “panevojshëm”, mbasi hetuesitë dhe gjykatat ishin “mbrojtësit” më të mirë të qytetarëve shqiptarë !!!

Hetuesia nuk ishte një bisedë vetëm dy palëshe ndërmjet meje dhe atij djali. Në të ndërhynin edhe të tjerë personazhe t’asaj bote mizore, në të cilën zotëronte filozofia e dhunës, e shpalosur në format e veta më të ndryshme. Kështu, gjatë atyre tre muaj e gjysmë qëndrimi në qelitë e degës së punëve të brëndëshme të Lushnjës, m’u desh të ballafaqohesha me mizorinë proverbiale të Kapllan Shehut, kryetar i saj, me dinakërinë e hetuesit të ministrisë, me trashësinë deri në naivitet të prokurorit për çështjet hetimore, me vendosmërinë e dëshmitarit paditës për të vërtetuar akuzat. Bashkimi ishte gjithënjë i pranishëm, por fizionomia e Tij ndryshonte simbas çastit dhe njerëzve që vinin aty për t’u ballafaquar me mua.

Thelbi i mesazhit që më përcolli n’ata muaj dramatikë për mua, që kisha lënë një familje me shumë probleme e me një fëmijë një vjeçare të sëmurë, nëpërmjet bisedave kokë më kokë, ishte ai i ndërgjegjësimit të sinqertë të gjëndjes sime të vërtetë juridike. Me pak fjalë, herë mbas here Ai më pohoi se faji i vërtetë i imi nuk qëndronte n’atë për të cilin paditesha, por në mbiemrin që mbanja. Nuk ishte diçka e re, madje përkonte me të vërtetën zyrtare, që “fajin” e njëshit e inkuadronte në “gjynahet” e katër brezave të shkuar. N’ato rrethana e n’ata çaste shërbente për të larguar nga vetja kompleksin e “fajit”, pasojat e të cilit rëndonin mbi familjen e, si të tilla e shumfishonin dhimbjen, por bënin të strehohesha në fatalitetin e pashmangshëm, që më jepte qetësinë e nevojshme për të shtyrë një nga një ditët e netët e qelisë. E pohuar nga pёrfaqёsuesi zyrtar i ligjit me tё cilin ballafaqohesha, ajo brengё e shpirtit tё vrarё lehtёsohej me tё tepёr.

 “Po të ishte një tjetër” – më thonte – “do të ishin mjaftuar me një demaskim publik, shumë shumë me ndonjë shpullë, e do t’a kishin çuar në shtëpi.” Aftësia e Tij psikologjike për të hyrë në thellësi të problemeve që mundonin trurin dhe ndërgjegjen e bashkëbiseduesit, i kalonte kufijtë e së zakonëshmes. Kur prokurori vinte të bisedonte me mua e të bënte propagandën e tij të dalë boje, për të paditur ndonjë shok apo njeri tjetër, Bashkimi buzëqeshte dhe mbasi largohej ai shtonte : “Mos i ven re se ç’thotë ai se i them un që na ka dhënë diçka. Ti vazhdo punën tënde". 

Çdo bisedë me Të n’ata muaj më çonte në fjalët e para të njohjes. Ai e dinte mirë se çfarë ankthi e cfilitje shpirtërore kisha kaluar në dy vitet e fundit para arrestimit, për të mos kryer atë që më kërkonte prokurori me fjalë të buta, por që të tjerët e mëtonin me trysninë më të papërfytyrueshme. Thellë në vete Ai respektonte atë që kisha mundur të shpëtonja nga ajo luftë për dinjitetin, ndërgjegjen time, ndershmërinë. Duhej t’ishte vetë i ndershëm të çmonte tek tjetri, për më shumë tek “armiku” atë cilësi.

    Ishte kjo nyja e padukëshme që na lidhte, që nuk e dinte askush e që buronte nga vlerat morale të forta me të cilat ishte mbruajtur. Në bisedën e ngushullimit me bashkëshorten mësova një fakt shumë interesant. Ai ishte njohur e dashuruar me Naunkën, mbasi kishte qënë i pranishëm në dëshminë e saj në mbrojtje të katër njerëzve, të cilët partia e fshatit donte t’i bënte fajtorë pa faj. Ajo kishte pohuar të vërtetën mbi pafajsinë e tyre e si “shpërblim” nga partia kishte marrë punën e krahut në fushë, edhe se ishte një agronome e lartë. Me këtë agronome të “deklasuar” Bashkim Caka ishte dashuruar e kishte lidhur jetën. Ky fakt, i mësuar dy vjet më parë, më forcoi bindjen e krijuar 36 vjet të shkuara mbi brumin me të cilin ishte formuar ai njeri.

    “Do të mundohem të mos marrësh më shumë se shtatë vjet si dënim” më tha një ditë kur hetuesia po mbyllej. Prokurori nuk ishte i atij mendimi, kërkoi edhe një vit më shumë e gjykatësi e miratoi atë kërkesë, që qe shpëtimtare, mbasi amnistia e 15 nëndorit 1982 më këtheu në familjen time, si i internuar në Grabian. Për të plotësuar mirësinë e Tij, Bashkimi më organizoi një takim me familjen, dhe ai shumë i dobishëm, mbasi veç të tjerëve, pashë për herën e fundit gjyshen time të shtrenjtë, që më mbante dorën mes duarvet të saj ...

    Gjithë kjo histori, e ngulitur thellë në trurin tim, u ringjall kur pashë atë lajmërim. I përjetova me dhimbje ata çaste, sepse figura e Tij në përfytyresën time, me kalimin e kohës, rritej e plotësohej. E kam takuar në vitin 1995, në ndërtesën e Kuvendit, në veshjen e deputetit të PS. Kishin kaluar 15 vjet nga ndarja e jonë. Jetët tona nuk ishin puqur më, por ajo nyja e padukëshme, e krijuar në mjedisin e zymtë të qelisë dhe zyrës së Tij, vazhdonte të jetonte. “Nuk kandidohem më” – më tha – “nuk është për mua kjo jetë.” E mbajti fjalën, sepse ishte njeri i fjalës. U kthye në profesionin e Tij të gjykatësit e të mësuesit, duke arritur maja si antar i Gjykatës së Lartë e si pedagog i Shkollës së lartë të Magjistraturës, deri në frymën e fundit.

    Një mikja ime, nëpunëse në Këshillin e Evropës në Strasburg, më thonte për Të, se ishte ndër të paktit përfaqësues të respektuar të Shqipërisë atje, kur e sillte puna që të shkonte. Nëpërmjet një miku të përbashkët më kërkoi që të takoheshim. Në gushtin e shkuar, kur isha në Shqipëri, nuk qe e mundur, mbasi ishte jashtë Tiranës me pushime. Shpresonja t’a shihnja në atë muaj të prillit po, fatkeqësisht, gjeta lajmin e hidhur se Ai ishte ndarë nga kjo botë.

    Duke e kujtuar gjithmonë me mirënjohje e dashamirësi, për sjelljen e qëndrimin kundrejt meje, shpresoj e uroj që ai qëndrim të ketë qenë një kostante e vazhdueshme e jetës së Tij, duke vërtetuar një fakt të rëndësishëm, se njeriu i shëndoshë moralisht, i pajisur me cilësi të çmuara njerëzore, edhe në kushtet më përshkallëzuese të së keqes, mund të japë ndihmesën e tij, për të kufizuar forcën e saj të verbër. Mendoj se dukuri të tilla duhen mbajtur parasysh në shqyrtimin e bëmave të një epoke të gjatë e tepër të dhimbëshme për kombin tonë. Vlerësimi i shfaqjeve të së mirës njerëzore edhe në kuadrin e zi të së keqes zotëruese, do të ishte dëshmi e evolucionit tonë shpirtëror e mendor, e afrimit me respektin ndaj së vërtetës dhe arsyes së mirëfilltë.

    “Vlerësimi vlen më shumë se sa nami, konsiderata më shumë se fama, nderi më shumë se lavdia.” Ky gjykim i një shkrimtari të shquar francez të më shumë se dy shekujve të shkuar, Sebastien Chamfort, besoj se do t’i shkonte për shtat Gjykatësit të ndershëm, Bashkim Caka, atij që un njoha në një ditë të zezë prilli të vitit 1980, por që mbeti në kujtesën time si një krijesë njerëzore që lehtësoi ditët e netët e  periudhës më të vështirë të jetës sime.

    Kaluan dy vjet nga 28 marsi i vitit 2016, kur ish hetuesi im fisnik u largua papritmas nga kjo botё, duke lёnё nё dhimbjen mё tё thellё familjen, por edhe miqtё e shokёt. E bashkёndava me ta nё heshtje atё dhimbje mes kujtimeve tё njё tё shkuare cfilitёse, tё mbushur me tragjedi e drama tё pafundme.

    Qё nga ajo ditё, çdo datё 28 ndez njё qiri e them njё lutje pёr shpirtin e tij. I lutem Zotit tё Plotfuqishёm t’i japё atij shpirti paqen e pёrjetёshme e dritёn e pasosur. Ka diçka tё pazakontё n’ato lutje, por janё e vetmja mёnyrё pёr tё nderuar kujtimin e një njeriu qё, nё njё kohё tё ashpёr terrori, nё njё mjedis tё zakonshёm tё dhunёs, në pozitёn e njё ushtruesi tё saj, u bё pёr mua njё mik i vёrtetё duke kryer detyrёn e tij nё njё mёnyrё tё pazakontё pёr epokёn e zezё nё tё cilёn patёm fatin tё jetonim.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • osoja: 29/03/2018 10:10

    Ka edhe shume gjera te tjera per Bashkim Caken. Ata qe e kane njohur e punuar flasin me respekt e mirenjohje.Mund te jete nga personat e vetem, qe duke punuar ne organet e drejtesise, asnjehere nuk u perfol per afera korruptive.

    Përgjigju
  • Adriatik: 28/03/2018 21:45

    Respekte per ju Z. Merlika, per vuajtjet tuaja por edhe per te vertetat qe pohoni. Bashkim Caka ishte ashtu sic e pershkruani ju, njeri me zemer te madhe, I ditur, I formuar dhe me nje karakter te forte. Njerez si Bashkim caka do ti mungojne ketij vendi dhe me me shume njerez si ai ky planet do te ishte nje bote me e mire per tu jetuar. Edhe nje here respekte per gjithshka qe portretizoni te Bashkim Caka.

    Përgjigju
  • grabjan: 28/03/2018 14:55

    Eugen, neser bej nje shkrim dhe per hetuesin tjeter qe po Ashtu ka vdekur, Stefanin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Nga maji, Guardia di Finanza me monitorim nga ajri

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Nga maji, Guardia di Finanza me monitorim nga ajri