TIRANE-Kryetari i PD, Lulzim Basha përmes një deklarate për mediat ka reaguar ashpër duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për aksionin e IKMT sot në Jalë për shembjen e 9 lokaleve dhe hoteleve pa leje, të përjashtuara nga procesi i legalizimit. Banorët u përplasën me policinë, duke pretenduar se nuk kishin pasur njoftim dhe se i kishin dokumentet të rregullta dhe 7 prej tyre u shoqëruan, ndërsa të pranishëm ishin edhe dy deputetë të opozitës.  Lideri i PD akuzoi se Rama po tenton që të grabisë tokat në bregdet me qëllim që t’ua japë miqve të tij, ndërsa nga aksioni i sotëm përjashtoi kompleksin e Alban Xhillarit, që sipas Bashës është donator i kryeministrit.

Kryedemokrati tha se në krye të aksionit të IKMT, ishte Fatmir Meta, që sipas Bashës kërcënoi deputetit e opozitës Shehaj, ndërsa do të kallëzohet penalisht në prokurori. Basha u shpreh se Meta, është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në 1998 dhe ‘Me makinën e tij udhëtoi në Tiranë banda që ekzekutoi Azem Hajdarin. Po atë natë banda u kthye në Tropojë pa u ndaluar nga askush’. Në fund të konferencës, Basha paralajmëroi Ramën se nëse do iu preket edhe një fije floku opozitarëve do të mbajë përgjegjësi me kokën e tij.

Prania policore në Jalë ka qëllim grabitjen e trojeve. Ndërhyrja ka qenë e dhunshme dhe e paligjshme. Toka do i kalojë në pronësi ministrisë së Mbrojtjes për tu shndërruar në pasuri të miqve të Ramës. Është e njëjta skemë si me Teatrin. Ndërkohë që kompleksin e Alban Xhillarit, donatorit të Ramës që ka zaptuar bregdetin e Jalës nuk e preku. Deputetët tanë u nisën menjëherë pasi shpërtheu konflikti dhe dhunimit të banorëve. Policia dhe IKMT janë sjellë si banditë dhe me deputetët e opozitës. Kryeinspektori Fatmir Meta kërcënoi deputetin Shehaj, ndërkohë që ishte në detyrën e tij.  Fatmiri i Nasibesë është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në periudhën më të errët. Me makinën e tij udhëtoi në Tiranë banda që ekzekutoi Azem Hajdarin. Po atë natë banda u kthye në Tropojë pa u ndaluar nga askush. Asokohe së bashku me bandat u vranë 86 qytetarë, njëri prej të cilëve oficeri i policisë. Meta u vendos në krye të komisariatit si shpërblim me bandën e Zani Caushit. Ndërsa tani bashkëpunëtori në vrasjen e Hajdarit i shërben bandës së Ramës dhe Xhafajt. PD do të depozitojë sot padinë për banditin, rrota e drejtësisë do ta kapë për bishti, ndërsa Ramës po i jap këtë paralajmërim; nëse i preket një fije floku cdo opozitari nga banditi jot, përgjegjësinë do ta mbash ti në kokën tënde.

Lulzim Basha

Fatmir Meta ( me bluzë jeshile )

Report Tv sjell debatin mes deputetit të PD, Agron Shehaj dhe drejtorit të ekzekutimit të zbatimit të vendimeve në IKMT, Fatmir Meta. Ai shprehet se objektet nuk janë legalizuar prandaj janë marrë vendimet e prishjes. Ndërsa deputeti Shehaj thotë se vendimet janë selektive.

VIDEO/Sherri i deputetit të PD me kryeinspektorin e IKMT Fatmir Metaj

Pjese nga debati mes Fatmir Metës dhe deputetit të PD, Agron Shehaj
Fatmir Meta: Mos ma ngre zërin mua, vini këtu për të bërë politikë ju, ju i katandisët kështu. Zoti deputet na ler që të bëjmë detyrën. Unë të njoh fare mirë ty.
Agron Shehaj: I keni marrë shpirtin njerëzve
Fatmir Meta: Na ngatërroni me veten dhe partinë tuaj
Agron Shehaj: Ku e ke vendimin
Fatmir Meta: Ua kam paraqitur që dje, e ka avokati
Agron Shehaj: Hajdutë
Fatmir Meta: Hajdut je ti, të njoh shumë se kush je. Më dëgjo mirë, nga Vlora jam unë. Tërë jetën keni vjedhur ju politikanët

Po kush është Fatmir Meta? Ai ka qenë shef i Komisariatit të Tropojës në kohën e trazirave dhe vrasjes së Azem Hajdartit. Të akuzuarit për vrasjen e Azemit, sipas hetuesve të kohës kanë ardhur në Tiranë me makinë e Fatmir Metës, i cili më pas u arrestua si bashkëpunëtor në vrasje, por më pas u shpall i pafajshëm. Pas këtij epsiodi Fatmir Meta u tërhoq nga Policia dhe vetëm në vitin 2013 është rikthyer në detyrë shtetërore si inspektor i IKMT-së

Objektet e prishura nga IKMT sot në Jalë janë kryesisht biznese në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve. Inspektorati sqaroi se këto biznese janë njoftuar që prej 15 korrikut për prishjen, dhe iu është bërë thirrje të largoheshin pasi këto objekte nuk mund të legalizohen pasi ndërtimet janë bërë në tokën e ushtrisë.

Pronarët e bizneseve kundërshtuan prishjen e ndërtesave të tyre, ata thanë se nuk janë njoftuar për këtë aksion. Disa prej tyre u përplasen me policinë. Policia shoqëroi në Komisariat 7 nga pronarët që kundërshtuan ndërhyrjen e IKMT-së dhe Policisë së Shtetit.