Intervista ekskluzive/ Avokati turk i Izet Haxhisë: S’kemi garanci se do rigjykohet

Profesor. Dr. Devrim Güngör prej shumë vitesh ka qenë avokati i Izet Haxhisë në Turqi. Ai është njeriu që ka ndjekur hap pas hap kalvarin e gjatë të procese gjyqësore për ish truprojën e Sali Berishës.

Në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com avokati Güngör me detaje tregon se çfarë ndodhi gjatë të gjithë procesin e ekstradimit dy javët e fundit që u finalizua me kthimin në atdhe pas 19 vitesh të Izet Haxhisë.

Sipas avokatit qeveria turke i tha po ekstradimit, duke përdorur një letër garanci të qeverisë Berisha të vitit 2007, që sipas tij është e vjetër. Avokati thekson se nuk ka një letër të re me garanci lëshuar nga Ministria e Drejtësisë drejtuar prej Etilda Gjonajt.

Megjithëse Izet Haxhia ngulmonte të kthehej dhe të përballej me drejtësinë shqiptare, ashtu siç edhe e bëri, avokati i tij turk e ka quajtur ekstradimin jo të ligjshëm nga shteti turk, Profesor. Dr. Devrim Güngör shpreh një tjetër shqetësim që lidhet drejtpërdrejtë me jetën e Izet Haxhisë.

Z. Gungor, në çfarë rrethanash jeni njohur me Izet Haxhinë i cili më pas u bë klienti juaj?
Para se  të isha avokat i Izet Haxhisë, e kisha njohur më parë atë. Kisha pasur rastin të qëndroja disa herë me të, të diskutoja. Por nuk isha avokati i tij. Që prej muajit maj, që po merrem me këtë çështje, më parë e kam njohur nga miq të afërt, ai jetonte këtu dhe e njoh Izet Haxhinë si një njeri të mrekullueshëm. E kam njohur këtu. Ai banonte në Pshelaçe. Atë e arrestuan. Pastaj, një i njohuri i tij erdhi në zyrën time, më foli për çështjen, dhe unë vajta e takova Izet Haxhinë, në burgun ku mbahej i burgosur, këtu në Seker.

Izet Haxhia ka patur disa procese gjyqësore madje çështja e tij e ekstradimit shkoi deri në Gjykatën Supreme turke. Çfarë mund të na thoni për këto procese gjyqësore të cilat dhanë vendimin se ai duhet të ekstradohej?
Kishte bërë tashmë një kërkesë për ta mbajtur atë në Turqi, si refugjat politik, dhe kërkesa e tij ishte hedhur poshtë. Prisni, po ju jap datën e saktë: më 2016. Kjo kërkesë iu hodh poshtë, por më pas, më pas, Zoti Izet Haxhia nuk e dinte, në vijim të intervistave të mia që kisha bërë në burgun e Seker, kërkesa e tij drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, ishte pranuar dhe që, juridikisht, në Shqipëri, nuk kishin respektuar nenin 6, 1 dhe 3. Pra, kishte shkelje të nenit 6.

Pra është shkelur  Konventa e të Drejtave të Njeriut?
Të Konventës së të Drejtave të Njeriut. Por, për mendimin tim, gjykatat këtu në Turqi nuk e dinin. Dhe meqë as ai vetë nuk e dinte, ai nuk diti t’ua paraqesë autoriteteve gjyqësore turke, duke u thënë: “Ja, kërkesa për ekstradim nuk duhet të miratohet, sepse dënimi im prej 25 vjetësh është dhënë nga një juridiksion (një gjykatë) që ka shkelur nenin 6”. Kjo nuk ka ndodhur. Unë e kam njohur atë në mes të rrugës, por, përpara, ai, edhe në Turqi, është përfaqësuar nga një avokat para autoriteteve turke, por, avokatët, për mendimin tim, nuk e dinin se kishte një shkelje të nenit 6.

Turqia e miratoi ekstradimin në Shqipëri të Izet Haxhisë, a ka vendosur qeveria turke ndonjë kusht?
Me kusht që Izet Haxhia të rigjykohet. Pse? Sepse dënimi me 25 vjet është dhënë në mungesë të Izet Haxhisë. Për këtë arsye, qeveria turke ka kërkuar një garanci dhe qeveria shqiptare e ka dhënë këtë garanci. Izet Haxhia duhet absolutisht të rigjykohet.

Pra, Izet Haxhia duhet të rigjykohet por a ka dhënë garanci shteti shqiptar përpara se ai të kthehej në Shqipëri? Nëse po për çfarë garancish bëhet fjalë?
Po, shteti shqiptar, e kam dokumentin. Ai ka datën 6.4.2007. Nuk kemi marrë ndonjë dokument të ri nga qeveria aktuale. Por kjo është një letër garancie shumë e vjetër. Izet Haxhia këtu është burgosur dy herë. Në 2006. Pra, në 2006, ata kanë bërë një kërkesë, por atëherë Izet Haxhia nuk u ekstradua.

Kush i ka dhënë garancitë? Cili institucion? Ministria e Drejtësisë?
Po, Ministria e Drejtësisë në vitin 2007.

Si një avokat me një eksperiencë të gjatë, sa bindëse është kjo garanci në këndvështrimin juridik?
Jo, aspak.

Pra, kjo garanci nuk është e mjaftueshme për t’i hapur dritën jeshile ri-gjykimit  të tij?
Aspak. Nuk është e mjaftueshme.

Përse nuk është e mjaftueshme?
Kërkesa për ekstradim që vjen nga Shqipëria mbështetet mbi një vendim. Por duke qenë se ka një shkelje të nenit 6, ndërkohë që Shqipëria është palë nënshkruese e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës.  Si të tillë, ata duhet të rifillojnë, pasi ka një shkelje të nenit 6. Ai është gjykuar, por vendimi nuk përputhet me të drejtat e njeriut. Sipas vendimit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, ka shkelje të nenit 6. Pra, nuk mund të thuhet se ka vërtet një vendim dhe një dënim me burg të drejtë. A më kuptoni? Kjo është në kundërshtim me të drejtat.

Izet Haxhia kërkoi vetë të ekstradohej në Shqipëri. Shteti turk veproi drejtë apo jo me ekstradimin e tij?
Turqia nuk duhet ta kishte miratuar ekstradimin, pikërisht në vijim të një vendimi që shkelte nenin 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut dhe të ekstradonte një njeri që ishte gjykuar në Shqipëri në shkelje të nenit 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut.

Pra, fjalën e fundit për ekstradimin e tij e ka dhënë ministri turk i drejtësisë duke firmosur aprovimin e dërgimit të tij në Shqipëri?
Sipas procedurës turke, është kryeministri që duhet të nënshkruajë.

Ai e ka nënshkruar?
Është kryeministri. Sigurisht. Sipas ligjit aktual, është ministria e drejtësisë që bën kërkesën, që jep mendimin, dhe kryeministri që nënshkruan. Nëse kryeministri nuk nënshkruan, ekstradimi nuk  akordohet.

Pra, a është nënshkruar dokumenti? 
Sigurisht. Përndryshe, si do ta kishin ekstraduar. Nga kryeministri. Po.

Si e shikoni veprimin e shtetit turk në rast?
Për mua ky veprim është i padrejtë. Sepse, siç e shpjegova, ka një kërkesë për ekstradim në vijim të një vendimi të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka shpallur si një shkelje të nenit 6 (të Konventës).

Pra, ai nuk duhet të ekstradohej.
Jo, dhe për më tepër, ka dhe një rrezik për të. Ka shumë mundësi që tashmë Izet Haxhia të jetë në një situatë të pafavorshme. Nuk e di se në cilin burgun e mbajnë tani në Shqipëri. Ka shumë mundësi që situata e tij të jetë e pafavorshme.

Kur ka qenë hera e fundit që keni komunikuar me të dhe për çfarë folët?
Hera e fundit ka qenë të premten e kaluar, para ekstradimit. Më 4 maj. Dhe ai u ekstradua... Më datë 4 unë vajta e takova në burgun e Seker, më datë 7 ai u dërgua në Stamboll.

Herën e fundit kur keni folur çfarë shqetësimi ka paraqitur tek ju Izet Haxhia? A kishte shqetësime?
Kishte shqetësime të mëdha. Ai e di se kush e ka organizuar. Ai e dinte shumë mirë. Tani që shikon prapa, që mendon thellë, ai e di shumë mirë se si e kanë organizuar, e di se si ata kanë organizuar një komplot për ta tërhequr në këtë çështje. Ai kishte frikë për jetën. Edhe unë që prej 3-4 ditësh, jam i shqetësuar për jetën e tij. Jemi shumë të shqetësuar.

Planifikoni të vini në Shqipëri e ta takoni Izetin?
Aspak. Jo. Nuk e di. Ai ka avokatët e tij shqiptarë. Nëse ata kanë nevojë për mua, pse jo, unë jam gati të jap ndihmën time. Por nuk ka ndonjë planifikim.

Nga e gjithë kjo histori e cila u mbyll me ekstradimin e Izet Haxhisë në Shqipëri çfarë iu ka bërë më shumë përshtypje?
Për mua, i gjithë ky është një proces politik. Ka politikanë që rrezikojnë diçka prej tij. Politikanët nuk u japin shumë rëndësi ligjeve të zbatueshme aktuale.

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni