Intervista/ Panairi i librave
të heshtur të xha Llambit 

Intervista/ Panairi i librave<br />të heshtur të xha Llambit <br>
Për të shkuar në panairin e librit të këtij viti, më duhej të merrja autobusin e linjës së ‘Unazës së re’, por nuk arrita menjëherë në vendngjarje. Në stacionin përballë ish-ekspozitës më tërheq vëmendjen një kioskë e vogël me libra, përgjithësisht të vjetër, ku në mes të saj qëndronte ulur në karrige një burrë i moshuar, duke lexuar librin ‘Mbylli sytë’ të Laur Montanarit.

Bashkohem me xha Llambin, 72 vjeçarin me flokë të bardha i cili tregon për Shqiptarja.com se aty, vetëm ë 2 metra katror tokë gjenden pafund jetë. Panairi i Xha Llambit qëndronte hapur prej 20 vjetësh, ashtu pa shumë zhurmë, në heshtje dhe në errësirë, me mundin e të gjeturit vetë librat, sidomos duke ditur vlerën e librave të vjetër, xha Llambi të ftonte në udhëtime herë me një fund dhe herë të papërfunduara... Kioska e vogël e xha Llambit, e cila gjendet përballë ish-ekspozitës, pranë stacionit të autobusit të tërheq vëmendjen edhe kur je brenda apo në pritje të automjetit publik.

72 vjeçari rrëfen për Shqiptarja.com se vendi ku gjendet libraria e tij është favorizues, pasi njerëzit teksa presin qëndrojnë shpesh para librave dhe teksa shfletojnë ndonjë faqe u prishet mendja edhe e blejnë. Gjithashtu, mbrapa kioskës së vogël mbushur plot me libra, gjendet parku me stola ku njerëzit ulen për të lexuar. Megjithatë, ka raste kur dashamirës të librit nuk kanë mundësi financiare për të blerë librin (edhe pse çmimet janë të arsyeshme), dhe xha Llambi u jep mundësi të lexojnë në park apo bashkë me të, pa paguar asgjë.

Pasi u largova nga kioska e vogël e zotit Llambi, që e mbante librin ndër duar si të kishte njohur një grua të re me shpirt të bukur dhe sytë e tij i mbante vetëm tek ajo duke folur pareshtur për të, u bëra pjesë e rrëmujës së panairit të vitit 2017, ku përfaqësuesit e shtëpive botuese në stenda i kalonin ndër duar librat vetëm për pak sekonda për t’i mbyllur në qese.

Intervista
-Sa kohë keni që punoni në librarinë tuaj të vogël? 

Mbi 20 vjet kam që zgjohem çdo ditë herët në mëngjes dhe në 8:30 vij këtu.

-Ka lëvizje?
Sa vjen dhe bie kërkesa. Kryesisht kërkojnë ndonjë libër që u duhet për në shkolla, por nuk gjenden ato libra vështirë. Psh i kërkon një klase ‘X lëndë’, ajo klasa ka 30 studentë, vetëm një do mund të marr libër, tjetri po erdhi nuk gjen gjë.

-Po këto ditë me hapjen e panairit të librit ka ndryshuar kërkesa për libra? Ka më pak lëvizje?
Jo, jo nuk e kuptoj. Ja sot i shita dy libra. Kjo është pak a shumë çdo ditë.

-Maksimumi i librave që shisni në ditë?
Po maksimumi i librave 3. Zakonisht 2 libra shes, por ka edhe raste që nuk shes asnjë libër. Madje në përgjithësi janë disa persona që vijnë blejnë, të cilët janë klientë të rregullt. Ata më bëjnë xhiro, janë të përditshëm. Vijnë 2-3 herë në muaj e blejnë libra. Po të tjerë jo, janë njerëz të caktuar pak a shumë.

-Po ju nga furnizoheni?
Nga njerëzit, nuk marr as nga firmat as nga shtëpitë botuese. Më thua ti psh që kam libra të vjetër në shtëpi dhe të them unë më bëj një listë me tituj dhe vete ja marr librat. Kam një motor dhe me të shkoj.

-Po ju vetë jeni njohës i mirë i letërsisë?
Unë mund të them që i kam lexuar të gjithë këto librat, çfarë të them tani.. Ndër të tjera, kam mbaruar edhe juridik, përveç shkollës ushtarake...

-Sa orë lexoni gjatë ditës?
Po unë lexoj pasi mbaroj gazetën njëherë, se lexoj shtypin e shkruar kryesisht çdo ditë. Plotësoj edhe fjalëkryqin teksa pi kafen edhe pastaj gjatë pjesës tjetër të ditës lexoj. Shkëputem kur vijnë njerëz të interesuar për një titull apo edhe thjesht për të parë, ose pushoj kur më viziton ndonjë mik..

-Po pjesëtarët e familjes tuaj kanë të njëjtën dëshirë për të lexuar?
Gruan e kam pensioniste, qëndron në shtëpi dhe lexon. Hamë drekën bashkë. Ndërsa fëmijët i kam të martuar, goca jeton jashtë ndërsa djali jeton këtu. I shtyj për të lexuar, por me thënë të drejtën ata tani merren më shumë me teknologjinë dhe librin e kanë lënë pak pas dore.

-E shihni këtë librari të vogël si biznes?
Tani kjo në biznes hyn, pavarësisht e shoh apo nuk e shoh unë si biznes. Edhe pse unë nga kjo mund të bëj ja maksimumi 200 mijë lekë në muaj. Kaq mund të fitoj, që plotësoj pensionin për të jetuar...

-Ju njohin njerëzit?
Shiko, nuk dua të tregohem mburravec, por është hapur një thashethem, a quajeni si të doni, ‘Shkoni te ai se atje i gjeni librat’. Ka edhe kioska të tjera, por ato janë me 5 libra, ç’do blejnë aty, ata shesin edhe cigare e gjëra të tjera.. Ndërsa unë jam i fokusuar tek librat.

-Ju ka ndodhur që dashamirës të librit nuk kanë pasur mundësi ekonomike për të blerë librat që duan?
Po, ka raste pafund. Më kanë kërkuar që të marrin libra dhe të më lenë dokumentin e identitetit, pasi nuk e blejnë dot. Unë nuk dua ta praktikoj atë se s’jam bibliotekë, por prapë më ndodh që t’u jap libra për dëshirën që kanë për të lexuar, pa ua marrë emrat shënim fare. Ose ulen këtu, te stolat e parkut dhe lexojnë... Libri nuk është si mall i përditshëm për të jetuar, i domosdoshëm si buka për shembull... nuk mund të quhesh edhe hajdut po e more librin. Ndaj edhe unë e fal, se librin nuk e bleve sot do e blesh nesër, ose ka njerëz që nuk kanë interesin më të vogël për librin..

-Sipas jush kanë vlerë më shumë librat e rinj apo të vjetrit?
Librat e vjetër kanë më shumë vlerë, për arsye se në kohën e Enverit janë përkthyer libra të klasikëve, tani nuk prodhohen më.. tani janë libra e autorëve të rinj, mund të kenë marr çmime Nobel, por nuk krahasohen me Balzakun.. Në atë kohë, me librin jetonin disa njerëz.

-Po cilët kushtojnë më shumë librat e rinj apo librat e vjetër?
Librat e rinj janë më të shtrenjtë, sepse kanë çmim mbrapa. Librave të vjetër ua vë unë çmimin, sepse kanë çmimet 5 lekë, 7 lekë si në komunizëm.. Unë i vendos çmimet sipas autorit, sepse e njoh veprën e më të mirëve.. Plus, unë vërtet vendos atë çmim por varet edhe nga klienti, ndodh që ta ulë.

dy.b/shqiptarja.com


 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE