TIRANE-Jani Kacifa, babai i ekstremistit grek, që u vra nga RENEA ditën e diel në Gjirokastër ka dëshmuar në prokurorinë e Krimeve të Rënda mesditën e sotme. Jani Kacifa ishte në ambientet e prokurorisë së bashku me një përkthyes dhe një përfaqësues ligjor të familjes, ndërsa udhëtoi nga Gjirokastra në Tiranë me një makinë me targa greke, i shoqëruar nga një grup i medieve të vendit fqinj.

Ai arriti në prokurori në orën 12:00, ndërsa deklarimet para prokurorit Njazi Seferi zgjatën deri në orën 14:00. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta mëson se babai i 35-vjeçarit ka kërkuar zbardhjen e vrasjes që djalit. Report Tv mëson gjithashtu se nuk ka ende një autorizim nga prokuroria që familja të tërheq trupin, pasi ka ende veprime për t’u kryer nga grupi i ekspertizës mjeko-ligjore.

35-vjeçari Kacifa u ekzekutua nga RENEA, pasi refuzoi që të dorëzohej, ndërsa trupi i tij ndodhet në morgun e QSUT për ekspertizë mjeko ligjore, pasi familja kundërshtoi autopsinë në Gjirokastër. Ndërkohë ditën e djeshme konsulli grek në Shqipëri, ka zhvilluar një takim tek prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me hetimet për vrasjen e ekstremistit grek në Bularat të Gjirokastrës.

Mësohet se konsulli grek është takuar me prokurorin e çështjes dhe kreun e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Mësohet se konsulli grek është duke u interesuar për vazhdimësinë  e hetimeve nga ana e prokurorisë shqiptare. Pala greke nuk ka asnjë tagër që të jetë pjesë e hetimeve, pasi vrasja ka ndodhur në Shqipëri.

Jani Kacifa duke hyrë te Krimet e Rënda mesditën e sotme

Makina me të cilën Jani Kacifa erdhi te Krimet e Rënda

Momenti kur del nga Krimet e rënda babai i ekstremistit grek

Letërporosi në Shqipëri
Pritet që në ditët në vijim prokuroria e Athinës të dërgojë një letërporosi në adresë të prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku do i kërkojë kësaj të fundit të njihet me të gjitha aktet hetimore, pse jo dhe të kërkojë kryerjen e veprimeve hetimore shtesë, për dobi të palës greke.

Grekët kanë kërkuar të asistojnë me ekspertë të mjekësisë ligjore dhe ekspertë balistikë për analizimin e të dhënave të armës, por një kërkesë e tillë është refuzuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka pohuar se një gjë e tillë nuk e lejon legjislacioni shqiptar.

Njëherësh prokuroria e Krimeve të Rënda ka refuzuar të legjitimojë avokatin grek të zgjedhur nga familja e të ndjerit, duke pohuar se edhe praninë e tij, nuk e legjitimon legjislacioni shqiptar. Nisur nga këto kushte, familja ka kontraktuar një studio ligjore shqiptare.