Detaje të reja kanë dalë për operacionin e zhvilluar dje në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam. Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në një deklaratë për mediat kanë njoftuar se janë arrestuar në total 11 persona, duke përfshirë këtu edhe të arrestuarit e aksionit të zhvilluar pak ditë më parë, në lagjet Kiras dhe Dobraç.

Policia njofton se ditën e djeshme përveç Safet Bajrit (Rustemi), janë arrestuar edhe të tjerë persona, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal. Hetimet kanë zgjatur 6 muaj, ku janë kryer përgjime dhe janë kryer hetime në bashkëpunim me shërbimet e huaja partnere. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, njofton se përveç policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, në këtë aksion është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, që ka bashkëpunuar në shkëmbim informacioni.

Përveç të arrestuarve, policia njofton se 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mbi të arrestuarit e grupit rëndojnë disa akuza, 2 vrasje të dokumentuara që prej vitit 2001, prodhim dhe armëmbajtje pa leje, organizimi i llotarive sportive të palejuara, pastrim parash, gjobëvënie, prodhim dhe shitje narkotikësh. Këtij grupi i janë sekuestruar gjatë aksionit 3 armë zjarri pistoletë, kanabis sativa, 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal, 3 makina dhe disa telefona.

Njoftimi i plotë i policisë

Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda kanë finalizuar operacionin e koduar "Oaz", në kuadër të Operacionit "Forca e Ligjit", si pjesë e grupit kriminal "Bajri" me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër.

Të gjitha arrestimet janë kryer me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ata janë:

1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;

2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;

3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;

7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;

8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;

9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;

10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;

11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.

Në kërkim u shpallën 2 anëtarë të këtij grupi kriminal, për të cilët Gjykata ka dhënë masën e sigurisë "Arrest me burg", për shtetasit: 

E.B., 45 vjeç, dhe N.H., 34 vjeç.

Veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal "Bajri" kanë zgjatur mbi 6 muaj.

Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv. 

Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë.

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë", në bashkëpunim, "Vrasje me dashje", e kryer në bashkëpunim, "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", "Organizim i llotarive të palejuara", "Pastrim i produkteve të veprës penale" të kryer në bashkëpunim, "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë", kryer në bashkëpunim, "Përkrahje e autorit të krimit", 'Moskallëzim krimi", "Prodhim e shitje e lëndëve narkotike", vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash.

Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër. 

Grupi "Bajri", në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit.

Operacioni policor për arrestimin e personave të mësipërm është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam, Holandë dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. 

Ndërhyrja operacionale është koordinuar mes grupeve të posaçme hetimore, në të dy shtetet duke shkëmbyer informacion intensiv.

Gjithashtu u ngritën dhe operuan në 2 vendet, grupe të përbashkëta operacionale, të mbështetura nga forcat speciale të Policisë së Shtetit dhe atyre holandeze.

Gjatë ditëve të operacionit për identifikimin dhe arrestimin e disa prej personave të mësipërm janë shkëmbyer me dhjetëra informacione, jo vetëm mes Policisë së këtyre 2 shteteve, por edhe autoriteteve ligj zbatuese që asistojnë Prokurorinë dhe Policinë, në Gjermani, Kroaci etj.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa.

Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria sigurojnë qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri për ta duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal. 

Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.

Të arrestuarit akuzohen për gjobëvënie ndaj bizneseve, kërcënim si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Ata janë arrestuar pas një operacioni që policia e Shtetit ka zhvilluar në vend. Operacionet në Shkodër vijnë pas një sërë ngjarjesh kriminale që kanë ndodhur në këtë qytet. Në vetëm 3 muaj, në Shkodër kanë ndodhur 6 vrasje, ku më e fundit ishte ajo e biznesmenit Arjan Ferracaku. 2 persona të tjerë janë raportuar si të zhdukur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:07
RENEA prangos Bajrin në bilardo, si u hodhën dy pistoleta nga frika e policisë (Video)

Policia e Shtetit ka shpërndarë tashmë pamjet nga aksioni për kapjen e anëtarëve të grupit Bajri. Operacioni është shtrirë në Tiranë, Shkodër, Bruksel e Roterdam e të arrestuar në total kanë qenë 11 persona.Në video shihen momentet e shoqërimit të arrestuarit. Bien në sy masat e shumta të sigurisë, motorat e forcave Shqiponja, dhe anëtarët e grupit, shumë prej tyre të veshur me rroba sportive, atlete të bardha. Në momentin e arrestimit, Safet Bajri ka qenë në një bilardo në zonën e Xhamllikut, dhe sapo kanë hyrë forcat RENEA, shihen pistoletat e hedhura përtokë.

Ora 13:00
Resorti në Velipojë dhe lokali në Shkodër, ku i pastronin paratë grupi i Bajrajve (Foto)

Arrestimi i 11 personave pjesë e grupit kriminal Bajri në Shkodër, ka sjellë edhe sekuestrimin e aseseteve pasurore. Përveç drogës, makinave dhe armëve, që policia iu sekuestroi të arrestuarve, pjesë e aseteve është edhe një resort dhe lokal në Shkodër.

Siç shihni edhe në fotot e siguruara nga Shqiptarja.com, grupi ka në pronësi këtë resort në Velipojë. Resort Oaz është në pronësi të Bajrajve dhe u sekuestrua nga policia e Shtetit. Operacioni u kodua Oaz marrë shkas nga resorti që grupi dispononte.

Resorti në pronësi të grupit të Bajrajve në Shkodër