Makinat e vjetra, Mjedisi propozon taksë shtesë që në blerje

Një taksë e re parashikohet të vendoset për automjetet. Për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të mbetjeve nga makinat në fund të jetës, dokumenti - ende draft - i qeverisë, propozon që të ngrihet një sistem për grumbullimin dhe transportin e automjeteve në fund të jetës në impiantet përkatëse të trajtimit.

Por, duke qenë se kjo mund të shoqërohet me kosto shtesë, propozimi përfshin vendosjen e një tarife shtesë – taksë e re - që do të paguhej nga qytetarët apo bizneset.

Propozimi ka ardhur nga Ministria e Mjedisit dhe, sipas tij, kjo taksë duhet të paguhet në doganë për qytetarët që i blejnë automjetet nga jashtë ose tek koncesionarët, kur makina blihet brenda vendit. "Me rëndësi është vendosja e një tarife për importin dhe prodhimin e automjeteve për të mbuluar koston e tyre të asgjësimit," thuhet në projektligjin e përgatitur nga Ministria e Mjedisit.

Sipas Ministrisë, kjo taksë nevojitet për të ndryshuar situatën e rënduar, ku një pjesë e madhe e automjeteve, që dalin jashtë përdorimit, përfundojnë në “varreza”, duke ndotur ambientin.

“Ministritë e linjës duhet të hartojnë programe informimi për të inkurajuar qytetarët, pronarët e automjeteve në fund të jetës për t’i sjellë ato në pikat e duhura të mbledhjes. Edhe mbetjet nga anijet, nga objektet lundruese, nga hekurudhat dhe avionët duhet gjithashtu të përfshihen në sistemin për menaxhimin e automjeteve në fund të jetës dhe i duhet kushtuar rëndësia e duhur, kryesisht për materialet e rrezikshme që ato përmbajnë. Me rëndësi është vendosja e një tarife për importin dhe prodhimin e automjeteve për të mbuluar koston e tyre të asgjësimit”, thuhet në relacionin shoqërues të këtij dokumenti.

Vjetërsia e makinave
Më shumë se 30% e makinave të regjistruara në vend mund të jenë potencial për të përfunduar tek grupi i automjeteve në fund të jetës apo, thënë shkurt, të shkojnë për skrap. Por ky numër mund të jetë më i lartë, po të llogarisim këtu edhe probabilitetin e aksidenteve që, në shumë raste, e çojnë një mjet në gjendje të pariparueshme. Qeveria e pranon këtë problematikë në draft dokumentin e saj zyrtar, ku trajtohet cikli që duhet të ndiqet për një trajtim normal të mbetjeve të kësaj kategorie në vend.

“Sipas të dhënave që vijnë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, 95% e mjeteve që janë sot në treg janë të përdorura. Fundi i vitit 2016 shënoi 563.106 mjete të regjistruara në vend, ku vetëm 401.499 prej tyre kanë kryer kontrollin teknik dhe pagesën e taksave. Bazuar në këto dy shifra, mund të themi se rreth 161.607 automjete mund të jenë kontingjent për t’u kthyer në automjete në fund të jetës, por jo vetëm, pasi edhe aksidentet rrugore të mjeteve janë një burim i automjeteve në fund të jetës”, thuhet në dokument.

Problematik në këndvështrimin e institucioneve është mendësia për të braktisur mjetet në pika grumbullimi dytësore, të cilat, sipas një inspektimi të bërë nga Ministria për Turizmin dhe Mjedisin, ishin 230.

Shqipëria është një nga vendet me moshën më të vjetër të automjeteve në Europë. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht mosha mesatare e automjeteve në Shqipëri është 20 vjet, ose dy herë më e madhe se sa mesatarja e Bashkimit Europian. Natyrisht, një nga shkaqet kryesore për këtë është se shqiptarët kanë pak mundësi për të blerë automjete me kilometrazh zero, pasi ato kushtojnë më shtrenjtë. Megjithëse dihet që makinat e përdorura kanë një kosto totale shumë të lartë në vite, megjithatë problemi për qytetarët është sasia fillestare e domosdoshme për të blerë një makinë, që hyn tek mallrat e kushtueshme.

Kështu, preferohet të paguajnë pak nga pak për riparime që kryhen gjatë viteve, por në blerje pagesa të jetë më e vogël se sa për një makinë të re. Në fakt, një makinë familjare të re nuk mund ta gjesh me një çmim më të ulët se 10 mijë euro tek koncesionari, ndërsa me këtë shumë arrin të blesh madje një fuoristradë në tregun e makinave të përdorura. Por vendosja e taksës së re do ta bëjë edhe më të vështirë blerjen e një makine nga qytetarët që nuk janë të pasur, pasi ajo do të rrisë kostot e saj.

Sigurimet
Ndërkohë, një risi tjetër vjen nga sektori i sigurimit të detyrueshëm të automjeteve. Pas disa vjetësh debate, duket se është arritur në hartimin e një projektligji, që ka të bëjë me diferencimin e pagesës së primeve siguruese në bazë të historikut të shoferit.

Në projektligjin ““Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka dorëzuar tashmë në Ministrinë e Financave, duke çelur kështu edhe procesin përfundimtar të diskutimit, parashikohet zbatimi për herë të parë i sistemit “Bonus-Malus”. Bëhet fjalë për sistemin, sipas të cilit drejtuesit e mjeteve paguajnë siguracion, në bazë të historikut të aksidenteve që (nuk) kanë bërë. E thënë ndryshe, kush nuk ka bërë aksidente, do të paguajë një prim sigurimi më të ulët dhe anasjelltas.

Sistemi i ri Bonus-Malus hap një një fazë të re për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Pra, do të fshihen aksidentet që ata kanë bërë në të kaluarën. Pra, në një farë mënyre, ky do të ishte do të jetë një “Vit Zero”. Përllogaritja e numrit të aksidenteve apo historiku do të nisë pas hyrjes në fuqi të sistemit të ri, shpjegojnë ekspertët.

Sistemi Bonus-Malus zbatohet në vendet e tjera, por ende jo në Shqipëri, ndonëse prej vitesh ka pasur përpjekje për ta bërë funksional. Ndërsa, përsa u përket të dhënave historike për drejtuesit e mjeteve, ato kanë nisur të mblidhen që prej vitit 2015.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 25/05/2018 09:24

    Po ku kan lek njerzit te blejn makina te reja. Te kompesoj shteti qe te marin makina te reja

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës