Marrëveshja me Greqinë/ Qeveria shqiptare merr vendimin për njohjen e patentave

Marrëveshja me Greqinë/ Qeveria shqiptare merr vendimin për njohjen e patentave

Foto ilustruese

Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit të automjeteve ishte një nga marrëveshjet e rëndësishme të arritura me Athinën, në vijim të negociatave mes dy vendeve për çështjet e pazgjidhura.  

Qeveria shqiptare ka marrë sot vendimin për njohjen e patentave, ndërsa pritet që në ditët në vijim një hap të tillë zyrtarë ta hedhë edhe Athina zyrtare. Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit është një zhvillim pozitiv, pasi do të krijojë lehtësi lëvizje dhe komunikimi më të madha shtetasve shqiptarë dhe grekë. Marrëveshja do të lehtësojë ndjeshëm jetën e qytetarëve shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, por dhe atyre që udhëtojnë drejt vendit fqinj dhe anasjelltas. 

Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 Euro, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi.

Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri, dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi, të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.

Vendimi i Qeverisë shqiptare: 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË GREQISË, MBI NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:56
Eshtrat e Rilindasit Mit'hat Frashëri do kthehen në atdhe, Qeveria merr vendimin

Eshtrat e Rilindasit, shkrimtarit dhe veprimtarit të Pavarësisë, Mit'hat Frashëri do kthehen në Shqipëri. Ky ka qenë vendimi i Këshillit të Ministrave i marrë në mbledhjen e sotme. Sipas vendimit të Qeverisë, ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të organizojnë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit.

Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. 

Mit'hat Frashëri lindi në Janinë në vitin 1880. Aktualisht eshtrat e tij prehen në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës aty ku ai ndërroi jetë në vitin 1949.

Vendimi i Qeverisë: 

V E N D I M

PËR

KTHIMIN NË ATDHE TË ESHTRAVE TË PERSONALITETIT TË SHQUAR TË LETRAVE SHQIPE DHE TË KULTURËS MBARËKOMBËTARE MID’HAT FRASHËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri.

2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.

3. Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

4. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

5. Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Baldushku: 31/07/2018 20:55

    Do vijnë grekët ti blejnë patentat këtu tek ne iu bie më lirë!?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë, Zhupa: Milva Ekonomi ka munguar në 2 mbledhje pas akuzave tona për konflikt interesi, e pres si dëshmitare

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë, Zhupa: Milva Ekonomi ka munguar në 2 mbledhje pas akuzave tona për konflikt interesi, e pres si dëshmitare