POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

VIDEO/Në 17 shtator Rruga e Kombit me pagesë, tarifat për të gjitha kategoritë, ja kush nuk do të paguajë (Detaje)

Në datë 17 shtator në autostradën Durrës-Kukës, në Morinë do të futet në fuqi tarifa për kalimin e automjeteve. Ndryshe nga plani i parë i taksave që solli protestat e dhunshme, tanimë është përpunuar një paketë lehtësish për ata që e përdorin më shumë rrugën. Do të jetë një pajisje e posaçme – telepass – e cila do të mundësojë tarifimin e reduktuar të mjeteve të tilla. Paketa përfshin një tarifë prej 100 lekësh me TVSH për çdo kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës. Ajo do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës njëmujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Karta përkatëse do të blihet me parapagim. Kjo skemë ka të bëjë me makinat tip veturë familjare, që janë regjistruar për përdorim vetjak të qytetarëve. Invalidët e punës dhe shtresat në nevojë sipas ministrisë nuk do të paguajnë.

Ndërkohë, lidhur me linjat e transportit interurban, deri tani janë identifikuar 11 linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Për të eliminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale, me tarifë kalimi prej 100 lekësh me TVSH për 1 kalim.

Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës, pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova), do të kenë trajtimin si më poshtë: Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, ka 10 për qind zbritje; mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritja shkon në 20%; mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30% dhe mbi 60 kalime në muaj, zbritja arrin në 40% të tarifës.

Tarifat bazë janë për motorrin 2.5 euro, veturë 5 euro, autobusë dhe kamionçina 11.2 euro, kamionët e mesëm 16.2 euro dhe kamionët e rëndë 22.5 euro. Sipas studimit të institucionit ndërkombëtar që dha konsulencë për koncesionin, gjatë periudhës mars 2014-mars 2015 lëvizën rreth 5.000 automjete në ditë në segmentin e Rrugës së Kombit. Supozohet se, me hyrjen në fuqi të koncesionit, lëvizja e automjeteve do të bjerë dhe qeveria do të financojë koncesionarin nga taksat e tjera, në një masë që llogaritet minimalisht 5 milionë euro në vit dhe maksimumi deri në 13 milionë euro.

TARIFAT NE RRUGEN E KOMBIT NGA DATA 17 SHTATOR
Tarifa për kalimin e automjeteve 5 Euro
Për banorët e Kukësit tarifa është 100 lekë me TVSH deri në 44 kalime në muaj

Tarifat sipas mjeteve
Motoçikletat dhe automjetet me tre rrota 330 lekë
Banorët e Kukësit 50 lekë
Automjetet komerciale me dy akse, 6 rrota-1490 lekë
Kamionë të mesëm dhe autobusë të rëndë 2140 lekë
Kamionë të rëndë me 4 akse dhe më shumë 2970 lekë

Zbritjet
Nga 20-30 kalime në muaj zbritje 10%
Nga 30-50 kalime në muaj zbritje 20%
Nga 50-60 kalime në muaj zbritje 30%
Mbi 60 kalime në muaj 40%
Invalidët e punës dhe shtresat në nevojë deri 0 lekë

d.ba./b.ha.
Komento