KUKES-Policia e Njësisë së Autostradave ka vendosur 140 gjoba vetëm gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara me tre radarë, njëri prej të cilëve i vendosur në tunelin e Kalimashit, në Rrugën e Kombit.

Nga pamjet e regjistruara nga radarët, disa automjete kanë qarkulluar me 122 km/h por edhe shpejtësi ekstreme, duke arritur deri në 250 km/h në Tunelin e Kalimashit.

"Shkelësit më të shumtë të Kodit Rrugor janë drejtuesit me targa të Kosovës, të cilët përbëjnë rreth 60% të rasteve të evidentuara", tha efektivi për Report TV.

Ndër të gjobiturit është 28-vjeçari me origjinë nga Kosova dhe banim në Turqi, i cili për herë të parë po udhëtonte nga Kosova në Shqipërii e mandej drejt Malit të Zi. Ai u kap duke udhëtuar me 110 km/h në segmentin Morinë-Kukës, ku shpejtësia e lejuar është 90 km/h.

“Ishim me nxitim, dhe e pranojmë që po drejtonim makinën me shpejtësi. Nuk pamë tabelën paralajmëruese për kufizimin, dhe menjëherë na ndaloi policia” u shpreh Rexhep Mertkan për Report TV.

Masat ndëshkuese janë vendosur kryesisht për shpejtësi mbi normat e lejuara, por edhe për parakalime të gabuara, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe pozicionim të gabuar në korsi. Gjobat për këto shkelje variojnë nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë.