Dhunë, përplasje, tym dhe flakë. Qytetarë nga veriu i Shqipërisë, kryesisht Kukësi, Tropoja dhe Hasi, por edhe shqiptarë nga Kosova janë përplasur me policinë e shtetit në Rrugën e Kombit në protestën e organizuar paraditen e sotme rreth orës 11:00 për të kundërshtuar vendosjen e taksës. Protesta nisi në orën 11:00, ndërsa zgjati deri rreth orës 14:00. 

E ndërsa ishte paralajmëruar se protesta do të ishte paqësore, protestuesit u përplasën me policinë duke bllokuar qarkullimin në të dyja anët e Rrugës së Kombit.  Fillimisht policia reagoi, por situata i doli nga kontrolli pasi numri i protestuesve ishte i madh duke e bërë të pamundur ndërhyrjen për t’i bllokuar. 

VIDEO pa koment protesta kundër Taksës në Rrugën e Kombit

Pas tërheqjes totale të bluve, protestuesit morën situatën në kontroll duke thyer dhe djegur sportelet dhe kabinat që kishte vendosur koncesionari për të vjelur taksën në Rrugën e Kombit. Protestuesit pas djegies së gjithçkaje, nuk lejuan që të hapet qarkullimi.

Ata fillimisht deklaruan se do të qëndrojnë 24 orë në rrugë, deri në një reagim dhe tërheqje nga qeveria për taksën, por pas negociatave me policinë në orën 14:00 Rruga e Kombit u hap duke rikthyer qarkullimin normal të mjeteve nga të dyja anët.

Nga protesta mbetën 13 policë të lënduar dhe disa qytetarë. Mes policëve të lënduar është edhe Adem Visha.  Disa nga protestuesit akuzojnë policinë se i ka dhunuar duke i goditur me shkopinj gome, ndërsa policët janë plagosur nga goditja me gurë e protestuesve. Pasdite priten arrestimet e protestuesve.

protestë morën pjesë këshilltarët e Bashkisë e Kukësit nga të gjitha partitë politike, shoqata “Biznesi për Biznesin”, banorët e Kukësit dhe pushteti vendor.  Për përplasjen në Rrugën e Kombit pati reagime  nga të gjithë drejtuesit e shtetit.


Presidenti Meta bëri thirrje për qetësi, ndërsa kryeministri Rama paralajmëroi ndëshkim për autorët që shkatërruan dhe goditën policinë. Kryetari i PD, Lulzim Basha i kërkoi Ramës që të tërhiqet nga taksa dhe dhuna, ndërsa për Kryemadhin reagimi i sotëm ishte fillimi i fundit të regjimit.

TAKSA E “RRUGËS SË KOMBIT”
Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro
Klasa 2/ Veturat – 5 Euro
Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro
Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro
Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:38
Protesta/ Trafiku në Rrugën e Kombit, nga Miloti deri në Kalimash

Rruga e Kombit në pjesën që përshkon qarkun e Lezhës, nga Miloti, deri në tunelin e Kalimashit, është bllokuar për disa orë si shkak i protestes.

Radha e automjeteve ka qene kilometrike nga Repsi në drejtim të tunelit të Kalimashit.

Zhbllokimi i rrugës është bërë i mundur rreth orës 14 e 30 minuta pasi janë larguar protestuesit.

Ora 15:22
Rruga e Kombit/ Mes të plagosurve në protestë edhe shefi i komisariatit të Kukësit

Ndërmjet  personave të plagosur në Kukës është edhe shefi i komisariatit të policisë së këtij qyteti, Perlat Vatoci.

Vatoci është lënduar gjatë supmit me gurë, por nuk ka shkuar në spital deri sa ka përfunduar protesta.

Ora 15:16
Policia marrëveshje me protestuesit, hapet Rruga e Kombit pas tre orësh

Në orën 14:00 pas shumë negociatave me policinë protestuesit kanë hapur rrugën duke u larguar, ndërsa ka vijuar normalisht qarkullimi. Rruga u bllokua nga ora 11:00 deri në 14:00. Nga përplasja mbetën 13 policë dhe disa qytetarët të plagosur.

 

Ora 13:49
Dhunë dhe shkatërrim në Kukës, Rama lë Vlorën, me urgjencë në Tiranë

Pas zhvillimeve intensive në Rrugën e Kombit nga protesta ku qytetarët shkatërruan dhe dogjën gjithçka, kryeministri Edi Rama nuk është mjaftuar vetëm me një status në Facebook ku paralajmëronte ndëshkimin për autorët, por është nisur nga Vlora në drejtim të Tiranës duke ndërprerë axhendën e takimeve.

Në orët në vijim pritet një takim me ministrin Xhafaj për t’u njohur me situatën më të fundit. Policisë duket se i iku situata nga kontrolli nga protesta në Kukës dhe pas përplasjes së parë u tërhoq.

Ora 13:27
Dhuna në Rrugën e Kombit, 11 policë dhe disa protestues të lënduar

Nga përplasja mes policisë dhe protestuesve 11 police dhe disa qytetare kane mbetur te lenduar. Protestuesit qëlluan me gurë në drejtim të policisë, ndërsa efektivët u përgjigjen më shkopinj gome. Nga përplasja efektivi Adem Visha dhe 10 te tjere u plagosen lehte. Ndërkohë që aktualisht po negociohet mes policisë dhe protestuesve për të hapur rrugën.

Ora 13:09
Dhuna në Rrugën e Kombit, policia u tërhoq pas përplasjes, pasdite priten arrestimet

Pas precipitimit të situatës dhe përplasjes me qytetarët në Rrugën e Kombit, policia është tërhequr, ndërsa ka identifikuar të gjithë personat dhe pasdite pritet që të arrestohen. Deri tani jane identifikuar nga policia mbi 40 protestues. Ata do të akuzohen për goditje ndaj efektivëve të policisë dhe shkatërrim të pronës. Ndërkohë që edhe kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se të gjithë protestuesit do të marrin përgjigjen e merituar.

Ora 13:02
Dhuna, protestuesit-Ramës: Mos luaj me zjarrin! Turp të kesh, hajde këtu!

Pas djegies së katër sporteleve dhe shkatërrimit të gjithçkaje në kabinat që janë ngritur në Rrugën e Kombit, protestuesit i kanë bërë thirrje Ramës që të mos luajë me zjarrin.

“Është rruga e Shqipërisë me bashkuar kombit, nuk është rruga e Ramës, nuk është rruga për të bërë gropën. Turp të kesh! I bëj thirrje Ramës, mos luaj me zjarrin, se pastaj e di vetë..do të digjesh. Do të qëndrojmë deri në vdekje këtu. Hajde këtu Edi Rama”

Reagimi i protestuesve në Rrugën e Kombit

Ora 12:17
Politika e bashkuar në Kukës, kryebashkiaku: Qeveritë e dy vendeve të ulen

Të gjithë përfaqësuesit e partive politike në Kukës janë bashkuar kundër taksës së Rrugës së Kombit. Kryebashkiaku Bashkim Shehu deklaroi gjatë protestës se “I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë që të ulen, të bashkëbisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje sa më lehtësuese".

Protesta ne Rrugen e Kombit

Ora 12:11
Organizatorët e protestës: Do të rrimë 24 orë, presim reagimin e qeverisë

Edhe pse lejen e kanë marrë vetëm për 2 orë, protestuesit deklarojnë se do të qëndrojnë 24 orë në tubim deri në momentin që të vijë një përfaqësues nga qeveria për të diskutuar heqjen e taksës për Rrugën e Kombit.
Protesta ne Rrugen e Kombit ne Kukes

Ora 11:43
Prej orës 11:00 Rruga e Kombit vijon që të jetë e bllokuar, radhë kilometrike

Protestuesit kanë bllokuar Rrugën e Kombit prej orës 11:00 të paradites së sotme. Në të dyja anët radha e makina që janë bllokuar është shumë e gjatë. Qytetarët nga Kukësi, Tropoja, Hasi, por edhe shqiptarë nga Kosova pohojnë se nuk do largohen deri kur të anulohet taksa.
Radha kilometrike e makinave ne Rrugen e Kombit

Ora 11:31
Në protestë edhe shqiptarë nga Kosova: Të hiqet taksa

Në protestën që po zhvillohet në Rrugën e Kombit kundër taksës ndodhen edhe shqiptarë nga Kosova. Ata shprehen se taksa që është vendosur i dëmton.

“Jemi kundër kësaj takse, e cila na dëmton. Kërkojmë që të hiqet taksa. Taksa dëmton rëndë biznesin në Kosovë, por edhe lëvizjen e qytetarëve të thjeshtë. Ne erdhëm paqësisht, por policia reagoi duke goditur qytetarët” 

Prononcimet e shqiptarëve nga Kosova

Ora 11:23
Protestuesit në Rrugën e Kombit shkatërrojnë sportelet ku do të paguhet taksa

Protestuesit në Rrugën e Kombit të irrituar me vendimin për të paguar taksën për të kaluar në Rrugën e Kombit kanë shkatërruar sportelet e kompanisë. Ata kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të sporteleve duke thyer tabelën elektronike që tregon tarifën e pagesës.


Sportelet e thyera me gurë nga protestuesit

Ora 11:09
Protesta në Rrugën e Kombit, qytetarët: Policia na dhunoi, shteti po na grabit

Protestuesit e mbledhur për të kundërshtuar taksën për të kaluar në Rrugën e Kombit janë të shumtë të numër, ndërsa deklarojnë se nuk do të largohen nëse nuk do të anulohet vendimi.

Jo izolim. Nuk do të ikim nga këtu pa u hequr vendimi për të paguar taksën. Kemi marrë iniciativën për t’i dalë zot kësaj proteste. Këtu jemi mbledhur pa asnjë dallim politik. Policia na dhunoi me shkopinj gome. Te hiqet taksa, kjo është një kërkesë e drejtë dhe jetike”

Deklaratat e protestuesve në Rrugën e Kombit