Amerika në zi, shuhet në moshën 94-vjeçare ish-Presidenti, George H.W. Bush (REAGIMET)

Ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara. Prej disa vitesh ai vuante nga parkinsoni vaskular, një sëmundje që i kufizoi lëvizjet fizike. George H.W. Bush u shua vetëm disa muaj pas gruas së tij, pasi më 17 prill të këtij viti ndërroi jetë Barbara Bush në moshën 92-vjeçare. Por kush ishte George H.W. Bush? Ai ishte veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që shërbente si president dhe babai i Presidentit të 43-të amerikan, George W. Bush.

George Herbert Walker Bush lindi më 12 qershor 1924. Bush shpesh njihej si “George H W Bush”, “Bush 41”, “Bush Plaku”, apo “George Bush Sr.” për ta dalluar atë nga djali i tij, ish-presidenti George W. Bush. Ai ka qenë drejtor i CIA-s, i dërguar i SHBA në Pekin, kongresmen republikan, nënpresident dhe më pas President nga viti 1989 deri në 1993, vetëm në një mandat, pasi e humbi garën për mandatin e dytë kundër ish-Presidentit Bill Clinton. George H.W. Bush pasoi në Shtëpinë e Bardhë Ronald Reagan.

Jo vetëm për diplomacinë në Luftën e Ftohtë dhe në kohën e rënies së Murit të Berlinit, por George H. W. Bush do të mbetet në memorie për shqiptarët edhe për mesazhin e tij në 1992 për Sllobodan Millosheviç ku e paralajmëronte se në rast të një konflikti në Kosovë SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake. "Në rast se në Kosovë shkaktohet konflikt nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi", deklaronte Bushi asokohe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:46
Vdekja e Bush, Ruçi mesazh ngushëllimi: Mbështetës i zjarrtë i tranzicionit të Shqipërisë, mik i të gjjithë shqiptarëve

Pas vdekjes së George H.W. Bush, presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka reaguar dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Në një reagim për mediat, zyra e shtypit të Kuvendit, përcjell mesazhin e Ruçit për vdekjen e Bush.

“Presidenti Bush, shërbime të shquara kombit amerikan. Bush, mbështetës i zjarrtë i tranzicionit të Shqipërisë. Presidenti Bush, mik i madh i të gjithë shqiptarëve. Legacia e një familjeje të madhe për një komb të madh. Presidenti shërbime të shquara demokracisë dhe paqes”-shkruan Ruçi.

Ora 15:24
Berisha tregon takimet me Bush: Humba mikun më të çmuar

Ish-kryeministri Sali Berisha përmes një statusi në Facebook shkruan se Bush ishte heroi i lirisë së kombit amerikan. Berisha thotë se Bush ishte mbështetësi kryesor i përpjekjeve të shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri, ndërsa Serbisë i tregoi vijën e kuqe për Kosovën.

Berisha shton se miqësinë me Bush do ta ruajë si miqësinë më të çmuar, ndërsa tregon edhe takimet në Shqipëri dhe Teksas. “Por sot në dhimbje jemi dhe unë dhe familja ime, pasi kam humbur mikun tim më të shquar, më të dashur. Une kam patur fatin dhe privilegjin e veçantë të gëzoj miqesinë e tij, të cilën do ta ruaj perjetë si gjenë më të çmuar”thotë Berisha (lexo këtu).

Ora 10:45
Lulzim Basha: Shqiptarët do i jenë Bush-it përjetë mirënjohës për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet se shqiptarët do i jenë përjetë mirënjohës ish Presidentit të SHBA George HW Bush për mbështetjen për Kosovën. “Lajm i hidhur ndarja nga jeta e ish Presidentit të SHBA George HW Bush. Shqiptarët do ti jenë përjetë mirënjohës për mbështetjen vendimtare për demokracinë në Shqipëri dhe sigurinë në Kosovë. Mendimet e lutjet e mija janë me familjen Bush dhe popullin amerikan. U prehtë në paqe” thotë Basha.

Ora 10:26
Thaçi: Bush ia bëri të qartë Millosheviçit, Kosova është vijë e kuqe për SHBA

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook pas ndarjes nga jeta të George H. W. Bush shkruan se Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si Presidentin që ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviçit se Kosova është vijë e kuqe për SHBA.

“Ngushëllimet më të sinqerta në emër të popullit të Kosovës për vdekjen e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush. SHBA dhe bota do ta kujtojnë si patriot të pashoq dhe shembull të përkushtimit për të punuar për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë. Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA. Bashkëndjejmë me familjen Bush dhe tërë popullin amerikan në këtë humbje të madhe”, ka shkruar Thaçi.

Ora 10:23
Vdekja e Bush, Meta: Ishte një mik i madh e i shtrenjtë i shqiptarëve

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta shkruan se George H.W. Bush ishte një burrë i madh shteti dhe një mbështetës i fortë i lirisë. “Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Presidentit të 41 të SHBA George H.W. Bush. Ai ishte një burrë i madh shteti dhe një mbështetës i fortë i lirisë. Jam pranë familjes së tij dhe lutem së bashku me ta. Ai ishte një mik i madh e i shtrenjtë i shqiptarëve. RIP” shkruan Meta.

Ora 09:29
George W. Bush: Ishte një njeri me karakter të jashtëzakonshëm

Pas humbjes së të atit, George W. Bush, ish-president i SHBA, shkruan se ai ishte një njeri me karakter të jashtëzakonshëm. “Jeb, Neil, Marvin, Doro dhe unë njoftojmë me pikëllim se, pas 94 viteve të mrekullueshme, babai ynë ka ndërruar jetë. George HW Bush ishte një njeri i karakterit të jashtëzakonshëm, si dhe babai më i mirë që do të donte një djalë apo një vajzë. E gjithë familja Bush është thellësisht mirënjohës për jetën e tij, shprehim mirënjohje për dashamirësinë e atyre që janë kujdesur dhe lutur për babain dhe ata që kanë shprehur ngushëllimet” shkruan George W. Bush.

Ora 09:21
Bill Klinton: Gjithmonë mirënjohës për miqësinë tonë

Ish-Presidenti Bill Clinton shkruan se George H. W. Bush do të mbetet në memorie për shërbimin e dashurinë për vendin dhe miqësinë. “Do të jem gjithmonë i nderuar për miqësinë tonë. Unë dhe Hillary i bashkohemi hidhërimit për ndarjen nga jeta të George H. W. Bush, e falënderomë për shërbimin, dashurinë dhe miqësinë. Jam shumë i lumtur për cdo minutë që kam kaluar me të, do e mbajë miqësinë si një nga dhuratat më të shtrenjta të jetës” shkruan ai.

Ora 09:19
Vdekja e Bush, Barak Obama: Amerika humbi një patriot dhe shërbëtor të përulur

Ish-Presidenti Barak Obama shkruan se me vdekjen e George Herbert Walker Bush, SHBA humbi një shërbëtor të përulur. “Amerika ka humbur një patriot dhe një shërbëtor të përulur. Zemrat tona sot janë të pikëlluara, por të mbushura me mirënjohje dhe mendimet tona shkojnë për të gjithë familjen Bush" thotë Obama.

Ora 09:14
Vdekja e Bush, reagon Trump: Inspiroi gjeneratat amerikane, shembulli i tij jeton

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka reaguar pas vdekjes së George H. W. Bush duke shprehur ngushëllimet për familjen, ndërsa e kujton si një njeri që luftoi për vendin. “Presidenti Bush frymëzoi gjeneratat e bashkëkombësve në shërbim të vendit. Me gjykim të shëndoshë, sens të përbashkët, dhe udhëheqje të palëkundur, Presidenti Bush udhëhoqi vendin në një fund paqësor dhe fitimtar të Luftës së Ftohtë. Përveç shërbimit ndaj vendit, ne do të kujtojmë Presidentin Bush edhe për përkushtimin e tij ndaj familjes. Shembulli i tij jeton”  shkruan Trump.

Ora 08:47
Jeta përmes fotove e Presidentit George H.W. Bush
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tartar: 01/12/2018 07:56

    Ngushellimet me te sinqerta per familjen,te afermit,bashkepuntoret e atij burri te madh.Respekte per vepren e tij per ameriken dhe per kombin shqiptar.Amerika humbi birin e saj,shqiptaret humben nje mik te madh te kombit te tyre.U prefte ne paqe shpirti i tij.Amin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale