Pesë të sëmurë të bllokuar nga dëbora, 4 në Dibër dhe një 6-vjeçar në Kolonjë/ ARRSH: Ja rrugët me probleme

Edhe pse reshjet e dëborës kanë ndaluar prej disa orësh, situata paraqitet problematike në qarqet Dibër dhe Kukës për shkak të ngricave dhe trashësisë së borës. Pesë persona, katër në Dibër dhe një 6-vjeçar në Kolonjë janë bllokuar nga dëbora. Gjatë mbrëmjes së kaluar temperaturat në Dibër kanë shënuar -12 gradë, kjo e regjistruar në qytetin e Bulqizës, ku trashësia e borës është 70 cm si në Bulqizë dhe Peshkopi brenda në qytet, ndërsa në zonat e thella, kryesisht në fshatrat Tërrnovë e Madhe dhe Tërrnovë e Vogël mësohet se arrin deri në 2 m. 115 familje të këtij fshati janë të izoluara, ndërsa mungon edhe energjia elektrike. Instancat përkatëse si prefekturat dhe bashkitë pretendojnë se situata është nën kontroll, ndërsa nga ana tjetër banorët thonë se janë të izoluar prej 10 ditësh. 

Problematike është situata edhe në Qarkun e Kukësit ku në disa zona trashësia e dëborës i kalon 1 m, ndërsa janë izoluar disa njësi administrative. Bashkia e Kukësit njofton se vijon puna për hapjen e rrugëve që lidhin fshatrat me qendrat urbane. Sa i takon rrugëve, aksi nacional Peshkopi-Tiranë në disa segmente kalohet me vështirësi për shkak të prezencës së akullit në rrugë. Ndërsa në akset e tjera rrugore kombëtare situata është përmirësuar ndjeshëm dhe qarkullimi kryhet normalisht. Megjithatë, ARRSH këshillon përdorimin e zinxhirëve në disa akse (Lexo të plotë). 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:07
Kolonjë, fshati bllokohet nga dëbora, 6-vjecari me temperaturë nuk mund të dërgohet në spital

Dëbora në zonën e Kolonjës ka bërë të pamundur transportimin e një fëmije të sëmurë për në spital. Reshjet e dëborës kanë bllokuar kalimin në fshatin Pepellash të Kolonjës, një zone e cila ndodhet 4 km larg nga Qafa e Qarrit. Report Tv mëson se fëmija 6-vjecar prej tre orësh është me temperature të lartë, por nuk mund të transportohet për në spital, pikërisht për shkak të bllokimit të rrugës.

Ndërkohë që për ngjarjen ka reaguar edhe prefektura, e cila përmes një njoftimi thekson se ‘U ndërpre ndërhyrja se rrezikoheshin drejtuesit e mjeteve! Prinderit nuk mund ta afronin me kembe femijen se ishte shume ftohte! Mjeket I rekomanduan perdorimin e ilaçeve dhe temperatura vajti mbi 38! Fëmija u vendos qe te mbahet nen kujdes ne shtepi deri neser qe te vazhdoj puna”.

Ora 19:07
Dëbora në Dibër, Sllova e bllokuar, banori për Report Tv: S’çojmë dot në spital 4 të sëmurët

Situata në qarkun e Dibrës vijon që të jetë mjaft problematike, pasi fshatrat janë të bllokuar nga dëbora. Në fshatin Shumbat të njësisë administrative Sllovë janë të bllokuar nga dëbora 4 persona të sëmurë. Në një lidhje telefonike për Report Tv, njëri nga banorët e fshatit Shumbat, Mersim Hera u shpreh se rruga është e bllokuar prej një jave. “Katër persona janë të sëmurë në gjendje të rëndë, por nuk i transportojmë dot në spital. Janë bërë përpjekje për hapjen e rrugës, por fadroma ka ngecur. Gjithë fshatrat e njësisë Sllovë në Dibër janë të bllokuara prej një jave’tha ai.

Ora 18:39
4 të sëmurë të bllokuar nga dëbora në një fshat në Dibër, banorët po hapin vetë rrugën

Gazetari i Report Tv në qarkun e Dibrës raporton se në fshatin Shumbat janë katër persona të sëmurë, ndërkohë që rruga është e bllokuar duke e bërë të pamundur transportimin e tyre për në spital. Banorët po hapin vetë rrugën me lopata për të dërguar të sëmurët në spital. Ata, sipas gazetarit të Report Tv, tregojnë se fadroma është futur disa metra dhe është kthyer.

Ora 17:12
Parashikimi i motit, IGJEUM: 24 orët e ardhshme pa reshje, por vijojnë temperaturat e ulëta

Pas katër ditëve me mot të keq me dëborë, Instituti i Gjeoshkencave jep lajmin e mirë se gjatë 24 orëve të ardhshme nuk do të ketë reshje pothuajse në asnjë qark të Shqipërisë.

Pavarësisht kësaj, temperaturat do të vijojnë të jenë të ulëta. Më konkretisht, në bregdet: -1 / 9 °C, në vendet e ulëta: -3 / 6 °C dhe në vendet malore: -10 / 3 °C. Era pritet të fryjë e lehtë, ndryshe nga situata e ditëve të fundit ku nuk kanë munguar as shtrëngatat.

Ky parashikim është një lajm i mirë për shumë fshatra të bllokuar dhe pa energji elektrike, sidomos në zonat veriore, pasi përveç se nuk do të ketë rritje të trashësisë së dëborës, moti me diell e bën me të lehtë edhe ndërhyrjen në rrjetin elektrik, pasi shumë fshatra nuk furnizohen me energji elektrike.

Ora 16:44
ARRSH: Ja akset me probleme ku duhet të përdorni zinxhirët

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se nuk ka asnjë aks nacional të bllokuar nga dëbora dhe ngricat, ndërsa rekomandon përdorimin e zinxhirëve në disa akse me probleme.

Situata e plotë sipas ARRSH-së
Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Që në orët e para të mëngjesit është punuar dhe vazhdon të punohet për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Në të gjitha akset kombëtare të këtij Rajoni ku përfshihen rrugët e qarkut të Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës qarkullimi kryhet pa zinxhir. Në Rajonin Verior Shkodër: Kontraktorët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Në të gjitha akset e këtij Rajoni ka përmirësim të dukshëm të gjendjes së akseve.

Segmentet rrugore ku rekomandohen zinxhirët:
Qafë Mali - Fierzë
Ura e Cerenecit - Steblevë
Qafë Bualli - Kraste
Trebisht - Dogane

Segmentet rrugore ku rekomandohen pjesërisht me zinxhirë;
Kuben-Vasije
Peshkopi-Qafë Draje
Peshkopi-Ushtelencë
Domaj-Draj Rec
Bulqizë-Fushë Bulqizë

Në Rajonin Qendror Tiranë: Puna nga ana e kontraktorëve vazhdon për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës. Në akset e mëposhtme qarkullohet pjesërisht me zinxhir. Rrugët e Dajtit (Qafë Priskë - Qafë Mollë, Qafë Priskë – Shëngjergj) Rruga Lunik -Steblevë. Në akset e tjera të këtij Rajoni qarkullimi kryhet normalisht pa zinxhirë. Për shkak të temperaturave të ulëta, rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit. Gjithashtu gjatë lëvizjes duhet të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Ora 15:32
Manastirliu inspektim në Burrel: Shëndetësia në gadishmëri për emergjencat

Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot qendrën shëndetësore Komsi dhe spitalin e Burrelit ku inkurajoi ekipet mjekësore për shërbimin dhe gadishmërinë për t’ju përgjigjur qytetarëve në këto ditë të motit të vështire: U kryen 2900 misione shpëtimi me autoambulancë dhe 8 misione me helikopter në këto ditë të motit të keq.

 “Ekipet mjekësore dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë janë në gadishmëri për të ndihmuar qytetarët në këtë situatë moti të vështirë dhe vetëm gjatë këtyre ditëve janë kryer 2900 misione shpëtimi”. Kështu deklaroi, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi sot qendrën shëndetësore Komsi, në Burrel.

Kemi siguruar furnizimin me barnat e urgjencës në 92 qendrat dimërore për të gjithë sezonin e dimrit. Qendrat shëndetësore, spitalet por mbi të gjitha ekipet e urgjencës mjekësore janë në gadishmëri për të shpëtuar jetë në këto ditë të motit të vështirë. Jam këtu në këtë zonë të thellë të Matit për të inkurajuar dhe mbështetur ekipet mjekësore për punën e jashtëzakonshme që po bëjmë, siç ishte rasti i nënës me fëmijën e saj të 8 që pikërisht nga Burreli u transportua me helikopter drejt Tiranës dhe sot gëzon shëndet të plotë bashkë më djalin e saj. Manastirliu.

Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe e Mirëqënies Sociale 

Ministrja Manastirliu u ndal edhe në spitalin e Burrelit, ku pa nga afër situatën në urgjencë dhe maternitet.

Edhe në këto ditë të motit të vështirë, vijon patronazhimi nga mjekët e materniteteve të Tiranës në maternitetin e Burrelit, duke ju dhënë mundësi grave dhe vajzave të kësaj zone të marrin shërbimin afër vendbanimit. Investimet e nisura në infrastrukturë do të vijojnë edhe në këtë spital. Jemi duke përfunduar projektin dhe këtë vit nis një investim i rëndësishëm për rehabilitimin e spitalit të Burrelit, që do të sigurojë një standard të ri shërbimi për qytetarët", u shpreh Manastirliu.

Nga Burreli ku vizitoi qendrën shëndetësore Komsi dhe spitalin e Matit,  Ministrja deklaroi se nuk do të mungojë furnizimi me medikamentet e nevojshme dhe angazhimi i stafit mjekësor do të jetë maksimal në këto  ditë të ftohta të motit .

Ora 13:44
Qafë Thanë-Lin-Pogradec e mbuluar nga dëbora, pamje fantastike me dron (VIDEO)

Report Tv sjell video me dron nga Qafë Thana, Lini, Pogradeci dhe Qafë Plloça të mbuluar nga dëbora. Pamjet janë mbresëlënëse teksa çdo pëllëmbë toke është e mbuluar me petkun e bardhë dhe e vetmja hapësirë e zbuluar është rruga gjarpëruese nga Qafë Thana, panorama përrallore në Lin, buzë liqenit të Pogradecit e deri në lartësinë e Qafë Plloçës në drejtim të qytetit të Korçës. 

Ora 11:12
Nis shkrirja e borës në Shkodër, zjarrfiksja pastron tarracat, rrezikohen qytetarët

Shkrirja e dëborës në Shkodër ka sjellë shqetësimet e para. Nga shkrirja e saj nga terracat e pallateve po rrezikohen kalimtaret dhe bizneset. Për të eleminuar rreziqet zjarrfiksja ka nisur pastrimin e tarracave në akset kryesore të qytetit.

Ora 11:09
Dëmtohen dy Fidra në qarkun e Elbasanit, rreth 1 mijë familje prej tre ditësh pa energji elektrike 

Moti i keq që ka përfshirë vendin nuk ka bllokuar vetëm rrugët por ka shkaktuar dëmtime edhe në rrjetet e energjisë elekterike. Për shkak të dëmtimit të dy Fidrave nga reshjet e dëborës, rreth 1000 mijë familje në qarkun e Elbasanit kanë mbetur pa energji elektrike prej 3 ditësh.

Për shkak të dëmtimit kanë mbetur pa energji elektrike fshatrat e Fidrit të parë: Orenjë, Ballgjin, Dranovicë, Floq, Funarëz, Kuturman, Gurakuq, Kostenje, Mexixë, Neshtë, Orenjë, Rinas, Rrapun, Zdrajshe. dhe ato të Fidrit të 6: Lunik, Qarrishtq, Yljaf, Letem, Stebleve, Zabzun, Boric dhe Boravë. Lidhur me situatën, një grup i madh specialistësh janë angazhuar dhe kanë nisur punën për zgjidhjen e situatës. 

 

Ora 10:23
Moti i keq, Xhaçka: Shteti ka marrë përgjegjësitë maksimale, kompanitë mirëmbajtëse po neglizhojnë, e pafalshme

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka deklaruar se strukturat e shtetit kanë marrë përgjegjësitë maksimale për të lehtësuar pasojat e motit të keq duke vënë në dukje mungesën e kompanive mirëmbajtëse.

“Të njëjtën përgjegjësi nuk e ndeshim te kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve. Neglizhenca e disa prej tyre në shërbimin ndaj komunitetit është e pafalshme,”- shprehet Xhaçka.

Ora 10:04
115 familje të bllokuara në Dibër, trashësia e dëborës arrin 2 m, mungon edhe energjia

Rreth 115 familje në Ternovë të Madhe dhe Terrnovë të Vogël në Qarkun e Dibrës që prej 10 ditësh janë të bllokuara. Mësohet se në këtë fshat trashësia e dëborës arrin deri në 2 m, duke sjellë izolimin e banorëve, ndërsa mungon edhe energjia elektrike. Po ashtu bëhet e ditur se në fshatin Ostren ka pasur raste të urgjencave shëndetësore, ndërkohë që në zonë mungojnë mjekët. Temperaturat gjatë natës në Qarkun e Dibrës kanë shënuar -12 gradë, kjo e regjistruar në Bulqizë, ndërsa trashësia e dëborës në qytetet Peshkopi dhe Bulqizë i kalon 70 cm. Mes të tjerash bëhet e ditur se aksi nacional Peshkopi-Tiranë në disa segmente kalohet me vështirësi pasi është prezenca e akullit në rrugë. 

Ora 09:23
Dëbora në Kukës arrin mbi 1 m, probleme në rrugët rurale

Trashësia e dëborës në zonat rurale të Kukësit i kalon 1 m. Emergjencat Civile kanë njoftuar situatën e fundit në të gjithë qarkun. Rrugët nacionale, Rruga e Kombit e kalueshme pa zinxhirë, rrugët nacionale Kukës janë të kalueshme pjesërisht me zinxhirë. Rruget nacionale Hasjane te kalueshme pa zinxhirë. Rrugët nacionale Tropojë jane të kalueshme pa zinxhirë. Gjithsej nga firmat kontraktore janë vënë në punë për kriposje 19 mjete. Sa i takon rrugëve rurale janë të blokuara Njësia Administrative Arren, Zapod, Kalis dhe një pjesë e rrugëve të fshatrave të thella të Nj. Ad. të Surrojt, Malzi, Bicaj e Bushtricë. Është hapur rruga që lidh Nj. Ad. Gryke-Qaje me rrugën nacionale dhe rruga që lidh Kukësin me Shishtavecin dheTopojanin. Në Tropojë janë të bllokuara fshatrat e lartesive të NjA Lekbibaj. Mjetet qe po punojne per hapjen etyre jane 4 borepastruese e 3 Fadroma. Bashkia Has: Të gjitha rrugët rurale janë të hapura. Sa i takon furnizimit me energji elektrike, me përjashtim të 5 fshatratrave të Njësisë Administrative Malzi si Shemri, Petkaj, Dobrush, Gdheshte, Pistë NjA Malzi dhe Fshati Mamez Nj Ad. Kolsh B.Kukes, i gjithë qarku furnizohet rregullisht. 

Ora 09:14
Reshjet e dëborës dhe ngricat/ ARRSH: Kjo është gjendja e akseve rrugore sot, ku nevojiten zinxhirët

Reshjet e dendura të dëborës dhe ngricat kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve në akset nacionale. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton sot se situata është përmirësuar ndjeshëm dhe se të gjitha akset nacionale janë të kalueshme. Megjithatë, ARRSH iu bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të bëjnë kujdes nga ngricat në disa segmente rrugore si dhe të përdorin zinxhirët në Fushë Bulqizë të aksit Skuraj-Peshkopi, Qafë Shllak, Lunik-Steblevë, Krujë-Sarisalltik, Trau i Dajtit, Teleferik, Antenat, Vilat Qeveritare. Qafë Priskë-Shengjergj dhe Qafe Priskë-Qafë Mollë.

ARRSH Gjendja e akseve kryesore të vendit
Kompanitë e mirëmbajtjes kanë punuar gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugës nga bora dhe shpërndarjen e kripës. Në Rajonin Jugor qarkullimi bëhet pa zinxhir. Në Rajonin Verior: të gjitha akset e Tropojës qarrkullimi bëhet pa zinxhir. Kukës-Bushtricë pjesërisht me zinxhir. Domaj-Draj-Rec me zinxhir.

Në akset e qarku Dibër po punohet per hedhjen e kripës, kalimi bëhet me zinxhir, ose pjesërisht me zinxhirë në segmentet Kuben-Vasije, Peshkopi- Qafë Drajë, Ura Cerenecit-Steblevë, Qafë Bualli-Krastë, Burrel-Komsi.

Bulqizë-Fushë Bulqizë kjo pasi era të forta bëjnë grumbullimin e borës në rrugë. Skuraj-Peshkopi është i pastruar nga bora dhe kalimi bëhet pa zinxhir, vetëm një pjesë e këtij segmenti në Fushë Bulqizë ku bëhet grumbullimi i borës në rrugë, rekomandojmë perdorim të zinxhirëve. Në rajonin Qendror qarkullimi bëhet me zinxhir në segmentet rrugore, si: Qafë Shllak, Lunik-Steblevë, Krujë-Sarisalltik, Trau i Dajtit, Teleferik, Antenat, Vilat Qeveritare. Qafë Priskë-Shengjergj. Qafe Priskë-Qafë Mollë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo', avokat Beqiri për Ilir Metën: Me akrobacitë majë shtyllës do të thotë se jam i sëmurë psiqik

'Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo', avokat Beqiri për Ilir Metën: Me akrobacitë majë shtyllës do të thotë se jam i sëmurë psiqik