Reshjet e borës gjatë mbrëmjes së kaluar mbuluan disa prej zonave në lartësitë e veriut dhe juglindjes së vendit.

Fushë Arrëz, trashësia e borës në Qafën e Sharit kaloi 50 centimetër, duke shkaktuar bllokimin e segmentit rrugor Kryezi – Iballë, si dhe të fshatrave që lidhen me qendrën e njësisë administrative. Për hapjen e rrugës kryesore bashkia Fushë Arrës angazhoi një mjet borëpastruese.

Akset nacionale të Pukës dhe Fushë Arrëzit u pastruan gjatë natës nga kontraktorët.

Reshjet intensive të borës gjatë natës kanë bllokuar edhe segmentin rrugor Krujë – Qafë Shtamë, duke shkaktuar izolimin e përkohshëm të shumë fshatrave të njësisë administrative Cudhi.

Qarkullimi po vijon normalisht edhe në Rrugën e Kombit. Autostrada është hapur në të gjithë gjatësinë, duke mundësuar qarkullimin pa rrezik përgjatë saj, teksa probleme me qarkullimin ka në fshatrat e thella të Kukësit.

Dibër, trashësia e borës arriti deri në 40 centimetër. Rruga e Arbrit raportohet e kalueshme, teksa autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga Qafa e Buallit deri në tunelin e Murrizit.

Në akset Peshkopi – Kukës dhe Ura e Çerenecit – Steblevë – Librazhd është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve.

Teksa janë hapur rrugët drejt njësive administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, 8 mjete borëpastruese po punojnë për zhbllokimin e disa fshatrave të izoluara në bashkinë Dibër.

Si pasojë e reshjeve të borës u shënuan ndërprerje të energjisë elektrike në njësitë administrative Lurë, Selishtë, Kala e Dodës dhe disa fshatra të Sllovës.

Reshjet e borës mbuluan gjatë natës edhe rajonin e Korçës, por fatmirësisht pa shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor, falë edhe ndërhyrjes së shpejtë për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:17
25 kilometra trafik! PAMJE me DRON nga qarkullimi i bllokuar në rrugët e Dajtit

Fotografi dhe operatori i njohur në rrjetet sociale, Erald Halili, ka shpërndarë disa pamje të realizuara me dron të trafikut kilometrik që u krijua ditën e sotme në rrugët e malit të Dajtit, pas dyndjes së mijëra vizitorëve për të kaluar fundjavën në destinacionin piktoresk të zbardhur nga dëbora në Tiranë.

Në video, Halili informon se autokolona e krijuar nga qarkullimi i bllokuar arrinte deri në 25 kilometra.

Ora 17:09
Trafik kilometrik në rrugët e Dajtit të zbardhur nga dëbora, vizitorët kryeqytetas ‘pendohen’ për udhëtimin

Dajti i zbardhur nga reshjet e dëborës është kthyer në destinacion edhe më tërheqës për banorët e Tiranës këtë fundjavë.

Për shkak të fluksit të lartë të vizitorëve, rrugët që të çojnë në malin e kryeqytetit janë të bllokuara thuajse plotësisht nga trafiku kilometrik.

Jo vetëm udhëtimi drejt malit të zbardhur nga dëbora, por edhe kthimi pas vizitës është një fazë sfilitëse për turistët kryeqytetas.

Ora 11:50
Reshje të dendura dëbore në fshatin Shëngjergj, aksi rrugor i hapur! Thirrje shoferëve për kujdes të shtuar

1768128603_shengjergji.jpg

Aksi rrugor Qafë Priskë – Shëngjergj, i cili ishte i mbuluar nga bora, është pastruar dhe është trajtuar me kripë për të mundësuar qarkullimin e automjeteve.

Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe mundësisë së ngricave,Bashkia Tiranë i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë gjatë lëvizjes dhe të sigurohen që automjetet të jenë të pajisura me zinxhirë dëbore për gomat, me qëllim shmangien e aksidenteve.

Ora 10:34
50 centimetra borë në Qafën e Sharrit, bllokohet aksi Fushë-Arrëz-Iballë

 

Reshjet e dëborës kanë bllokuar segmentin rrugor Fushë-Arrëz-Iballë.

Trashësia e saj ka arritur 50 centimetra në Qafën e Sharrit. Të gjithë rrugët lidhëse mes qendrës së Iballës dhe fshatrave janë të bllokuara.

Ora 10:26
Reshje dëbore në Malësinë e Krujës, bllokohet aksi Krujë-Qafështamë! Izolohen disa fshatra

 

Reshjet e dëborës të rëna gjatë natës në Malësinë e Krujës kanë bërë që trashësia e dëborës të shkojë deri në 25 centimetra. Për pasojë është bllokuar aksi rrugor Krujë-Qafështamë si dhe fshatrat në zonë kanë mbetur të izoluara.

Ora 07:34
Rikthehen reshjet e dëborës në Rrugën e Kombit, hidhet kripë në të gjithë aksin! Autoritetet apel për përdorim të zinxhirëve

 

Mbrëmjen e së shtunës, në Rrugën e Kombit janë rikthyer reshjet e borës, të cilat në këto momente kanë pushuar. Sipas kompanisë mirëmbajtëse, qarkullimi i mjeteve ka qenë normal dhe nuk është shënuar asnjë incident.

Rruga paraqitet e pastër dhe po hidhet kripë në të gjithë gjatësinë e saj, pavarësisht se bora ka rënë me intensitet të lartë. Autoritetet këshillojnë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të përdorin goma dimërore dhe mjete antirrëshqitëse.