Vizita në Itali, Veliaj: Projekte në fushën e ndriçimit dhe transportit publik me bashkinë e Veronës

Bashkia e Tiranës dhe ajo e Veronës do të konkretizojnë shumë shpejt dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e transportit publik dhe ndriçimit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë të shkurtër në Itali, me ftesë të kryebashkiakut të Veronës, Federico Sboarina, me të cilin diskutoi mbi thellimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe për pjesëmarrjen e prodhuesve shqiptarë në eventin më të madh ndërkombëtar të verës, "VinItaly". Veliaj u shpreh se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Veronës do të vijojë me modernizimin e flotës së autobusëve.

Po studiojmë mënyrën se si edhe me ndriçimin e qytetit, edhe me transportin publik, të ecim përpara. Ashtu siç kam premtuar, nëse privatët nuk do modernizojnë flotën e mjeteve, duke i kthyer ato në elektrike, bashkëpunimi me Veronën është prova konkrete që kemi nisur për të zëvendësuar shumë prej linjave private. Ashtu siç bëjmë më mirë pastrimin e qytetit, ashtu do të bëjmë edhe transportin publik

Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Veronës, Federico Sboarina u shpreh entuziast për këtë bashkëpunim të ri me Tiranën, të cilën e vlerësoi si një qytet që po rritet me shpejtësinë e dritës.

Në Tiranë pata një mikpritje të pabesueshme. Munda të shoh për herë të parë një qytet me një energji të madhe, që po rritet vërtet me shpejtësinë e dritës. U takuam edhe me Presidentin e rajonit të Venetos, Luza Zaia, me të cilin diskutuam projekte të rëndësishme. Gjëja më thelbësore është se u krijua një raport i vërtetë mes dy kryetarëve të bashkive, të cilët e duan tokën e tyre dhe kështu mund të ndërtojnë së bashku diçka të rëndësishme
 

Federico Sboarina

Veliaj nënvizoi se tashmë dy qytetet kanë një histori suksesi në pastrimin e qytetit.

Shumë prej italianëve, por dhe të tjerëve që vijnë në Tiranë, shikojnë një qytet shumë herë më të pastër dhe nuk e besojnë që janë dy ente publike, në Tiranë dhe në Veronë, që bëjnë një punë me shumë cilësi të lartë. Duam që kjo të vazhdojë

Erion Veliaj

Një takim i rëndësishëm i kryetarit Veliaj ishte edhe ai me Luca Zaia, Presidentin e Rajonit të Venetos, një prej zonave më të zhvilluara të Italisë. Duke i cilësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, Veliaj nënvizoi rëndësinë e rritjes së investimeve në fushën e bujqësisë dhe turizmit. Ndërkaq, Luca Zaia, siguroi për një bashkëpunim të gjatë mes Tiranës dhe Venetos.

Më bëhet qejfi që takova kryebashkiakun e Tiranës dhe pashë dikë që do të punojë, ndaj ju uroj për këtë. Folëm për mundësinë për t’i bashkuar bashkë dy komunitetet tona në Veneto. Komuniteti shqiptar zë vendin e dytë në Veneto, ata janë integruar, janë pjesë e jona dhe e sfidave tona. Kështu që, nuk ka se si mos të biem dakord për t’u siguruar që Tirana dhe Veneto të bashkëpunojnë.

Luca Zaia

Gjatë vizitës në Itali, kryebashkiaku i Tiranës vizitoi edhe panairin “VinItaly”, i cili zhvillohet çdo vit në Fiera di Verona dhe është një vend i rëndësishëm takimi midis prodhuesve dhe blerësve. Veliaj u shpreh se ky panair është një mundësi fantastike për të inkurajuar bizneset dhe sipërmarrjet shqiptare në zonat rurale për t’u përfshirë në prodhimin e verës.

 Patëm një privilegj të veçantë që gjatë panairit, i cili është panairi më i madh i verës, të takonim disa nga ata që bëjnë biznes në Shqipëri. Është e nevojshme të inkurajojmë edhe sipërmarrjet shqiptare që merren me vreshtari, se si mund të bëhen pjesë e këtij tregu”

Erion Veliaj

 

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)