‘Zonjat që bëjnë Shqipërinë’ në Report TV/ Marie Thérèse Marchal: Në ’90-n erdha në Shqipëri si inxhiniere e ujërave, ja pse kandidova për deputete

Nga Flora Nikolla

Dhurata Hamzai

Zonjën franceze, Marie-Thérèse Marchal, të gjithë e njohin si pronaren e ëmbëltores “Buka Franceze”, por pakkush e di se ajo, në vitet ’90, ka ardhur të punojë në Shqipëri me një projekt të madh për ujërat dhe ujësjellësit. Që atëherë ajo nuk iku më nga vendi ynë. Ajo rrëfen se gjendja e ujërave në atë kohë ishte shumë e rëndë.

Maria Marshall është edhe shtetase franceze, edhe shtetase shqiptare. Ajo e nisi biznesin e quajtur “Bukë dhe ëmbëlsira franceze” në vitin 2000 në qendër të kryeqytetit shqiptar, ku administron edhe “Hotel de Paris”.

Gjatë intervistës për emisionin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, Maria rrëfen se i pëlqen sfidat e guximshme dhe tenton të japë përvojën dhe ndihmën e saj për Shqipërinë, por edhe të japë ide për zhvillimin e biznesit shqiptar.

Ajo qëndron vet në Shqipëri dhe fton edhe shqiptarët e mërguar të rikthehen.

“Unë kam thënë gjithnjë që duhet të rrinë më shumë njerëz këtu në Shqipëri. Ata ikin jashtë, por përsëri edhe jashtë ka probleme.”, shprehet ajo.

Marie Marchal, një grua sharmante, e ditur dhe energjike, nënë e 5 fëmijëve, tashmë të rritur e profesionistë të shkëlqyer në fusha të ndryshme të jetës, përpiqet të sjellë një pjesë të shijes dhe kulturës franceze në Tiranë. Por veç kësaj ajo ka dëshirë të jetë protagoniste në politikën shqiptare. Ajo kandidoi për deputete në zgjedhjet e 2011-s. Mike e ish presidentit Nicolas Sarkozy  dhe disa personaliteteve të njohur franceze, Marie përpiqet t’i shfrytëzojë këto njohje, për t’i sjellë ndihmesë vendit tonë.

Shqipëria një vend që u çlirua i fundit në Europë nga diktatura komuniste, shpesh bëhet pengesë e projekteve dhe ideve që kanë frymë evropiane. Megjithatë, Marie Marchal rrëfen se nuk i ka reshtur kurrë përpjekjet e saj për të qenë sa më e dobishme për Shqipërinë, vendin me shumë probleme, ku ajo me gjithë zemër vendosi të kalojë një pjesë jo të vogël të jetës së saj.

Intervista

Si jeni lidhur me profesionin tuaj? Historia e jetës suaj në profesion dhe si kaluat nga profesioni juaj fillestar në atë që ju bëni sot?

Atëherë, në përgjithësi çdo gjë është nisur si inxhiniere ndërtimi për problemet e ujit të pijshëm në Shqipëri dhe ngadalë-ngadalë kam hyrë në profesion tjetër sepse kam parë se për çfarë ka nevojë në Shqipëri, si është, si shfrytëzohet. Unë mendova të hap një sallon çaji për të provuar disa specialitete franceze. Kështu e kam filluar profesionin që kam tani.

Disa detaje për fillimet. Si u lidhët ju me inxhinierinë e ujërave?

Pas një udhëtimi që kam bërë në Shqipëri në vitin 1990, unë pashë që kishte disa probleme me ujin, më saktë me kanalizimet se ujë kishte plot. Shkova në Francë dhe provova me disa kompani që të vij në Shqipëri dhe në fund e gjeta një kompani që pranoi. Punën e filluam duke rregulluar e duke këshilluar disa ndërmarrje ujësjellësi edhe në Tiranë, edhe në Durrës, megjithëse në mes të punës kam studiuar nga pak Shqipërinë, pashë se kishte nevojë për disa gjëra. Ngadalë-ngadalë, kur mbarova pjesën e këshilltares për problemet e ujit, unë mendova që nuk do të largohesha dhe kisha idenë për të hapur diçka me specialitete franceze. Kisha një vëlla që ishte specialist pastiçerie në Francë, ishte nr. 1. Edhe e provova ngadalë-ngadalë. Hapa një dyqan të vogël me disa specialitete që u pëlqyen shumë. Dhe kështu vazhdova.

Si e shikoni sot biznesin tuaj dhe biznesin shqiptar në përgjithësi? Çfarë doni të ndryshoni e të rregulloni? Çfarë kritikash e sugjerimesh keni?

Unë kam 20 vite që e kam hapur këtë biznes. Unë mendoj se ka pak probleme ekonomike, d.m.th. që njerëzit nuk konsumojnë aq shumë sa kanë konsumuar. Ka probleme të ndryshme. Ne kemi parë që bëjmë mall të mirë, por lëndës së parë që ne blejmë i është rritur çmimi, ndërsa unë nuk e kam ngritur çmimin e produkteve. Ka një problem për të gjithë biznesin ushqimor tvsh-ja prej 20% është shumë. Unë mendoj që duhet ulur sepse duhet marrë në konsideratë që kemi humbje, p.sh. unë nuk shes një ditë, nuk e prezantoj përsëri me klientin, nuk kam mundësi, për mua nuk mund, ndoshta në vend tjetër e bëjnë, por unë nuk mund. Kjo bën që unë të humb afërsisht 300-400 euro çdo muaj. Atëherë kjo duhet marrë në konsideratë. Ka edhe ekzagjerime, por duhet një kontroll ose një konsideratë për të ulur taksën nga 20%. Unë kam një fqinj kosovar dhe ka tatimin në masën 8% për çdo mall ushqimor. Kjo është një gjë shumë e mirë sepse kemi një tolerancë. Kjo është diçka që është pak e vështirë. Pastaj për klientët ne bëjmë më të mirën me aq sa kemi mundësi. Pastaj varet edhe nga shijet e njerëzve, se çfarë preferojnë për të ngrënë, preferojnë diçka të mirë, të veçantë apo një gjë tjetër. Pastaj është në dorën e klientëve.

Kjo pak a shumë është historia deri tani.

Si e shikoni ju biznesin? Përveç taksës, cilat janë karakteristikat që e karakterizojnë biznesin sot, në përgjithësi? Çfarë doni të ndryshoni, përveç taksës, sepse keni jetuar në dy kohë, në kohën kur keni ardhur dhe tani që kanë ndryshuar gjërat.

Sigurisht që përpara, kur erdhi demokracia, ka pasur eufori dhe njerëzit fitonin lekë. Dhe është e vërtetë që lekun e kanë fituar me një mënyrë jo të rregullt. Tani është shumë më ndryshe sepse njerëzit që ishin mësuar me një mënyrë tjetër, tani janë pak më të shtrënguar. Vetëm se unë shikoj që ka më shumë diferenca tani me njerëz që kanë shumë mundësi ose kanë shumë para, me të tjerë që nuk kanë shumë. Përpara ka qenë një nivel mesatar dhe tani është pak vështirë. Unë shoh shumë njerëz që e kanë shumë të vështirë, nuk arrijnë dot shumë. Atëherë duhen ndihmuar pak më shumë njerëzit që duan të marrin pak frymë dhe që nuk mendojnë vetëm për të ikur, se ka shumë që ikin jashtë dhe për këtë më vjen keq sepse një vend për të përparuar ka nevojë për çdo njeri. Tani unë nuk i kam në dorë këto gjëra, por flas vetëm për ato që shikoj dhe sugjeroj. Kjo është një ide nga pozicioni ku unë jam.

Si intelektuale, çfarë mendoni se keni sjellë në jetën shqiptare?

Unë mendoj se u kam mësuar shumë gjëra njerëzve, jo vetëm personelit por edhe atyre që kanë ardhur këtu sepse kanë marrë disa mënyra se si mund të veprojnë. Kjo më pëlqen shumë sepse kur kopjojmë diçka, duhet të kopjojmë diçka të mirë. Unë kam thënë gjithnjë që duhet të rrinë më shumë njerëz këtu në Shqipëri. Ata ikin jashtë, por përsëri edhe jashtë ka probleme. Edhe në Francë apo në vende të tjera ka probleme. Është më mirë të ushqehemi më pak këtu por të jemi bashkë me familjen, se sa të shkojmë jashtë. Tani unë i kuptoj që disa duan të ikin për shkollim, por njoh shumë që janë kthyer përsëri. Për ata që kanë një profesion, sugjeroj që ta provojnë edhe një herë këtu sepse edhe këtu kemi nevojë për njerëz me profesione, jo vetëm për njerëz të shkolluar e të diplomuar. Ka njerëz që janë të diplomuar por që nuk janë të gëzuar. Kjo është ideja ime, që njerëzit të përpiqen këtu.

Në kuadrin e projektit “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, çfarë nisme mendoni të merrni në ndihmë të komunitetit apo në ndihmë të biznesit? Keni menduar diçka, jo vetëm materialisht?

Që nga fillimi kam pasur ide për disa gjëra, por kanë dalë probleme. Unë nuk mund të di çdo gjë, por kam një eksperiencë dhe një mendje që vjen nga jashtë është tjetër gjë nga ajo këtu. Kisha ide për të krijuar vende pune e gjëra të tjera. Kisha disa ide. Kjo është zbehur dalëngadalë, megjithëse për mua tani kryesorja është krijimi i vendeve të punës, por jo vetëm në Tiranë. Kam lexuar në gazetë që kanë bërë falas disa vizita për gratë, si mamografi, por për një javë. Pse vetëm për një javë, duhet përgjithmonë. Ne në Francë e kemi falas. Çdo gruaje i vjen në shtëpi një letër ku informohet se ka për të bërë vizitën falas sepse shëndeti është kryesor. Duhet të kujdesemi për shëndetin. Nëse nuk kujdesemi pastaj kërkojmë për t’u shëruar jashtë. Nuk është gjë e mirë. Një vend në radhë të parë duhet t’i kushtojë rëndësi shëndetit dhe shkollimit, pastaj vijnë bizneset. Për të tjerët ndoshta ka gjëra të tjera më të rëndësishme, por për mua është shëndeti dhe shkolla, pastaj është biznesi.

Ju çfarë propozoni? Cila është nisma juaj?

Për mua do të ishte mirë që për kujdesin ndaj shëndetit të kishte disa kontrolle falas sepse ka organizma që mund të ofrojnë fonde për këtë problem sepse është problem kryesor. E dyta, për vendet e punës. Duhet të bëhet një studim sipas zonave dhe nevojave që kanë ato, që njerëzit të punojnë në vendin e tyre. Të gjithë njerëzit duan të vijnë në Tiranë dhe kështu Tirana mbushet plot dhe nuk ka punë. Pse nuk krijohen vende pune edhe në qytetet e tjera, edhe për problemet sociale. Çdo gjë është e lidhur. Këto gjëra janë kryesoret për mua, shëndet, shkollë edhe punë.

Ju personalisht, merrni përsipër ndonjë gjë?

Personalisht e kam propozuar disa herë. Kam qenë kandidate për deputete. Qëllimi ishte që të ndihmoja me ndonjë këshillë sepse unë këtu jam për propozime, vij nga Franca. Tani nuk më kanë propozuar dhe unë vazhdoj aktivitetin tim. Nëse nuk duan që të rri, edhe unë do iki atëhere, s’kam ç’bëj.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Fredi Beleri kandidat për eurodeputet me partinë e Mitsotakis, gazetari Guri: Vendimi politik, figura e tij do përdoret sikur u godit nga Shqipëria

Fredi Beleri kandidat për eurodeputet me partinë e Mitsotakis, gazetari Guri: Vendimi politik, figura e tij do përdoret sikur u godit nga Shqipëria