‘Zonjat që bëjnë Shqipërinë’ në Report TV/ Erilda Reçi që drejton Spitalin Gjerman: I sëmuri të trajtohet si pacient, jo si klient

Sot në REPORT TV u transmetua puntata e dytë e ciklit të emisioneve ‘Zonjat që bëjnë Shqipërinë’ ku në qendër ishte Erilda Reçi Selimi, që drejton Spitalin Gjerman, ndërsa bëri një premtim për pensionistët. Historia e shembullit të gruas kurajoze shqiptare në emisionin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë” në Report TV, realizohet në bashkëpunim me Albanian Excellence. Flora Nikolla, drejtore ekzekutive e Albanian Excellence e ftuar në Report Tv u shpreh se deri në 7 dhjetor, që do të kurorëzohet me çmimet që do të ndahen për zonjat në një mbrëmje gala do të ketë mjaft personazhe interesante.

Shumë njerëz më kanë telefonuar dhe më kanë dërguar mesazhe për emisionin e parë për Vera Bekteshin. Falënderoj të gjithë stafin e televizionit tuaj. Do të kemi shumë personazhe interesante. Sot vijojmë me një vajzë të re në moshë, drejton spitalin gjerman. Kemi të bëjmë me shëndetin e njerëzve, kujdesin ndaj pacientëve prandaj duhet ti kthejmë sytë nga këta njerëz. Ajo tha se të gjitha vizitat për pensionistët që bëjnë pjesë në shoqatën me të njëjtën emër do të realizohen falas. Në fund ‘Zonjat që bëjnë Shqipërinë’ do të na japin një mori aktivitetesh që do të zhvillohen së bashku gjatë vitit 2019. Sikur të tërë të bëjmë pak për këtë shoqëri do të ishte shumë. Në këtë projekt që diçka do të ndryshojmë, besoj te zonjat që kemi, tek Alba, që gjithmonë u ka paraprirë gjërave me personalitet.

Flora Nikolla, drejtore ekzekutive e Albanian Excellence

Emisioni transmetohet të martën dhe të enjten në orën 15:30 në Report Tv.

Puntata e dytë e emisionit ‘Zonjat që bëjnë Shqipërinë’
Erilda Reçi Selimi është një histori suksesi, një histori e shembullit të gruas kurajoze shqiptare. Një zonjë e re në moshë, mjeke në profesion, që kur ishte studente, ajo ka qenë e pasionuar pas artit të shërimit të pacientit. Falë pasionit e dashurisë për profesionin, Erilda Reçi - edhe pse është ende shumë e re – me punë e këmbëngulje i ka kapërcyer kufijtë e së pamundurës. Vendosi të sfidojë tregun farmaceutik më problematikun në vendin tonë.

Kështu pa u ndalur e pa i thënë asnjë pune jo, Erilda Reçi ka shfaqur aftësi të jashtëzakonshme në drejtim e në administrim

Gjithashtu, ajo udhëhiqet gjithmonë nga vizioni dhe idetë në ndryshim në drejtimin e Spitalit Gjerman në Tiranë, duke gjetur rrugë të reja në diagnostikimin dhe shërimin sa më efikas të pacienteve.

Deviza e saj ka qenë e do të jetë se “i sëmuri duhet të trajtohet si pacient, jo si klient.” 

Vizionare dhe e vendosur si administratore e spitalit gjerman, me një eksperiencë të shkëlqyer prej një dekade në fushën farmaceutike, Erilda Reçi premton se ka shumë për të bërë për njerëzit e vendit të saj, për Shqipërinë.  Në dorë ka një projekt të madh, që inspirohet nga dashuria për gjyshërit e saj. Në Spitalin Gjerman që ajo drejton do t’ju bëj një shërbim cilësor dhe një vlerësim të mirëfilltë kardiologjik të gjithë pensionistëve që janë anëtarë të shoqatës.  

Erida Reçi është një histori suksesi që të bënë të besosh gjithmonë e më shumë në fuqinë e gruas për ndryshimin dhe modernizmin e shoqërisë shqiptare.

Intervista
Erilda si je lidhur me profesionin e mjekësisë? Si kalove te menaxhimi? Cilat janë kujtimet e tua të para me këtë profesion?
-Atëherë, ëndrra e madhe e çdo studenti për t’u bërë një mjeke, pse jo një mjeke e shkëlqyer, sigurisht që preku edhe telat e zemrës sime. Investova për një periudhë relativisht të gjatë, prej 6 vitesh, si të gjithë studentët e tjerë dhe u diplomova në mjekësi të përgjithshme. Pasi përfundova studimet për mjekësi të përgjithshme, u përballa me një treg pune, i cili sigurisht që nuk ishte i thjeshtë, ishte tepër sfidues, por sikundër mua më pëlqejnë shumë sfidat, vendosa të sfidoj veten dhe aftësitë e mia në një treg që ishte jashtëzakonisht shumë i madh, një treg siç është tregu farmaceutik, një treg shumë i bukur, me adrenalinë të pafundme, me një adrenalinë që në fund të fundit i përshtatet shumë mirë karakterit tim. I gjithë informacioni që unë kisha nga Fakulteti i Mjekësisë më ndihmoi shumë për të hedhur hapat e parë, të cilët ishin hapa shumë të rëndësishëm për mua dhe më tej filluam një punë të jashtëzakonshme me stafin e një kompanie që tashmë është lider në tregun shqiptar, kompania farmaceutike CFO Farma.

Përse zgjodhët tregun farmaceutik?
-I gjithë ky bagazh i mbledhur gjatë viteve të studimit, sigurisht që kishte nevojë për të shpërthyer dhe ku mund të shpërthente më mirë se sa në një treg si tregu farmaceutik, i cili të dhuron adrenalinë pa fund dhe njohuri të jashtëzakonshme, lidhur me të gjithë tregun e barnave në botë, jo vetëm në Shqipëri. Sigurisht që kjo sfidë shërben për të mësuar shumë, gjithnjë e më tepër dhe ky angazhim i imi me menaxhimin e tregut farmaceutik më ka shërbyer në çdo drejtim dhe në çdo dimension, si në atë personal, ku sigurisht që janë vlera të shtuara nga e gjithë kjo punë e bërë ndër këto vite, ashtu edhe në aspektin profesional, ku rritja profesionale në këtë fushë është me të vërtetë shumë e shpejtë dhe shumë e vlefshme dhe në fund të një periudhe, mund të ndjesh dhe mund të prekësh realisht rezultatet e kësaj pune. 

Fillimi sigurisht që ishte i vështirë. Unë kam hyrë në tregun farmaceutik në një moment kur tregu kishte shumë kaos dhe kishte shumë problematika. Pastaj angazhimi im personal, me një skuadër timen tashmë në menaxhim, bëri të mundur që të zhvillonim rezultate shumë të mira pune, kjo duke qenë gjithnjë e më tepër pranë mjekëve, me produktet më të reja të importuara që vinin në Shqipëri. Dhe ishte pikërisht puna e jashtëzakonshme që bënte ekipi ynë çdo ditë, duke u paraqitur pranë mjekëve, në institucione të ndryshme ku kudo ata ishin, qofshin private, qofshin publike, ku jepej informacioni i detajuar lidhur me produktet më të reja, të cilat ishin në treg dhe vlerat që ato përfaqësonin në fund, për të dhënë një shërbim më cilësor për pacientët shqiptarë. Pra, është vërtet shumë bukur të punosh në një fushë, ku punon në mënyrë jo të drejtpërdrejtë me pacientët, punon me mjekët, por në fund fare rezultati përfundon në shëndetin e pacientëve. 

Çfarë do të doje të ndryshoje në profesionin tënd, dhe mënyrat e administrimit në shërbimet shëndetësor në vendin tonë?
Po, sigurisht që pas një pune prej tetë vitesh, të kryer me shumë pasion pranë menaxhimit farmaceutik, lindën natyrshëm dëshira dhe nevoja për t’u afruar dhe për t’u angazhuar gjithnjë e më shumë me profesionin.

Sikundër e thashë edhe më lart, unë jam diplomuar për mjekësi të përgjithshme, dhe pavarësisht se kjo ëndërr fjeti në sirtarin tim për rreth 10 vite me radhë, erdhi një moment që krejt natyrshëm u zgjua dhe propozimit për t’iu bashkuar drejtimit dhe menaxhimit të një spitali privat, konkretisht Spitalit Gjerman ku unë punoj prej pesë muajsh, nuk mundesha kurrsesi t’i thosha jo. Nuk mundesha t’i rezistoja kënaqësisë që do të merrja nga një punë, e cila do të më ofronte të dy komponentët, si pjesën mjekësore ku unë kam marrë edukimin përkatës, ashtu edhe pjesën e menaxhimit, e cila më shërbeu për të arritur sot deri këtu. 

Spitali Gjerman është një spital, i cili është ndërtuar prej 10 vitesh dhe punon me profesionistë të jashtëzakonshëm, që kanë një eksperiencë evropiane disavjeçare, një eksperiencë e cila përllogaritet në rreth 25 vite ndër spitalet më të mira evropiane, e cila na ndihmon që të japim një shërbim të shkëlqyer për pacientët shqiptarë. Ky është misioni ynë, të japim sa më shumë dashuri teksa japim edhe një shërbim shumë cilësor. Dhe këtë e realizojmë më së miri me stafin tonë të përkushtuar në mënyrë të jashtëzakonshme, për të arritur një mision që pacienti të dalë i shëruar.

A mund të na tregoni se çfarë do të bëni ju në ndihmë të vendit e shoqërisë shqiptare gjatë punës suaj drejtuese? 
-Në Spitalin Gjerman, që përveçse mbulon në mënyrë të shkëlqyer shërbimin në pavijonin e kardiologjisë dhe të kardiokirurgjisë dhe ka arritur të ofrojë një cilësi shumë të mirë të shërbimit ndaj pacientit, sfida ime tani është që të ofrojë gjithnjë e më shumë shërbime cilësore për pacientët shqiptarë. Kemi një sfidë për ta zhvilluar dhe për të rritur numrin e shërbimeve që ne ofrojmë, të cilat duhet të jenë në një standard më tepër se sa ekselent, sigurisht që do të shtohet.

Tashmë kjo nismë ka marrë drejtim dhe shumë shpejt ne do të kemi një ndërhyrje të parë, mini-invazive, në Shqipëri e cila do t’u ofrojë një komoditet të jashtëzakonshëm pacientëve, të cilët nuk do të kenë mundësi për të bërë operacione në zemër. Ne do të gjejmë një formë tjetër, ashtu siç ndodh në të gjithë botën, për pacientët të cilët janë inoperabël. Kjo është sfida ime personale, e cila sigurisht që do të marrë drejtim në pak ditë apo në pak javë të ardhshme. Për sa i përket të gjithë menaxhimit spitalor sfida më e madhe është që sidomos, veçanërisht për spitalet private, përveç se të japësh një shërbim cilësor, i cili është sigurisht minimumi, sfida ime dhe që sigurisht që do të gjejë një përgjigje të menjëhershme pranë ambienteve të spitalit, është që pacienti të hyjë si i tillë dhe të dalë si i tillë.

Pra, pacienti të mos trajtohet kurrë si klient. Është shumë e vështirë kjo ndarje sepse shpeshherë gabohet në menaxhimin spitalor privat, ku duke menduar së pari që ky është një biznes ngatërrohet lehtësisht pragu mes pacientit dhe klientit. Pra për ne, për mua personalisht, pacienti duhet të futet si i tillë në spital dhe duhet të dalë po si pacient, pa u ngatërruar në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij në spital, si klient, pasi kjo është pika e fortë për të dhënë një shërbim gjithnjë e më cilësor. Gjithashtu një pikë shumë e rëndësishme është të punuarit sipas protokolleve mbarëbotërore. Kështu punohet në të gjitha spitalet mbarëbotërore, me protokolle dhe me standarde. Sigurisht që shumë standarde dhe shumë protokolle kanë zbritur edhe në Shqipëri dhe kanë gjetur më së miri zbatimin, megjithatë është tejet e rëndësishme që protokollet të zbatohen me përpikëri në çdo detaj të punës ditore të një mjeku. Nëse kjo do të arrihet ndonjë ditë në Shqipëri dhe sigurisht që arrihet vetëm me punë dhe me përpjekje, sigurisht që do të prodhojë atë rezultat që prodhojnë spitalet më të famshme mbarëbotërore. 
Që kur kam qenë e vogël, kam pasur pikë të dobët gjyshërit, normalisht si çdo fëmijë, por unë e kam pasur pak më të theksuar.

Ditën që u atashova pranë Spitalit Gjerman, mendova që duhej të bëja diçka për moshën e tretë. Kërkova për të realizuar një iniciativë, një nismë timen, e cila tashmë ka arritur të përfundohet nga ana e projektit, për të dhënë një shërbim të shtuar për Shoqatën e Pensionistëve Shqiptarë. Duke qenë se Spitali Gjerman është një spital i cili përfaqëson denjësisht shërbimin kardiologjik dhe kardiokirurgjik, në të gjithë rajonin e Ballkanit, mendova që do të ishte vërtet një propozim dhe një projekt shumë frytdhënës që Spitali Gjerman të kishte mundësinë që të ofronte një kontroll kardiologjik falas për Shoqatën e Pensionistëve Shqiptarë. Direkt pasi e hodha në diskutim me stafin, ky propozim gjeti një mbështetje të menjëhershme dhe të gjithë ishin të gatshëm për të ofruar një shërbim shtesë vetëm për t’i dhënë pak dashuri dhe suport një brezi, që ndoshta, herë pas here, për shkak të rrëmujës që na karakterizon në ditët tona të lodhshme dhe të mundimshme të punës, mbetet në një plan të dytë. Pra, atë planin e dytë që ndoshta, shpesh herë, e lëmë në familjet tona, po mendojmë ne nëpërmjet Spitalit Gjerman.

Kjo nismë do të fillojë së shpejti për të dhënë shërbimin e parë për pacientin tonë të parë nga Shoqata Shqiptare e Pensionistëve. Të gjithë pensionistët do të jenë të mirëpritur në spitalin tonë, pra të gjithë ata që janë pjesë e shoqatës do të arrijnë të marrin këtë shërbim falas nga ana e spitalit. Projekti pra për t’u dhënë shërbim cilësor dhe një vlerësim të mirëfilltë kardiologjik të gjithë pacientëve, të cilët vijnë nga Shoqata Shqiptare e Pensionistëve mori udhën dhe tashmë kanë filluar pesë pacientët e parë, miqtë tanë do t’u them, me shumë përkëdheli dhe me shumë dashuri, kanë prekur spitalin tonë dhe kanë mbetur sigurisht shumë të kënaqur dhe ne jemi në pritje të të gjithë pensionistëve, deri te pensionisti i fundit, anëtar i Shoqatës Shqiptare të Pensionistëve.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • patosi: 02/11/2018 07:03

    i keni lare borxhet ju te spitalit gjerman ..uuu aman do bejne fshataret spital.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja