Vijon lufta kundër informalitetit me kontrollet në vijën bregdetare dhe jo vetëm. Kryeministri Rama mëngjesin e sotëm ka publikuar pamjet e bllokimit të një hoteli në Vlorë, pasi është kapur me shkelje. Tahmaja e madhe të lë pa gjë, thotë Rama që vijon më tej duke theksuar se toleranca do të jetë zero dhe herët apo vonë do të futen në rreshtin e ligjit.
"Koka ben koka peson dhe nuk thotë kot populli, tahmaja e madhe te le pa gje. Vazhdoni bosa vazhdoni, luani si miu me macen me shtetin e me konsumatorin, se do ta paguani me qimet e kokës këtë lojë; kush më shpejt e kush më vonë, o do futet në Rreshtin e Ligjit dhe s’do prekë lekët e popullit që ka brenda kuponi për çerdhe, kopshte, shkolla, ambulanca, spitale, o do mbetet me gisht ne goje.
ZeroTolerancë për këdo që fut duart në xhepat e njerëzve sa majtas e sa djathtas dhe prek arkën e shtetit" shkruan Rama. Prej 1 gushtit aksioni anti-informalitet është fokusuar edhe te kontrolli për të kaluar në sitë të gjitha pikat e karburanteve.