Anëtarë të dy grupeve kriminale në Shkodër, janë bërë objekt i hetimit pasuror nga Operacioni Forca e Ligjit në Policinë e Shtetit, pasi vëllezërit Lici dhe Cafi në Shkodër duhet të vetëdeklarojnë pasurinë e tyre. Të dyja palët janë me precedentë penale, kryesisht në fushën e trafiqeve, gjobëvënës dhe vrasjeve.
"Shqiptarja.com” zotëron një raport të policisë së Shtetit, që bën fjalë për të kaluarën kriminale të vëllezërve Bledar dhe Gëzim Cafi në Shkodër, që të dy objekt i hetimit nga OFL-ja. Në këtë raport thuhet se dy vëllezërit Cafi ose ndryshe Bokrri, janë të dënuar jashtë dhe brenda vendit. Por kjo nuk i ka penguar ata të ngrenë biznese në qytetin e Shkodrës.
Sipas këtij raporti, Bledar Cafi ose Bokrri, i arrestuar në Francë dhe ekstraduar në Shqipëri si pjesëmarrës në një vrasje rezulton të ketë ngritur biznese në Shqipëri, si Bar-Kafe, një kompani peshkimi në lumin Buna dhe një njësi tregtare të produkteve me shumicë dhe pakicë në Shkodër. Sipas raportit të policisë njësia tregtare është hapur në datën 6 prill 2018 në lagjen “Salo Halili” në Shkodër. Objekti i kësaj njësie tregtare është “Tregtim i artikujve ushqimorë me shumicë dhe pakicë”.
Ndërkohë që një biznes tjetër në emër të Bledar Cafit është zbuluar në Shkodër dhe bën fjalë për tregtinë e peshkut. Cafi zotëron 45% të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër. Rezulton se kjo kompani është themeluar në 10 dhjetor 2001 nga Remzi Galica, Rrok Ndoja dhe Zija Puka.