Historia e monopolit të kolaudimit të makinave, çmontohet ‘mina me sahat’ që Sali Berisha i la ekonomisë shqiptare

1 / 8
2 / 8
3 / 8
4 / 8
5 / 8
6 / 8
7 / 8
8 / 8
1 Dhjetor 2020, 09:47

Fundi i vitit 2020 do të shënojnë edhe fundin e një prej koncesioneve më të debatuara në Shqipëri, atë të shërbimit monopol të kolaudimit të automjeteve, i konsideruar si korruptiv nga socialistët që kur ishin në opozitë. Kompanisë private SGS Automotive Albania, që ofron këtë shërbim prej 10 vitesh i mbaron kontrata me shtetin shqiptar në 31 dhjetor të këtij viti, datë pas të cilës hapet rruga për liberalizimin e këtij shërbimi, ashtu siç edhe ka premtuar qeveria 'Rama'. Po cili është historiku i koncensionit të kolaudimit të automjeteve? Si u kthye në monopol ky shërbim dhe cilët janë protagonistët e privatizimit?

Koncesioni, i konsideruar si një prej 'minave me sahat' që Partia Demokratike kishte vendosur në ekonominë shqiptare, është produkt i ish-kryeministrit Sali Berisha. Në shkurt të vitit 2008, Berisha firmosi një vendim, ku caktonte Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit të realizonte procedurën e dhënies me koncesion të shërbimit të kolaudimit të automjeteve.

Pa ia kërkuar askush, SGS, me 18 dhjetor 2008, paraqiti ofertën e saj teknike dhe financiare pranë Komisionit të Procedurës Konkurruese në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Me datën 23 Janar 2009, SGS u shpall fituese në këtë procedurë. Kompania u regjistrua në Shqipëri 11 ditë pasi firmosi kontratën, me kapital zyrtar 100 lekë.

Koncesioni ishte monopolist, pasi kompania kishte të drejtën ekskluzive për të operuar në të gjithë Shqipërinë, ndërsa kontrolli teknik është një detyrim ligjor. Dretuesit e automjeve nuk kishin asnjë mundësi tjetër zgjidhjeje. Nga ana tjetër, përfitimet e kompanisë ishin 100 % në raport me kostot.
 
Në datën 6 shtator 2010, një vit pas nënshkrimit të kontratës, kompania koncensionare SGS Automotive Albania arriti të përfundonte investimin në 14 qendra ekzistuese të kolaudimit të makinave, shërbim i cili deri në atë kohë ofrohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.

Kompania ngriti edhe një qendër të re të kontrollit teknik të makinave, në Fushë-Prezë, Tiranë. Sipas kontratës, kompania duhej të investonte 4.3 milionë euro. Për të mbuluar këtë investim, kompania do të merrte tarifën e kontrollit vjetor teknik të automjeteve, e cila deri në atë kohë shkonte në buxhetin e shtetit.