Kadastra e Vlorës nuk gjen qetësi. Këtë të hënë ka dhënë dorëheqjen drejtoresha e këtij institucioni Elona Hodaj, e cila mori detyrën më 19 shtator si dhe zv/drejtori, Krenar Xhemali. Shkak i largimit të drejtuesve të Kadastrës së Vlorës është bërë një vendim i Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në Jalë.
Në 12 shkurt të 2019, Gjykata e Apelit të Vlorës ka vendosur që të vijojë regjistrimi i pronave, dhe me këtë vendim ka filluar procesi, i cili ka filluar normalisht, ku pronarët jo vetëm që kanë marrë pronën, por madje ata kanë bërë edhe shitje tek palë të treta, duke bërë që vendimi i Gjykatës së Apelit të zbatohet.


LEXO EDHE:
Trageti i linjës Vlorë - Brindisi vazhdon të penalizojë qytetarët, prefekti: Jemi konsultuar me një kompani tjetër
Por me 6 qershor, Gjykata e Lartë ka vendosur anulimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë. Drejtuesit e larguar pretendojnë se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk mund të zbatohet, pasi nuk ke çfarë të zbatosh përderisa për disa prona është ekzekutuar si vendim dhe madje janë bërë edhe veprime të tjera. Për këtë arsye ata kanë dhënë dorëheqjen.
Po këtë të martë avokati Geron Gunbardhi, shoqëruar edhe nga pronari i ligjshëm i pronës në Jalë, Kristo Gjoka shprehet se në lidhje me këtë çështje kanë bërë një kallëzim penal në prokurorin e rrethit gjyqësor Vlorë, ndaj 12 personave, të cilët sipas tij pretendojnë të marrin pronën prej 1.6 hektarë në zonën e Jalës, duke përmendur emrin e Alban Xhillari. Sipas Gunbardhit, Xhillari me dokumente false ka zaptuar tokën.
"E gjitha kjo lëvizje bëhet për një njeri i quajtur Alban Xhillari. Ne sot bashkë me zoti Kristo Gjoka, pronarin e ligjshëm të tokës që ndodhet në Jalë, në një tokë që është zaptuar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alban Xhillari me gjithë shtetasit e tjerë që ne kemi denoncuar këtu . Të cilët si nga bashkia Himarë dhe të gjitha institucionet shtetërore janë kallëzuar nga në këtë prokurori. Por për çudi të gjitha dosjet janë mbyllur se nuk ka prova. Ne sot ju drejtuam organit të akuzës. Zoti Kristo gjithë këto muaj ka qenë i shantazhuar, i kërcënuar nga organet e tjera, nga njerëz të panjohur.
Kemi vetëm një qëllim zbardhjen e të vërtetës. Po shantazhohen juristët e Hipotekës për një vendim të paligjshëm të drejtorit të ASHK-së Artan Lame. Çudia vazhdon, i kemi në dosje. Zoti Alban Xhillari ka guxuar me dokumente false që rreth 15 mijë metro katrorë dhe ka krijuar leje zhvillimi pranë KRTSH-së. Pranë kryeministrit të Shqipërisë. Pra kryeministri ka firmosur një leje me dokumente false, ku gjykata e apelit para 10 ditësh e ka rrëzuar atë dhe e ka kthyer këtë tokë shtet. Pra nuk kemi të bëjmë vetëm me një individ por kemi të bëjmë me të gjithë këto struktura shtetërore që vetëm se të zbardhin të vërtetin apo të gjejnë zgjidhje heqin drejtuesit e hipotekës dhe kjo vazhdon vetëm e vetëm që të mos shikohet një dosje dhe të çohet drejt të vërtetës.
Palët në proces janë familja e zotit Kristo Gjoka, e cila ka marrë këtë tokë të trashëguar nga të parët e tij me vendim të shkallës së apelit me vendim të formës së prerë. E ka hipotekuar. Ka bërë veprime të mëtejshme dhe pas këtij vendimi, 2 muaj më mbrapa Gjykata e Lartë është shprehur që ky vendim mos të zbatohet. Kemi një vendim që mos të zbatohet vendimi i dy muajve më parë që juristët me të drejtë e kanë zbatuar.
Vendimi i pezullimit dhe përplasja që mendoj unë të jetë e drejtoreshës së dorëhequr sot është se për çudi na ka ardhur nëndrejtor Taulant Canameti. Drejtor i agjencisë së Kadastrës Vlorë i cili vjen me 8 badigardë në Vlorë. I kemi planet e filmuara. Një nëpunës shteti me një rrogë 400 mijë lekë të vjetra vjen me 8 badigardë në Vlorë dhe gjen mundësinë para 3-4 ditësh ku drejtoresha ka qenë në Tiranë dhe merr një vendim të jashtëligjshëm. Ne për këtë i jemi drejtuar prokurorisë për zotin Taulant me akuzën shpërdorim detyre. I cili ka dhënë një urdhër të paligjshëm.
Të gjithë këto dokumente ja vumë në dispozicion prokurorisë me shpresëm se do ti bashkojnë të gjitha kallëzimet penale në një të vetëm dhe të zbardhet e vërteta. Kush është Alban Xhillari, kush fshihet pas Alban Xhillarit. Pas kësaj ne presim të përgatisim dosjen. Ne presim që të filloje SPSK-u dhe të gjithë personat të instancave shumë të larta kanë firmosur tek kjo dosje zhvillimore të pronës në Jalë. Me dokumenta fallco të rrëzuara nga gjykata e Apelit dhe kanë guxuar që të ja çojnë kryeministrit.
Jemi në urdhra të paligjshëm. Jemi në një firmë të kryeministrit që ka guxuar Alban Xhillari dhe ja ka çuar për firmë për zhvillim. Dhe për çudi marrin edhe investitor strategjik. Pra këtu nuk kemi të bëjmë me një individ të zakonshëm. Shpresoj që dosja të filloje këtu dhe për personat që kanë lidhje direkt me pushtetin" tha avokati i Kristo Gjokës. Ndërsa vetë Gjoka theksoi se "Ne kemi më shumë se 30 vjet që kemi pritur për të na u dhënë e drejta për çështjen e pronësisë. Po presim por po na e marrin pronën në derë të shtëpisë. Ka kërcënime rrugës por unë nuk i njoh. Ajo tokë është e familjes time".
Ndërkohë Gunbardhi shprehet se padi penale është ngritur edhe ndaj zv.drejtorit të kadastrës Taulant Canameti për shkak se ky i fundit kishte firmosur që vendimi i Gjykatës së Lartë të zbatohet, teksa drejtoresha Hodaj ishte në Tiranë. Për këtë disa ditë më parë, pati edhe një përplasje mes drejtoreshës së larguar, Elona Hodaj dhe zv.drejtorit, Taulant Canameti.
Hodaj anuloi vendimin e zëvendësit të saj, me argumentin se Canameti nuk ishte autorizuar për të marrë një vendim të tillë" tha Avokati Geron Gunbardhi. Kohët e fundit janë larguar tre drejtorë nga posti i Kadastrës në Vlorë. Më herët, nga agjencia shtetërore e Kadastrës u shkarkuan katër juristë të hipotekës ndërsa 19 zyrtarë të tjerë kanë marrë vërejtje.











