Tiranë – Programi Shkollat e Shekullit 21, nisma më e madhe arsimore e British Council në Ballkanin Perëndimor, u lançua sot në Shqipëri dhe pesë vende të tjera të Ballkanit.
Shkollat e Shekullit 21 është një program ambicioz trevjeçar, i financuar nga Qeveria Britanike, i cili do t’i pajisë mbi një milion nxënës të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor, me aftësi të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit. Ai synon të rrisë brezin e ardhshëm të novatorëve dhe sipërmarrësve, si dhe të ndërtojë mundësi punësimi.
21st CenturySchools ofron mentorim dhe burime të vlefshme për të ngritur kapacitetet e drejtorëve të shkollave dhe politikëbërësve.
Të gjitha shkollat e arsimit bazë në Shqipëri, si dhe në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi do të pajisen me pajisje micro:bit (mikro-kompjuterë portabël), të cilat do t’u ndihmojnë fëmijëve të mësojnë aftësi të reja digjitale dhe koduese në një mënyrë zbavitëse dhe ndërvepruese.
Ndërsa shoqëria shqiptare përballet me përfitimet dhe sfidat e nxitura nga teknologjia dhe novacioni, ky program trevjeçar synon t’i përgatisë brezat e rinj me mendësinë dhe aftësitë për profesionet e së ardhmes.
Në Shqipëri, rreth 1,200 shkolla, më shumë se 4,000 mësues dhe rreth 120,000 nxënës, mes moshës 10-15 vjeç, janë përfshirë në program.
Në aktivitetin e lançimit në Tiranë, në shkollën “Niket Dardani”, përfaqësues nga British Council, qeveritë shqiptare dhe britanike si dhe nga institucione të tjera, diskutuan sfidën e pajisjes së nxënësve në Shqipëri dhe nëvendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me aftësitë e së ardhmes.
SirAlanDuncan, Ministër për Evropën, tha në një mesazh video:
“Në emër të Qeverisë Britanike dhe të British Council, jam shumë i gëzuar që lançojmë programin Shkollat e Shekullit 21 në Ballkanin Perëndimor, sot në përvjetorin e 30 të shpikjes së internetit.
“Po e ndërmarrim diçka të tillë sepse duam ta ndihmojmë rajonin që të bëhet më i begatë dhe i qëndrueshëm. Zhvillimi i aftësive të shekullit të 21 do të ndihmojë në krijimin e brezit të ardhshëm të sipërmarrësve të teknologjisë dhe do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës. Dhe ashtu si me shpikjen e internetit, këtu e 30 vjet më parë, jam krenar që Mbretëria e Bashkuar po luan një rol themelor edhe në këtë përpjekje.”
Z. Angus Bjarnason, Drejtor i British Council për Shqipërinë
“British Council e nisi këtë program, fillimisht si një projekt pilot gjatë 2017-2018, de jemi shumë të kënaqur me rezultatet dhe reagimet pozitive nga gjithkush që u përfshi. U vu re një rritje e numrit të mësuesve që i dhanë përparësi mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në praktikat mësimore, ndërsa studentët raportuan nivele më të larta të zotësisë në kodim. Çdokush raportoi një rritje të motivimit, punës në grup dhe krijimtarisë në klasë. Mësimi u bë zbavitës. Tani me mbështetjen bujare të Qeverisë Britanike do të jemi në gjendje të shtrijmë këtë program në çdo shkollë të arsimit bazë dhe në çdo komunitet nëpër Ballkanin Perëndimor.
Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, tha:
“Ndërkohë që lëndët tradicionale si letërsia, matematika dhe shkenca kanë marrë vëmendjen themelore në përgatitjen e brezave të rinj për të ardhmen, sot me të njëjtin intensitet dhe përkujdes, po mbështesim aftësitë e së ardhmes. Këto aftësi që kanë të bëjnë me nxitjen e mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit, janë të rëndësishme jo vetëm në nivel të kurrikulës shkollore, por për çdo gjë në jetë.
Politikëbërësit në përgjithësi janë disa hapa pas zhvillimeve teknologjike, duke u munduar kurdoherë të përshtaten. Ndaj i shpreh mirënjohjen British Council që po e zbaton këtë projekt në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.”
SeanMelbourne, I Ngarkuar me Punë, Ambasada Britanike:
“Kualifikimet dhe njohuritë janë të rëndësishme”, por të rinjtë kanë nevojë të pajisen me aftësi që janë të rëndësishme jo vetëm në botën e sotme por edhe në botën ku do të jetojmë dhe punojmë në të ardhmen.
Ministrja e Arsimit të Shqipërisë dhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Britanike panë projektet nga 15 shkollat që morën pjesë në konkursin Shkollat e Shekullit 21. Dy fitues do të përfaqësojnë Shqipërinë në një konkurs rajonal në Beograd në muajin prill, si pjesë e Samitit Digjital të Vendeve të Ballkanit.
Shkollat e Shekullit 21 zhvillohet paralelisht dhe në përputhje me kurrikulën tradicionale për të mbështetur mendimin kritik për brezat e rinj, si domosdoshmëri për t’u përballur me realitetet e së nesërmes.
PËRMBLEDHJE E PROGRAMIT
Shkollat e Shekullit 21 është një program edukativ ambicioz, në vlerë prej 10 milion pound, i cili do të zgjasë tre vjet, dhe është hartuar nga British Council, dhe financuar nga Qeveria e Britanisë. Ky program do t’i ofrohet mbi një milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç të Ballkani Perëndimor, me aftësi në mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodim.
Duke u zbatuar në bashkëpunim me institucionet arsimore përkatëse në secilin vend të Ballkanit Perëndimor, nxënësit do të kenë mundësinë që të mësojnë në mënyrë zbavitëse, novatore dhe ndërvepruese.
Përpos aftësive në mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve, fëmijët do të mësojnë kodimin në mënyrë praktike dhe do të kenë mundësinë të praktikojnë aftësitë në programim kompjuterik.
Në kuadër të këtij programi secila shkollë do të fitojë një numër pajisjeve micro:bit - kompjuter xhepi me anë të të cilave nxënësit do të mund të programojnë në lëndë të ndryshme mësimore që të zgjidhin problemet e përditshme.
PËRSE E BËJMË?
Fëmijët sot përballen me një të ardhme të pasigurt. Ka një boshllëk midis aftësive që i përfitojnë në shkollë dhe kërkesave të punëdhënësve në tregun e punës, si psh. mendimi kritik, zgjidhja e problemeve dhe puna ekipore.
Përkundër numrit të madh të papunësisë në gjithë Ballkanin Perëndimor, në sektorin digjital ka shumë vende të lira pune.
Hulumtimet parashohin që punët në të ardhmen do të jenë kryesisht në sektorin e IT-së, siç janë:
Shkencëtarë dhe Analistë të të Dhënave, Zhvillues të Softuerëve dhe Aplikacioneve, Specialistë të të Dhënave të Mëdha, Specialist i Teknologjive të Reja, etj.
Pasi që perspektiva kryesore e punës në të ardhmen është në sektorin digjital, është e drejtë që fëmijët të mësojnë për mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve, si dhe kodim, dhe të kenë mundësinë që të praktikojnë këto aftësi në projekte të ndryshme ndër-kurrikulare dhe programim.
Programi ka për qëllim përmirësimin e edukimit në Ballkanin Perëndimor duke siguruar pajisje dhe trajnime për trajnues, udhëheqës të shkollave dhe mësimdhënës, duke e bërë të mundur integrimin e mënyrave të reja të mësimdhënies, si dhe mësimin e kodimit në praktikë, mendimit kritik dhe zgjidhjen e problemeve për 1 milion nxënës.
ÇFARË REZULTATE PRITEN?
Drejtorët e shkollave nga të gjitha shkollat fillore në Ballkanin Perëndimor do të kuptojnë dhe përkrahin përdorimin e metodave të reja dhe inovative në mësimdhënie si dhe do të motivojnë mësimdhënësit e tyre që ti aplikojnë ato në klasë.
Mësimdhënësit në të gjitha shkollat e Ballkanit Perëndimor do të kuptojnë rëndësinë e mësimit interaktiv, si dhe si ta zbatojnë atë, të kenë më shumë liri në qasjet e reja të mësimdhënies, si dhe të përmirësojnë bashkëpunimin e ndërsjellë me mësimdhënësit e tjerë nga Ballkani Perëndimor.
Nxënësit do të përfitojnë shkathtësi të reja, krahas aftësive në mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve dhe kodim, ata do të kenë mundësinë që të rrisin punën e tyre ekipore dhe afinitetet kreative, duke përfituar një perspektivë më të mirë për punësim në të ardhmen.
Vendimmarrësit përkatës do të krijojnë dhe zbatojnë planprogramin dhe do të inkuadrojnë masa të tjera relevante në politikat ekzistuese të cilat do të përkrahin mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin në shkollat e arsimit të mesëm i ulët.
CILËT JANË HAPAT E ARDHSHËM - AKTIVITETET E PROGRAMIT
Ky program do të ofrojë burime të cilat do të përmirësojnë aftësitë e drejtuesve të shkollave, mësimdhënësve dhe politikë-bërësve, duke transformuar mësimin klasor në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, ky program do të mbështesë nxënësit 10-15 vjeçar që të përfitojnë aftësitë dhe njohuritë e duhura për të plotësuar kërkesat e Shekullit 21.
Kjo do të arrihet me ndihmën e aktiviteteve të mëposhtme:
a) Trajnim dhe përkrahje për drejtorët e shkollave
Drejtorët e shkollave nga të gjitha shkollat fillore të Ballkanit Perëndimor do të njihen me konceptin e mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve, dhe tutje do të zhvillojnë aftësitë udhëheqëse pedagogjike në mënyrë që të përkrahin dhe inspirojnë mësimdhënësit e tyre që të integrojnë këto aftësi në mësimin klasor. Ata do të përkrahen nga mentorët si dhe nga burimet në internet. Secili vend në Ballkanin Perëndimor do të fitojë nga një shpërblim vjetor, për ato shkolla që do të mund të prezantojnë se kanë arritur të përfshijnë mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin në mësimdhënie në mënyrën më efektive.
b) Trajnim dhe përkrahje për mësimdhënësit
Përafërsisht 30,000 mësimdhënës nga shkollat e arsimit të mesëm i ulët do të marrin pjesë në programin e mëposhtëm:
o Integrimi i aftësive të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në procesin e mësimnxëniesdhe mësimdhënies
Si rezultat i këtij trajnimi, mësimdhënësit do të mësojnë se si mund të përmirësojnë dhe aplikojnë mënyra të reja në teknikat e mësimdhënies, si dhe të prezantojnë mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve në klasë.
Ata do të jenë në gjendje që të krijojnë plane aktivitetesh të ndërthurura me mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve për plan-program, dhe do të jenë më të sigurte në përgatitjen e nxënësve për jetën dhe punën në Shekullin 21.
o Integrimi i aftësive koduese në procesin e mësimnxënies dhe mësimdhënies
Mësimdhënësit do të mësojnë se si të ndërthurin aftësitë kompjuterike në praktikat e mësimdhënies nëpërmjet përdorimit të pajisjeve micro:bit, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit të aftësive koduese, si dhe si të përdorin këto pajisje në procesin e mësimdhënies përgjatë aktiviteteve kurrikulare dhe jashtëkurrikulare.
Trajnimet e lartpërmendura do të mbahen nga një ekip i trajnerëve të përzgjedhur dhe trajnuar në aftësitë themelore nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Çdo shkollë do të ketë një numër të caktuar mësimdhënësish, të cilët do të marrin pjesë në secilin trajnim dhe do të kenë mundësinë që të bashkëpunojnë, të shkëmbejnë përvoja dhe materiale nëpërmjet platformës digjitale.
c) Implementimi i programit në shkolla
Pas trajnimit, mësimdhënësit do të ndërthurin dijen dhe aftësitë e reja në procesin e mësimdhënies si pjesë të implementimit të aktiviteteve programore dhe jashtë-programore të shkollës. Në këtë
mënyrë, ata do të mund të promovojnë mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe aftësitë koduese - si tek nxënësit ashtu edhe tek mësimdhënësit e tjerë.
Trajnerët e aftësive thelbësore do të vazhdojnë t’ju japin përkrahje mësimdhënësve për të përcjellë progresin e aktiviteteve.
d) Implementimi i programit në nivel institucional
Ky program do të bashkëpunojë me politikë-bërësit në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke u siguruar se ata do të inkurajojnë shkollat fillore që të marrin pjesë në trajnim dhe të përkrahin zbatimin e mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve, dhe aftësive koduese në këto shkolla me anë të ndryshimeve përkatëse të politikave (reformimi i plan-programit, politika e zhvillimit të vazhdueshëm të mësimdhënësve, etj).
Pasi vendet e rajonit ndryshojnë nga njëri tjetri, programi do të aplikojë qasje fleksibile të përshtatshme për secilin vend, duke i’u përgjigjur nevojave dhe kapaciteteve të secilit. Kjo do të arrihet në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministritë e Arsimit nga rajoni për të definuar masat e intervenimit si dhe mënyrat e zbatimit të projektit.
Me një komunikim të qëndrueshëm, bashkëpunim dhe përfshirje të partnerëve kryesorë kombëtarë, British Council do të fillojë një proces të rishqyrtimit të vazhdueshëm dhe rishikimit të standardeve kombëtare, me qëllim të integrimit të shkathtësive thelbësore në planprogramin e shkollave fillore dhe në praktikat e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
e) Mjetet për të zhvilluar shkathtësitë digjitale tek nxënësit
Programi do të pajisë shkollat fillore me mjete për të përcjellë në mënyrë efektive tek nxënësit aftësitë e mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit. Kjo nënkupton mjetet e mëposhtme:
o Pajisjet Micro:bit
Sa u përket mjeteve teknike, projekti do të pajisë secilën shkollë me deri në 30 pajisje micro:bit, të mjaftueshme për tu përdorur nga nxënësit në procesin e mësimnxënies. Micro:bit është kompjuter xhepi shumë i vogël, i cili ju ndihmon nxënësve të fitojnë aftësi themelore në kodim dhe programim për tu përgatitur për botën e sotme të udhëhequr nga teknika. Ai përbëhet nga 25 llamba LED, një kompas të integruar dhe porta për lidhje me USB. Për të programuar micro:bit-in nxënësit duhet ta lidhin atë në kompjuterin e tyre dhe të shtojnë disa rreshta të thjeshtë kodimi për të krijuar pajisjen që dëshirojnë. Gjëja më e vlefshme që mësohet gjatë punës me micro:bit është aftësia e të mësuarit hap pas hapi dhe ndarja e komandave në hapa të njëpasnjëshëm.
o Klubet e Kodimit në shkollat e arsimit të mesëm i ulët
Dëshmi të mjaftueshme sugjerojnë se përpos zgjidhjes së problemeve dhe mendimit kritik, kodimi dhe puna në kompjuter ndihmon në zhvillimin e kreativitetit dhe aftësive bashkëpunuese.
Duke pasur këtë parasysh, të gjitha shkollat fillore po ashtu do të marrin mbështetje dhe inkurajohen që të themelojnë klubet e kodimit si punë jashtë kurrikulare. Shpërblime për projektet më të mira do të shpërndahen në baza vjetore, me ekipet shkollore nga i gjithë rajoni, të lidhura me anë të një platforme digjitale e cila do të shërbejë për të shkëmbyer njohuritë mes njëri-tjetrit.
o Burime të tjera digjitale të palës së tretë
Shkollat e arsimit të mesëm i ulët, pjesëmarrëse në programin Shkollat e Shekullit të 21-të do të ftohen në testimet provë të produkteve dhe shërbimeve nga British Council dhe partnerët e tjerë që do ti bashkohen këtij programi në të ardhmen. Këto munden me qenë aplikacione të reja, uebfaqe, dhe iniciativa të tjera të ngjashme.
f) Rrjetëzimi
Të gjitha shkollat fillore do të kenë mundësinë të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat pozitive me kolegët e tyre nga rrjeti i shkollave pjesëmarrëse të programit Shkollat e Shekullit 21. Si p.sh. platforma digjitale të përshtatura sipas nevojës, ngjarje të ndryshme si garat kombëtare dhe ndërkombëtare të kodimit.
Fondacioni Raspberry Pi, i cili drejton rrjetin ndërkombëtar të klubeve botërore të kodimit, do të mbështesë themelimin e Klubeve të Kodimit nga secila shkollë në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe do të krijojë një garë për kodim në kuadër të programit Shkollat e Shekullit 21, e cila do të administrohet nga ky rrjet.
Shkollat, po ashtu, do të ftohen të marrin pjesë në garën vjetore të Fondacionit “Micro:bit Educational Foundation” të titulluar Sfida Globale (Global Challenge), për të cilën British Council është një partner implementues global