Zv/ ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mësohet se është duke zhvilluar një takim në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ky është takimi i parë i Lleshajt me strukturat e policisë dhe në të mësohet se gjenden të gjithë shefat e komisariateve të Tiranës. Sipas burimeve të Report Tv, qëllimi i këtij takimi është forcimi i goditjes së krimit në kryeqytet.
Pas dorëheqjes së Fatmir Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm, kryeministri Edi Rama ka komanduar Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm. Lëvizja e Ramës erdhi fill pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të refuzuar dekretin për gjeneralin. Më datë 6 nëntor, Rama ka preferuar që ta shoqërojë vetë Sandër Lleshin në ministrinë e Brendshme në prezantimin me stafin. I pranishëm ka qenë edhe ish-ministri Xhafaj për t'i dorëzuar detyrën. Ndërsa pas largimit të shefit të qeverisë dhe Xhafës, ministri i ri i komanduar ka zhvilluar një takim me drejtorin e policisë së shtetit, Ardi Veliu dhe katër zv/ ministrat e Brendshëm, Romina Kuko, Rovena Voda, Besfort Lamallari dhe Julian Hodaj.
Përpara pak ditëve, presidenca njoftoi se presidenti Ilir Meta do të ndiqte një rrugë më bashkëpunuese, ku do të përfshiheshin kontaktet e vazhdueshme Presidencë-Kryeministri-Qeveri. Ishte pikërisht deklarimi i këtij qëndrimi që solli edhe reagimin e Kryeministrisë, që u shpreh në mënyrë të nënkuptuar se kryeministri Rama nuk ka ndërmend të heqë dorë nga propozimi i gjeneralit Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm. Kanë qenë pikërisht këto përplasje të vazhdueshme midis Presidencës dhe Kryeministrisë që kanë prodhuar një sërë kërkesash për dekretimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm.
Ngërci aktual që gjendet në dekretimin e Lleshajt si ministër i Brendshëm, është çdekretimi i tij si ushtarak. Ky i fundit, në një letër drejtuar presidentit Meta, ka saktësuar se ai nuk e mban statusin e ushtarakut që prej vitit 2013, kur u lirua nga detyra e zv/shefit të Shtabit të Ushtrisë. Fotot Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com











