Sandër Lleshi letër Metës: Më çdekreto, prej vitit 2013 nuk jam ushtarak aktiv

Sandër Lleshi letër Metës: Më çdekreto, prej vitit 2013 nuk jam ushtarak aktiv

Sandër Lleshi dhe Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama ka publikuar letrën e ministrit të Brendshëm të komanduar, Sandër Lleshi, drejtuar presidentit Ilir Meta. Kreu i qeverisë e ka publikuar shkresën në rrjetet sociale. Letra mban datën 12 nëntor 2018, si përgjigje ndaj 14 pyetjeve që kreu i shtetit Ilir Meta i drejtoi Ministrisë së Mbrojtjes në datën 9 nëntor.

"Ja edhe kërkesa e zv.ministrit të brendshëm, Sandër Lleshi, për Presidentin e Republikës. Tani Presidenti është i lirë të zgjedhë intepretimin që do dhe në njërën rrugë a tjetrën, ta mbyllë procesin me dekretimin e ministrit të brendshëm, siç i'a kërkon Kushtetuta e Shqipërisë", shkruan Rama. 

Në letrën drejtuar Metës, Lleshi saktëson se ai nuk mban statusin e ushtarakut prej vitit 2013, kur u lirua nga detyra e zv/shefit të Shtabit të Ushtrisë, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes së kohës Arben Imami dhe dekret të presidentit të atëhershëm, Bujar Nishani. Lleshi sqaron se në vitin 2013 ka marrë detyrën e këshilltarit për Sigurinë pranë kryeministrit, të cilën e ka mbajtur deri në datën 27 tetor 2018, kur është emëruar zv/ministër i Brendshëm. Ai i kërkon Metës ta çdekretojë nga statusi i ushtarakut. Në përfundim, në letrën drejtuar Metës, Sandër Lleshi deklaron se heq dorë nga riveshja e uniformës.

Letra e Sandër Lleshit për Metën: 
"...Ndërkohë që zhvillohej procesi gjyqësor mbi lirimin tim nga Forcat e Armatosura, prej shtatorit 2013 kam filluar të ushtroj detyrën e këshilltarit për sigurinë pranë kabinetit të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, detyrë që e kam mbajtur deri më 27 tetor 2018, me marrjen e detyrës së zëvendësministrit të Brendshëm. Në kuptimin tim dhe të mbrojtësve të mi ligjorë, vendimi gjyqësor i formës së prerë i dhjetorit 2017, me qëllim rregullimin e pasojave që vijnë si rezultat i zbatimit të tij, më jep të drejtën, ndër të tjera për t'u riemëruar si ushtarak aktiv në FA, me një dekret të ri të Presidentit, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe për të rimarrë gradën dhe pozicionin e mbajtur para dekretit të kundërshtuar gjyqësisht. Për këtë qëllim, në vitin 2018 i kam kërkuar ministrit të Mbrojtjes nxjerrjen e akteve të cilat do të mund të rregullonin pasojat e shkaktuara nga dekreti i presidentit mbi lirimin ti, i shfuqizuar gjyqësisht. Ministria e Mbrojtjes në kushtet e kundërshtimi të vendimit të Gjykatës së Lartë ka vazhduar të më konsiderojë gjyqëfitues në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor. 

Deri në momentin e daljes së këtyre akteve, unë kam cilësinë e gjyqëfituesit, por jo të "ushtarakut aktiv", siç parashikohet si nga neni 2 i ligjit nr.9210 datë 23.3.2004, të ndryshuar, "Mbi statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë", i cili qartësisht lidh rolin e ushtarakut aktiv si një person që "shërben" në FA, mban uniformën dhe ka detyrime të tjera të parashikuara në këtë ligj dhe në legjislacionin e zbatueshëm në fuqi, ashtu edhe nga ligji nr.54/2014, "Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura", ku saktësohet se: "Ushtarak aktiv i FA është shtetasi i titulluar oficer, nënoficer, ushtar nga autoriteti kompetent, që bën betimin ushtarak dhe shërben në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura".

Në linjë me këtë interpretim është edhe fakti se unë kam ushtruar detyrën e këshilltarit politik pranë kryeministrit, detyrë e cila, në zbatim të drejtpërdrejtë të nenit 167 të Kushtetutës shkakton papajtueshmëri me statusin e ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura".   

Letra e Sandër Lleshit drejtuar presidentit Ilir Meta


Lajmi kryesor:

Meta 14 pyetje për Lleshin: Një ushtarak aktiv s'mund të jetë ministër! Rama: Ja zgjidhja


  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Presidenti i Urdhrit Veterinar denoncon: Mandarinat në Shqipëri me mbetje pesticidesh të ndaluara në vendet e BE! Shkakojnë kancer

Presidenti i Urdhrit Veterinar denoncon: Mandarinat në Shqipëri me mbetje pesticidesh të ndaluara në vendet e BE! Shkakojnë kancer