TIRANE-Presidenti Ilir Meta ka zbutur qëndrimin kundërshtues për emrin e Sandër Lleshit në krye të Ministrisë së Brendshme, duke nisur bashkëpunimin Presidencë-Kuvend-Qeveri, pas ridërgimit të dekretit nga kryeministri Edi Rama. Presidenca përmes zëdhënësit Tedi Blushi njoftoi sot se Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese për figurën e Sandër Lleshit, që është ripropozuar. Gjithashtu Presidenca sqaron se kreu i shtetit ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit.

Procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi). Presidenti Meta është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç.

Tedi Blushi, Zëdhënës i Presidentit Ilir Meta

Pas deklaratës nga Presidenca, Kryeministria ka reaguar në mënyrë të menjëhershme. Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga shprehet se ‘Kryeministri Edi Rama siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do te marrë përgjigjet që kërkon lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht’. Gjithashtu Kryeministria shton se Presidenti nuk do të ketë asnjë arsye të lëkundet në bindjen e vet për respektimin e Kushtetutës dhe do ta dekretojë Ministrin e Brendshëm, ndërsa ‘Rama do të bashkëpunojë me durim e me përkushtim me Metën për ta ngjitur me sukses krisjen kushtetuese qe ka sjelle e shtuna e shkuar’.

Kryeministri i Shqiperise, Edi Rama, e pershendet perpjekjen e Presidentit te Republikes, Ilir Meta, per te kerkuar "pergjigje te qarta, te plota dhe shterruese, ndaj të gjitha çeshtjeve", qe sipas tij, Presidenti i Republikes, "nuk mundi te sqarohej heren e pare, pavaresisht nga perpjekjet e tij te vazhdueshme per bashkepunim", siç shprehet Presidenti permes zedhenesit, lidhur me dekretimin e Ministrit te Brendshem.

Duke nenvizuar se "herën e pare", Presidenti i Republikes nuk ka kerkuar asnje lloj sqarimi nga Kryeministri, perkundrazi ka qene Kryeministri qe i ka kerkuar nje takim sqarues Presidentit, pas letres se derguar nga ky i fundit per te shprehur refuzimin e paargumentuar te gjeneral Sander Lleshit, si Minister i Brendshem, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do te marre pergjigje te qarta e te plota, lidhur me pyetjet e tij te derguara shkreserisht.

Jo vetem kaq, po ne funksion te adresimit shterrues te problemit, që Presidenti i Republikes nuk e ka ngritur si problem ne biseden me Kryeministrin, por e ka ngritur shkreserisht, ne forme pyetesori drejtuar Ministres se Mbrojtjes, vetem dje, Presidenti do te marre bashke me pergjigjet edhe nje zgjidhje shterruese, e cila nuk le me asnje shteg per interpretime te asnje lloji. Per asnje pale.

Duke shprehur besimin se ne kete proces te ri, ku Kuvendi ka padiskutim fjalen e fundit pas Kryeministrit e Presidentit, Presidenti i Republikes, nuk do te kete asnje arsye te lekundet ne bindjen e vet per respektimin e Kushtetutes dhe do ta dekretoje Ministrin e Brendshem, Kryeministri i Shqiperise do te bashkepunoje me durim e me perkushtim te plote me Presidentin e Republikes, per ta ngjitur me sukses krisjen kushtetuese qe ka sjelle e shtuna e shkuar.

Deklarate e Drejtorit te Komunikimit te Kryeministrit, Endri Fuga

Ky proces bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për të tejkaluar përplasjen presidencë-qeveri, vjen në një kohë kur ambasada e SHBA në Tiranë dhe ambasadori BE Soreca kanë kërkuar një ministri të Brendshme plotësisht funksionale, duke dërguar një mesazh të qartë në presidencë për të ndryshuar kursin e ndjekur deri më tani me kreun e ministrisë së Brendshme Sandër Llleshi.

Presidenti i vendit foli për herë të parë përpara mediave, lidhur me mosdekretimin e Sandër Lleshit si ministër të Brendshëm, më datë 9 nëntor. Ilir Meta u shpreh përpara gazetarëve se të gjithë ata që e sulmojnë për firmën e tij, duhet të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e kreut të shtetit.

Pak pas deklaratës së Metës, kryeministri i vendit Edi Rama me anë të një statusi në "Twitter" shkroi se ka rifirmosur ridërgimin e kërkesës për dekretimin e Lleshit, ndërsa tashmë brenda 7 ditëve pritet përgjigja e Presidentit. Ndërkohë që, Sandër Lleshi është komanduar në postin e Ministrit të Brendshëm, pas emërimit fillimisht si zv/ ministër.