Ushqimi dhe mënyra e të ngrënit tradicional në Shqipëri në shekullin XV-XX

1 / 7
2 / 7
3 / 7
4 / 7
5 / 7
6 / 7
7 / 7
15 Prill 2018, 12:02

Përsa i përket përdorimit të perimeve në ushqimin e përditshëm të fshatarësisë, duhet thënë se kishte diferenca të mëdha krahinore. Në shumë zona malore të vendit, përdorimi i perimeve ka qenë shumë i pakët, madje edhe në ditët tona atje perimet po përhapen me shumë vështirësi. Nga regjistri osman i vitit 1485 për Sanxhakun e Shkodrës, mësojmë se në zonën e ulët të Shkodrës mbilleshin më shumë bathë e thjerza dhe fare pak qemë e spinaq, kurse në Rrafshin e Dukagjinit më shumë qepë e spinaq e pastaj thjerza e bathë. Në shekujt e mëvonshëm kanë hyrë gradualisht në përdorim bizelet e fasulet etj. Madje, ka pasë zona në Shqipërinë e Mesme ku fasulet e ziera në poçe përbënin gjellën e përditshme pothuaj për shumicën e familjeve fshatare. Aty-këtu u hidhej edhe pak bulmet.

Përsa i përket patates, ajo duket se ka hyrë në Shqipëri që në fillim të shekullit XIX, sipas F. Konicës në vitin 1805 (“Albania”, Bruksel 1898, f. 33). Por në përdorim të fshatarësisë ajo mundi të hyjë vetëm në shekullin XX e sidomos mbas Luftës së Parë Botërore. Në Shqipëri kishte zona ku rritja e perimeve ishte specialitet i fshatit apo i krahinës. Si të tillë mund të përmenden perimerritësit e Drishtit (në rrethin e Shkodrës), ata të Lunxhërisë, të Përmetit, të Leskovikut e të Korçës etj., që kultivonin lloje të shumta perimesh dhe me cilësi të lartë. Aktualisht në Shqipëri përdoren për ushqim mbi 35 lloje perimesh, sepse në shumë zona klima është shumë e favorshme për rritjen e tyre.

Për përdorimin e pemëve (frutave të freskëta ose të thara) në ushqimin e popullsisë fshatare, kemi disa dëshmi që nga shekulli XVII. Në një relacion për Zadrimën, një autor shqiptar i këtij shekulli, Frang Bardhi, më 1638, thotë se atje përdoreshin rëndom; fiq, dardha, kumbulla, shegë, si edhe pjepra e shalqinj, kurse për rrethin e Pukës ai thotë se përdornin shumë: arrat, gështenjat e sidomos boronicat. Edhe pothuaj dy shekuj më parë, sipas regjistrit osman të vitit 1485, në Malësi të Shkodrës përdoreshin si pemë: gështenja, arra, kumbulla, qershi, mollë e dardha, për të cilat merrej nga qeveria edhe tatimi përkatës.

Gështenjat rriteshin dhe konsumoheshin shumë në disa rrethe, si: Tropoja, Kukësi e Puka, ku deri vonë ka patur pyje të tërë gështenjash. Në Mirditë përdorej për të ngrënë një qull i posaçëm arrash të shtypura. Skrapari përmendej për rehaninë dhe pekmezin prej rrushi. Disa zona, si: Përmeti, Korça, Berati e ndonjë tjetër kanë qenë të përmendura për reçelrat me cilësi të lartë që i përgatisnin me fruta të stinës.

Ndër artikujt me prejardhje nga bota bimore duhet të përmendim edhe ullirin, qoftë për kokrrat e tij, qoftë për vajin që nxirrej prej tyre dhe që, deri nga mesi i këtij shekulli, përdorej si yndyra kryesore për të gatuar gjellët e ndryshme në zonat e ulta ku ai rritej.

Deri në Luftën e Parë Botërore, mjalti zinte një vend nderi në Shqipëri, megjithëse kishte kohë që gradualisht po hynte në përdorim sheqeri. Ka dëshmi dokumentare që tregojnë se në viset tona sheqeri tregtohej të paktën që në shekullin XVII: ai përmendet krahas mjaltit, në një listë ushqimesh të përgatitura për një gosti në Berat, në vitin 1689[1].

Pija më e zakonshme ishte uji. Vendi ynë ka sasira uji të mjaftueshme për nevojat e popullsisë, megjithatë ka zona me ujëra të shumta e zona mjaft të thata ku uji mungon edhe për nevojat e përditshme të familjeve fshatare, kështu që duhet transportuar nga distanca jo të vogla. Populli dallon ujë të pijshëm ose jo, ujë të lehtë ose të rëndë, ujëra që kanë shumë gëlqere e pas një përdorimi të gjatë të prishin dhëmbët (si ishte uji i Shkodrës), ujëra të cilëve u vishen veti afrodiziake etj.

Tjetër pije e përdorur gjerësisht në vendin tonë që nga koha antike e sidomos me përhapjen e krishterimit, ishte pa dyshim vera, e cila ka lidhje me përhapjen e pjergullave e të vreshtave, sidomos në Mesjetë. Duke gjykuar sipas numrit të vreshtave të shënuara në regjistrat osmanë dhe të fuçive ose enëve të tjera për mbajtjen e verës, që përmenden nëpër inventarë e testamente të ndryshme, mund të thuhet se fshatarët konsumonin sasi të konsiderueshme vere e mushti. Por dihet se, me përhapjen e fesë myslimane, konsumi i tyre erdhi duke u pakësuar. Në shekullin XVII fillojnë të duken shenjat e para të përdorimit të rakisë, të cilën F. Bardhi, më 1637 e quan “verë e mirë, e bardhë si uji, por shumë e fortë”.

Në shekujt që pasuan, kjo pije alkolike u përhap shumë dhe filloi të përgatitej jo vetëm prej rrushi, por edhe nga mani, nga kumbullat e nga fruta të tjera, duke përdorur një teknologji artizanale për distilimin e tyre. Kishte pastaj një varg lëngjesh të tjera, përdorimi i të cilave kufizohej në një zonë apo krahinë të caktuar, lidhur me prodhimet dhe traditat lokale. Mund të përmendim, bie fjala, bozën, një pije e lehtë dhe freskuese, kryesisht e Shqipërisë së Mesme, ardallin e Shqipërisë Verilindore (Dibër, Tetovë), që ishte një lëng i nxjerrë nga mollët e egra dhe i fermentuar lehtë, rehaninë e Skraparit, lëng rrushi të zier me shije pak të thartë, apo lëngje të aromatizuara, për shembull me petale trëndafili etj.

Ndër pijet e importuara që janë bërë mjaft popullore, duhet të përmendim kafenë, çajin dhe që nga viti ’30, birrën. Në shekujt XVI-XVIII, sikurse dëshmohet në disa dokumente, shqiptarët, kur uleshin për të ngrënë, shtronin përpara një mësallë të trashë prej pëlhure liri, mbi të cilën vendosnin ushqime por, në të shumtat e rasteve, përdornin sofrat e ulta prej druri. Kishte zona të thella e të varfra, që përdornin më fort tasa druri, lugë druri, enë uji gjithashtu prej druri dhe më pak enë bakri.

Kurse në shumë zona të tjera që ishin më të zhvilluara, krahas enëve prej qeramike, të glazuara ose jo, si: shtamba, bardhakë, vorbe, qypa e poçe, misurë e tasa qeramike, përdorim të gjerë kishin edhe enët prej bakri, por të kallajisura, dhe sahanë prej tunxhi. Kështu, në dokumente të shumëllojshme të kohës përmenden rëndom sahanë, tasa, tenxhere, fultere, gjyma e jamake, pastaj tava e tepsi të madhësive të ndryshme, si edhe sini “të shkrura”[2]. Më pas, e sidomos gjatë shekullit XX, ky repertor i enëve ndryshoi shumë në sasi e në cilësi, me hyrjen në përdorim të pjatave prej gresi, të enëve prej xingoje e alumini, me shtimin e enëve prej qelqi e më tej të enëve prej lëndësh plastike, të tenxhereve prej metali të paoksidueshëm etj.

Ushqimi i përditshëm nuk ishte si ai që përgatitej për raste festash të mëdha ose për mysafirë të lartë. Kështu, për shembull, në disa zona të varfra të vendit, në periudhën e kreshmëve, fshatarët hanin bukë thekre ose sorgu të shoqëruar me perime pa vaj, domethënë me qepë ose me hudhra, kurse në raste gostish hanin shumë më mirë.

Relatori M. Bici tregon se gjatë një vizite të tij në Blinisht, më 1610, kur u shtruan për të ngrënë, “sofra ishte plot me shpendë e me mish”. Kurse Fra Cherubini, më 1638, tregon se në Zadrimë fshatarët i kremtonin festat e tyre me shpenzime të mëdha “dhe shumë herë, me teprime të mëdha”, duke bërë gosti me miqtë, veçanërisht me ata që ishin martuar rishmë. Edhe në dasma bënin shpenzime të shumta dhe pastaj, në ditët që pasonin, hiqnin keq. Pjesëmarrja në festat e gostitë ishte shumë e gjerë, por edhe të ngrënët me shumicë, sidomos kur kremtonin shenjtin e kishës së tyre famullitare. F. Bardhi, më 1637, shkruan: “(në rrethin e Pukës) Festat e veta i kremtojnë me dëm të madh, sepse e kanë zakon që, së paku tre dit, t’u nxjerrin për të ngrënë e për të pirë deri në grykësi gjithë miqësisë së tyre, që u shkojnë për festë dhe mund të gjendet ndonjë shtëpi ndër ta ku shkojnë më shumë se 200 vetë. Kanë një zakon shumë të keq, rrijnë shumë gjatë në tryezë, duke filluar nga dreka, që e nisin para mesdite, e gjatë gjithë ditës e gjithë natës, deri në agim, hanë e pinë...” Sidoqoftë, dihet se teprimet në të ngrënë ishin të zakonshme, në këtë kohë edhe në popuj të tjerë të Evropës.