ELBASAN- Viktor Ymeri ose siç njihet ndryshe në Vlorë, si “Tori i Xhihanes”, ka lënë ditën e sotme qelinë e burgut të Lushnjes dhe është nisur në drejtim të Vlorës, ku një eskortë makinash e shoqëronte atë. Vendimi për lirimin e tij, është dhënë nga gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani, e cila vendosi të shuajë dënimin e Viktor Ymerit dhe të urdhërojë lirimin e tij.

Ymeri  prej vitit 1999 e deri më sot qëndronte në burgun e Lushnjes në Elbasan, pasi ishte dënuar me 25 vite burgim për vrasjen në Durrës të Arben Pajës e Ilir Xhungës, dy miqtë e Lulzim Berishës. Për këto dy vrasje Ymeri është dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, por në tetor të 2018 gjykata e Apelit Durrës, kanë vendosur dënimin e tij me 25 vite burg. Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim përjetë, pasi së bashku në qershor të vitit 1999, kanë ekzekutuar me dhjetra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Por si u liria Viktor Ymeri, në një kohë kur ndaj këtij personi, kishte mbërritur dhe një vendim penal i drejtësisë Italiane që e dënonte me 24 vite burgim për vrasjen e Gëzim Muçës dhe plagosjen e Taulant Maskës në rrugën “Via dellaTraversa del Grill” në Romë.

Ky dënim është dhënë nga gjykata e Romës në Itali dhe është njohur nga gjykata e Elbasanit, ku gjyqtar ishte Sulejman Kurti. Sipas vendimit italian Viktor Ymeri (Imeraj) allias Tomor Ncucaj, në bashkëpunim me një person tjetër, në 12 shkurt 1996, rreth orës 20:00,në rrugën “Via dellaTraversa del Grill” në Romë, ka qëlluar me armë zjarri mbi mjetin “BMW”, brenda të cilit ndodheshin Gëzim Muça dhe Taulant Maska, duke sjellë vdekjen e Gëzim Muça dhe plagosjen e Taulant Maska. Taulant Maska ka arritur të shpëtojë duke u larguar me vrap nga mjeti ku ndodhej. Veç këtij dënimi me 24 vite burg, Viktori, kishte marrë në 30 tetor 2018 dhe një dënim tjetër, të cilin thuajse e ka kryer me 25 vite burgim për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës në Durrës.

”Shqiptarja.com” mëson se të dyja këto dënime janë bashkuar në një vendim të vetëm nga gjykata e Apelit Durrës, duke bërë që përfundimisht Viktor Ymeri të lirohet përfundimisht. Edhe ditët e mbetura për të vuajtur dënimin, gjykata ja ka shuar, pasi ka përllogaritur ditët e punës që ka bërë Ymeri, brenda në burg. Vendimi për lirimin e tij, pritet të Apelohet nga prokuroria e Elbasanit, ku shanset për të rikthyer në burg Viktor Ymerin tashmë janë të pakta.

Ymeri i përket një fraksioni kriminal në Vlorë, dhe pritet që në kohët në vijim në Vlorë do ketë raste të ndodhjes së vrasje mafioze.