Euro ka mbetur e fortë në tregun vendas këtë javë, për të dytën radhazi, duke u këmbyer mbi nivelin e 140 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Monedha e përbashkët tregtohej të hënën me 140.11 lekë, për ta mbyllur javën të premten me 140.21 lekë. Edhe në tregjet ndërkombëtare, euro ka qenë e qëndrueshme, duke u mbyllur të premten me 1.3286 USD.

Nga ana tjetër, dollari ka qenë i luhatshëm në tregun vendas, duke e nisur javën në kuotën e 105.86 lekëve dhe duke  e mbyllur me 105.55, në nivele më të ulëta se java e mëparshme. Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për euro është e lartë, tashmë që tregtia ka rifilluar normalitetin, pas pushimeve të verës, ndërkohë që oferta mbetet e kufizuar.

Nga ana tjetër, gushti nuk shënoi forcimin sezonal të euros, për shkak të valutës më të pakët që po hyn në vend nga emigrantët. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë pak ditë më parë treguan se prurjet e emigrantëve ishin në nivelin më të ulët të dekadës në 6 mujorin e parë të vitit, duke rënë me 33% me bazë vjetore, në rreth 230 milionë euro. Pritet që euro të vijojë të luhatet në kufijtë e 140 lekëve në periudhë afatshkurtër.


Shkrimi u publikua sot(14.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(v.gj/shqiptarja.com)