KORÇË - Pas shumë mbledhjesh të dështuara Këshilli i qarkut të Korcës ka mundur të zhvillojë mbledhjen e parë ku kanë marrë pjesë 37 këshilltarë nga 71 në total.

Mbledhja është zhvilluar vetëm me prezencën e këshilltarëve të majtë dhe atyre të LSI të cilat kanë edhe kuorumin e nevojshëm ndërsa në rendin e ditës kanë qenë të parashtruara disa pika të cilat janë miratuar në unanimitet. 

Kështu 37 anëtarët pjesëmarrës, në mbledhje vendosën shkarkimin e kryesisë së këtij këshilli dhe emërimin e kryesisë së re.

Sipas vendimit, pjesë e Kryesisë së re të Këshillit të Qarkut Korçë do të jenë Sotiraq Filo, kryebashkiak i Korçës, Petrit Kupe, Ali Laho, Gëzim Topçiu, Ylli Muzaka, Ana Verushi, Theodhor Brehu dhe Roland Cane.

Gjithashtu janë shkarkuar nga detyra edhe drejtori i rrugëve rurale Nevion Kodrasi si dhe drejtori i rrugëve të qytetit Nexhmi Dokollari. Sipas argumentimeve në mbledhje nga ana e anëtarëve, të dy këta drejtorë, kanë treguar mangësi në kryerjen e detyrës së tyre. 

Këshilli vendosi edhe shkarkimin e sekretarit të këtij Këshilli, Bledar Demçe dhe emërimin në vend të tij të Bledi Çomos.

Pikë e rëndësishme e rendit të ditës ka qenë edhe miratimi i buxhetit për vitin 2014. Me  37 vota pro për 2014 Këshilli i Qarkut të Korçës ka parashikuar dhe miratuar të ardhurat e buxhetit në vlerën 147.6 mln lekë të reja çka shënon edhe nisjen e një pune të parashikuar në zërat përkatës mes të cilave dhe investime.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)