FIRENZE - Situata te Fiorentina po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar pas humbjes në shtëpi ndaj Hellas Verona, e nënta në 15-të raunde të Serie A. Rezultatet negative kanë vënë në diskutim të ardhmen e trajnerit Paolo Vanoli, me drejtuesit e klubit që kanë nisur reflektimet për vazhdimësinë e tij në krye të skuadrës.

Në përpjekje për të ndryshuar ecurinë, ekipi është dërguar në grumbullim pa afat, ndërsa fokusi i menjëhershëm është te ndeshja e radhës në kampionat ndaj Udineses. Para kësaj sfide, Fiorentina do të luajë edhe transfertën e Conference League kundër Losannës.

Vanoli ka marrë vetëm dy pikë në pesë ndeshje në stolin vjollcë, duke pësuar tre humbje radhazi në kampionat. Përveç rezultateve, kritikat janë shtuar edhe për qasjen taktike, sidomos për problemet në fazën mbrojtëse.

Sipas mediave italiane, presidenti Rocco Commisso po shqyrton seriozisht rikthimin e Stefano Piolit, i cili u shkarkua pak javë më parë, por vijon të ketë kontratë me Fiorentinën deri në vitin 2028.

Paralelisht, në skenë kanë dalë edhe disa alternativa të tjera për stolin, si Ballardini, Carmine Gautieri dhe Giuseppe Iachini, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në ditët në vijim.