Admir Murataj do të prehet në Tropojë, në vendin e tij të lindjes. Lamtumira e fundit, grabitësit që mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri me policinë në Rinas, do t'i jepet në orën 12:00, nesër në qytetin e Tropojës. Sot familjarët e tij morën trupin e pajetë në morgun e Tiranës, aty ku ju nënshtrua një ekspertize mjeko-ligjore. Vëllai i tij Cen Murataj, ishte bashkë me familjarë të tjerë, teksa tërhoqën trupin e të afërmit të tyre.

Admir Murataj u vra dy ditë më parë, pas një grabitje spektakolare brenda në aeroportin e Rinasit, në barkun e avionit ku po futeshin thesët me para të 4 bankave të nivelit të dytë në Shqipëri për tu transportuar drejt Vienës. Furgoni i grabitësve, që mendohet të kenë qenë katër veta, u ndoq nga policia pas grabitjes, ku pati shkëmbim nga të dyja palët duke lënë të vrarë Admir Muratajn.

Admir Murataj njihet ndryshe edhe si Admir Nikaj dhe është me origjinë nga Tropoja. Eshtë i martuar me një grua nga Berati e cila jeton me fëmijët në Prezë të Tiranës. Kanë dy vajza, njëra prej të cilave e martuar, dhe një djalë. Siç të afërm të tij tregojnë për Shqiptarja.com, Murataj kishte 18 vite që jetonte në Greqi, dhe vinte shumë rrallë në Shqipëri, vetëm gjatë pushimeve verore.

Vëllai i tij që dje së bashku me bashkëshorten e Admirit dhe të afërm të tij identifikuan trupin në morgun e Tiranës, tha se Admiri nuk është organizatori por një vegël. Sipas tij, janë shokët që e lanë në rrugë dhe e hodhën të vdekur, duke lënë të nënkuptuar se do të marrë hak, duke u përpjekur t'i gjejë vetë se kush janë bashkëpunëtorët.

Makina funerale merr trupin e Admir Muratajt