Një grabitje spektakolare ndodhi dje pak para orës 15:00 brenda në aeroportin e Rinasit, në pistën e avionit me pasagjerë të linjës që do nisej nga Tirana për në Vjenë, duke lënë të vdekur një prej grabitësve, Admir Murataj.

Admir Muarataj dyshohet të jetë personi që ka bërë rezistencë ndaj policisë, duke qëlluar me breshëri, duke mbrojtur 'shpatullat' e shokëve që mundën të arratisen në këmbë me thasët me para, për tu larguar më tej me një automjet të dytë i cili u gjet i djegur nga policia pranë Bathores.

Murataj rezultonte në kërkim edhe nga drejtësia greke për grabitje, vrasje dhe plagosje, pasi u arratis nga burgu në 2013 së bashku me 10 persona të tjerë shqiptarë.

Admir Murataj njihet ndryshe edhe si Admir Nikaj dhe është me origjinë nga Tropoja. Eshtë i martuar me një grua nga Berati e cila jeton me fëmijët në Prezë të Tiranës. Kanë dy vajza, njëra prej të cilave e martuar, dhe një djalë. Siç të afërm të tij tregojnë për Shqiptarja.com, Murataj kishte 18 vite që jetonte në Greqi, dhe vinte shumë rrallë në Shqipëri, vetëm gjatë pushimeve verore.

Vëllai i tij që sot së bashku me bashkëshorten e Admirit dhe të afërm të tij identifikuan trupin në morgun e Tiranës, tha se vëllai i tij nuk është organizatori por një vegël. Sipas tij, janë shokët që e lanë në rrugë dhe e hodhën të vdekur, duke lënë të nënkuptuar se do të marrë hak, duke u përpjekur t'i gjejë vetë se kush janë bashkëpunëtorët

Një grabitje e përgjakur, ku nga një shkëmbim zjarri me forcat e policisë që u vunë në ndjekje të makinës së autorëve pas grabitjes, mbeti i vdekur në një rrugë dytësore rreth 2 kilometra nga aeroporti, njëri prej grabitësve, i paidentifikuar deri ditën e djeshme. Nga pamjet në momentin e grabitjes pranë avionit, ai shihej të ishte tullac, me mjekër e syze, dhe veshje të forcave komando. Por vetëm në momentin që mbeti i vrarë në rrugë, pak metra larg furgonit të arratisë, policia kuptoi se ishte e gjitha një maskë silikoni në gjithë fytyrën e grabitësit me flokë. Ai u identifikua këtë mëngjes nga familjarët, dhe është pikërisht Admir Murataj, prej dy vitesh në kërkim si organizator i tre grabitjeve të tjera të bujshme të ndodhura mes viteve 2015-2017, njëra në Qafë Kashar, tjetra në rrugën për në Rinas, dhe grabitja e një banke tek "Stacioni i Trenit në Tiranë".

Teksa disa automjete të blinduara transportonin vlera të konsiderueshme monetare nga 4 banka të ndryshme në Tiranë, për t'i futur në pjesën e bagazheve, grabitësit, që dyshohet se ishin katër persona, kanë dalë nga një furgon me mbishkrim që dyshohet të jetë i falsifikuar "Hetimi Tatimor", dhe nën kërcënimin e armëve të rënda, kanë mundur të marrin nga barku i avionit thasët me para. Grabitësit kanë thyer çdo rregull të sigurisë duke u futur nga dera e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse. Kanë dalë më tej me të njëjtin furgon, ndërsa pas dhënies së sinjalit të grabitjes, një makinë e policisë që ndodhej pranë aeroportit i ka ndjekur.

Forcat e policisë ishin me masa të shtuara për shkak se në aeroport sapo kishte zbritur presidenti Ilir Meta që vinte nga Austria, ndërsa pasdite do të nisej për në SHBA Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer pas një vizite dy ditore në Tiranë.

Në përplasjen e armatosur Muarataj mbeti i vrarë, ndërsa në shpejtësi për tu arratisur bashkëpunëtorët nuk mundën të digjnin furgonin me mbishkrimin "Hetimi Tatimor", brenda të cilit u gjetën armatime të rënda, granata, tritol, kallashnikov dhe krehra me fishekë. Një alarm për sigurinë se si në aeroport arritën të futen persona që nëse do të ishte në synimet e tyre mund edhe të kishin marrë peng një avion të tërë apo edhe më keq të kishin kryer akte terrorist

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:48
Gjendet një furgon i djegur në një tunel në Tapizë (VIDEO)

Gjatë natës së sotme, në vijim të hetimeve që po kryen policia e shtetit për grabitjen e madhe në Rinas është zbuluar edhe një automjet i djegur, i cili dyshohet të jetë përdorur nga grabitësit.

Fugon i djegur u gjet në një tunel në Tapizë, i cili dyshohet të jetë përdorur nga grupi i personave që morën 10 milionë euro.

Një furgon me mbishkrimin "Hetimi Tatimor" u sekuestrua nga policia i padjegur. Furgon me të cilin u krye grabitja, por që nuk mundi të digjej nga autorët pas shkëmbimit të armatosur me policinë që ju vu në ndjekje. Një makinë e dytë me të cilët bashkëpunëtorët e tjerë u arratisën nga rruga dytësore në Rinas, u gjet e djegur pranë Bathores.

Ora 14:46
Shtetrrethim në Rinas, policia kontrolle për grabitësit në arrati (VIDEO)

Forca të shumta të Policisë prej ditës së djeshme ndodhen në zonat pranë Rinasit. Postblloqe të shumta janë ngritur, ndërsa forca të armatosura të policisë kanë nisur kontrolle në disa fshatra pranë Rinasit. Në fshatin Dritas, janë të pranishme edhe forcat RENEA, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë

Ora 12:19
FNSH rrethon Tapizën, kontroll për grabitësit e 10 mln eurove

Kontrollet ne fshatin Dritas 


Policia e Shtetit vijon operacionin në kërkim të autorëve të grabitjes së 10 milionë eurove dje në aeroportin e Rinasit. Policia ka ngritur disa pika kontrolli në Tapizë, ndërsa FNSH-ja po kryen kontrolle në fshatin Dritas duke kaluar në 'sitë' cdo automjet.

Ora 12:12
Vëllai i Muratajt: Do i gjej shokët që e lanë në rrugë Admirin, organizatori nuk vritet!

Cen Murataj, vëllai i Admir Murataj beson se Admiri mund të jetë vrarë nga vetë bashkëpunëtorët në super-grabitjen e 10 milionë eurove në Rinas. Në një prononcim për mediat nga morgu i Tiranës, ku identifikoi trupin e pajetë të vëllait, Cen Murataj thotë se Admirin e hodhën në rrugë shokët e tij. Me ndihmën e policisë ose jo, ai tha se do të interesohet për të gjetur se kush janë bashkëpunëtorët, duke lënë të nënkuptuar se mund të ketë edhe vetëgjyqësi. 

"Nuk njohim asnjërin, por do tani do t'i njohim, do interesohemi se kush janë. Shokët do i gjejë policia, por do interesohemi t'i gjejmë edhe ne. Po s'i gjeti policia do t'i gjejmë me mënyrat tona. Meqë thonë se Admiri ishte organizatori, do shohim se sa organizator është Admir Murataj. Ai është vegël. Se nga kush, do ta shohim. Organizatori nuk vritet. Do i shohim se kush janë shokët që e lanë në rrugë", tha ai.

Edhe pse ka qene ne polici ai thote se nuk ka asgje te sakte per menyren se si u vra Admir Murataj, nese e qelloi policia apo grabitesit. "Dimë që thonë që e kanë hedhur shokët e vet aty", tha Cen Murataj.

Ai thotë se ka dy vite që nuk ka komunikuar më me vëllain e tij, kohë që korrespondon me vitet e tij në arrati, dhe në kërkim nga policia. "Dy vjet ka që nuk kam komunikuar. Admiri nuk ka qenë i dënuar, ishte i hetuar, ishte në kërkim", tha Cen Murataj.

Ora 11:40
Ky është furgoni me të cilin u bë supergrabitja, targat e vjedhura (FOTOT)

Report Tv siguron fotot e furgonit me të cilin u bë grabitja dje në aeroportin e Rinasit. Furgoni me mbishkrimin e rremë 'Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve' dhe 'Hetimi Tatimor' u fut në aeroport, prej aty dolën grabitësit ku morën rreth 10 milionë euro në barkun e avionit teksa paratë transportoheshin për në avionin me destinacion Vjenën.

Pasi morën thasët me para, me këtë furgon grabitësit dolën sërish nga aeroporti, ku në ndjekje nga policia, në një shkëmbim zjarri u vra Admir Muarataj, një prej grabitëse. Ka pasur përplasje të armatosur, ku në xhamin e përparmë të furgonit shihet edhe një plumb. Plumba ka edhe ne xhamat e pasmë.

Makina u gjet nga policia rreth 2 km larg aeroportit te Rinasit, ndersa nuk u arrit te digjet nga autoret. Bashkepunetoret e tjere u larguan me shpejtesi me thaset me para, pa mundur te djegin me benzine furgonin, brenda te cilit ka shume gjurme, por edhe armatime, granata, tritol. kallashnikove, dhe krehera me fisheke.

Furgoni ka te hapur deren e pasagjerit, aty ku dyshohet te kete qene Admir Murataj, personi qe dyshohet se ka qelluar me arme ndaj policise per te mbuluar 'shpatullat' e bashkepunetoreve te cilet munden te arratisen permes nje makine tjeter, e cila me tej u gjet e djegur ne zonen e Bathores.

Furgoni eshte me targe AA248 KE, e cila rezulton te jete e vjedhur nga makina e nje personi, me inicialet O.G.

Ora 11:07
Familja identifikon në morg Admir Muratajn, gruaja largohet në lot (VIDEO)

Një ditë pas grabitjes së përgjakshme në pistën e aeroportit të Rinasit, familjarët e grabitësit që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, kanë bërë identifikimin e tij. Në morgun e Tiranës, ku trupi ju nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore dhe ju bënë analizat përmes shenjave të gishtërinjve për identifikimin e tij, familjarët kanë mbërritur aty.

Të pranishëm për të identifikuar trupin ka qenë vëllai i Muratajt dhe gruaja e Admirit, Albana e cila pas daljes nga dera e morgut është larguar në lot. Vëllai i Admir Murataj thotë se lajmin e ka marrë vesh nga mediat. Vëllai i tij u vra pas grabitjes së 10 milionë eurove në Rinas, sasi parash që do të transportoheshin me avion nga Tirana në Viene. Admir Murataj ishte i maskuar me paruke tullaci dhe me maskë në fytyrë. Identifikimi i tij mori kohë pasi ai nuk kishte asnjë mjet identifikues me vete.

 

Murataj ka qenë ende në kërkim për organizimin e dy grabitjeve të bujshme atë të në Qafë-Kashar pranë Rinasit dhe grabitjen e një banke te ‘Stacioni i Trenit’ në Tiranë, ku kanë qenë të përfshirë edhe disa ish-Komando të ushtrisë shqiptare. Admir Murataj ishte personi i vetëm që ka qenë në kërkim për grabitjet e mëhershme, ndërsa në burg gjendet dhe vëllai i tij Aleksandër Murataj.

Ora 10:48
VIDEO/ Ja cfarë furgoni përdorën autorët për grabitjen, aeroporti pa kamera

Grabitja dje në Rinas u realizua me një furgon me mbishkrimin fals 'Hetimi Tatimor'. Furgoni është i njëjtë me atë që përdor kompania 'ICTS' përgjegjëse për sigurinë në aeroport, i bardhë me ngjyra të kuqe duke mos rënë në sy. Report Tv ishte sot serish ne aeroport duke sjelle pamjet e njerit prej furgonave (ne foto me rreth te kuq) te kompanise qe eshte i ngjashem me ate qe perdoren dje autoret e grabitjes. Në zonë ka kamera sigurie, por jo në portat hyrje të pistës së aeroportit.

Furgoni i kompanise ICTS-se i njejte me ate qe perdoren autoret
Ora 10:38
Report Tv sjell pamje të tjera ku ndodhi vrasja e kokës së grupit të grabitjes

Report Tv siguron pamje të tjera nga vendi i ngjarjes ku u shkëmbye zjarr mes autorëve të grabitjes dhe policisë, ndërsa koka e grupit Admir Murataj humbi jetën. Përplasja ndodhi buzë lumit te Ura e Tapizës. Grupi hetimor po kontrollon në vendin e ngjarjes me detektor.


 

Ora 09:50
Ekspertët në vendin ku ndodhi përplasja me armë mes grabitësve dhe policisë (FOTO)
Ora 09:41
PAMJET/ Porta e aeroportit ku autorët u futën në pistë, hoqën betonin me kavo (VIDEO)

Report Tv zbardh dinamikën e grabitjes së 10 milionë eurove dje në Rinas. Gazetari Arsen Rusta raporton se autorët e kanë nisur zbatimin e planit në orën 14:45 minuta kur nis ndërrimi i turneve të stafeve mbështetëse. Report Tv siguron pamjet nga parkimi C3, ku ka dalë furgoni me mbishkrimin hetimi tatimor dhe është drejtuar duke hyrë në pistën e avionëve. 

Para hyrjes për në portën e aeroportit ka pasur barrierë betoni që është hequr nga autorët me kavo për t'u brenda. Ndërkohë që Report Tv siguron pamjet teksa është rivendosur sot sërish barriera. Pas grabitjes autorët kanë dalë nga porta tjetër afër rrugës së Tapizës. Porta hyrëse nuk ka kamera sigurie.

Ora 08:52
Profili i vrasësit/ Kapoja me 15 emra që grabiti dje 10 mln euro dhe 3 blinda para 4 viteve

Admir Murataj dhe maska që përdori gjatë grabitjes

Admir Murataj që u vra dje ishte në kërkim prej më shumë se dy vitesh si organizator edhe i tre grabitjeve të tjera të blindave me para të bankave në Rinas, dy në 2015 dhe një në 2017, teksa anëtarët e tjerë të grupit u dënuan pak ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Admir Murataj 47-vjeç njihet ndryshe edhe si Admir Nikaj dhe është me origjinë nga Tropoja. Eshtë i martuar me një grua nga Saranda e cila jeton me fëmijët në Prezë të Tiranës. Kanë tre vajza, njëra prej të cilave e martuar, dhe një djalë.

Murataj në vitin 2013 u arratis nga burgu i Trikallas në Greqi, ndërsa kërkohej nga drejtësia e vendit fqinj për disa akuza nga vrasjen e nje polici, grabitje banke, por edhe plagosje. Sipas dosjes greke, Murataj kishte përdorur 15 emra të ndryshëm, ndërsa pas arrestimit arriti që të arratiset. Disa nga emrat e përdorur nga ai janë; Kristaq, Azem, Ainet dhe Ainer.

Por pas arratisjes nga burgu dhe njohjes me Dash Kupën ai kreu grabitjet spektakolare te blindave me para në 2015 dhe 2017 në Rinas. Ndërkohë që anëtarët e tjerë të grupit u arrestuan dhe u dënuan, Murataj arriti që jo vetëm ti shpëtonte burgut, por edhe të organizonte grabitjen e radhës më të madhen që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri duke marrë 10 milionë euro.

Episodet e grabitjeve
1.            Më datë 12.02.2015 kur ishte vjedhur dega e Bankes ... ku sasia e parave të vjedhura ishte në masën 900 000 Franga Zvicerane, 800 000 Paund Britanik dhe 16.100 Euro, e paketuar në katër qese, vjedhje e ndodhur në zonën e Stacionit të Trenit  Tiranë nga persona të armatosur;

2.            më datë 03.12.2015 kur ishte vjedhja Banka .... sasia e parave prej 1 800 000 Paund Britanik, 800 000 Dollarë Amerikanë, 200 000 Dollarë Kanadezë dhe 200 000 Dollarë Australianë, vjedhje e ndodhur në  kohën kur paratë transportoheshin me mjete të blinduara në drejtim të Rinasit, poshtë Qafë Kasharit, Tiranë nga persona të armatosur.

3.            më datë 09.02.2017 kur ishte vjedhur Banka ... ku sasia e parave të vjedhura ishte në masën 2 400 000 (dy milion e katërqind mijë) Euro, 200 000 Dollarë Amerikanë, 260 000 Paund Britanik, 85 000 Franga Zviceranë, 30 000 Dollarë Australianë dhe 30 000 Dollarë Kanadezë, e paketuar në tetë thasë, vjedhje e ndodhur kur paratë po transportoheshin gjatë rrugës për në Rinas në vendin pranë fshatit Domje, Tiranë nga persona të armatosur.

Shokët e bandës së Admir Muratajt që u dënuan
Dash Kupa 18 vite
Ernest Kupa 17.4
Neim Avdylaj 17.4
Ditjon Memlikaj 8.6
Admir Çerpja 5.8
Fatjon Xhyliu 14
Dritan Sinani 13.4
Aleksandër Murataj 12.8 (vëllai)