TIRANE - Është e pabesueshme sesi jeta ndryshon nga një situatë, sesi katër njerëz të panjohur shënojnë një kthesë në jetën tënde dhe krejt papritur nga rrethanat më të rëndomta të përditshmërisë ngjizet një qëllim, një projekt, që dalëngadalë zgjerohet dhe rritet drejt synimit për tu bërë realitet.

Kështu mund të tregohet historia e Ashley Elizabeth Wood, një qytetare amerikane, nga Atlanta e cila sapo ka hedhur ne youtube, një video informuese dhe promovuese mbi atë që ajo e ka quajtur “Project Albanian Voices” (në shqip. Projekti Zërat Shqiptarë), një libër që është një koleksion historish transmigrimi, rrëfyer në kontekstin e gjuhës dhe të muzikës.

TË FRYMËZOHESH NGA SHPIRTI SHQIPTAR

“Shqiptarët ndryshuan jetën time dhe dua tu tregoj të gjithëve sesa të mrekullueshëm janë ata” shprehet Wood në videon e saj. Kjo është historia e saj. Qershorin e kaluar ajo ishte duke bërë hulumtime për doktoraturën e saj, në Republikën Domenikane. Aty ajo takoi për herë të parë shqiptarë të cilët e ndihmuan në kërkimet e saj. Një natë në një lokal pas një situate disa njerëz e kërcënuan dhe siguria e saj u var pikërisht tek shqiptarët.

Ishin ata që e ndihmuan të dilte nga kjo situatë dhe 29 vjecarja nga Georgia shpjegon se nëse nuk do të ishin katër shqiptarët atëherë ajo nuk e dinte c’mund t’i kishte ndodhur. “Ata katër burra më shpëtuan jetën dhe më nxorrën nga zona e rrezikshme” thotë Wood. Dhe pas kësaj ajo kishte filluar të pyeste veten se cfarë i shtyu ata njerëz të vinin në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar jetën e saj.

Këtu fillon dashuria e amerikanes për shqiptarët. Filloi të mësonte më shumë rreth vendit tonë dhe hap pas hapi krijoi një ide sesi mund tu tregonte amerikanëve dhe të tjerëve sesi janë shqiptarët. Jo një libër me politikë, histori apo shënime udhëtimi dhe fotografi, por një libër të mbushur plot me rrëfime individuale të emigracionit dhe imigracionit.

Si kanë përjetuar dhe si kanë ndryshuar këto familje si pasojë e lëvizjeve brenda dhe jashtë vendit. Një optikë interesante që synon të tregojë një fenomen të përgjithshëm, duke nisur nga individi, e gjitha kjo e parë në këndvështrimin e një të huaji. “Unë u frymëzova nga shpirti shqiptar” –thotë Ashley Elizabeth Wood e cila shton se ndihet e detyruar që të shkruajë këtë libër.

MUZIKA DHE GJUHA

Duke qenë se ka studiuar për gjuhë dhe është një njohëse shumë e mirë e kulturave të ndryshme, Ashley mendon që këtë botim ta vendosë në kontekstin e këtyre dy elementëve. Sipas Ashleyt transmigrimi ka cuar drejt një multi-nationalizmi, multilinguizmi dhe multikulturalizmi të gërshetuar në karakterin shqiptar.

Kjo shkrirje sipas saj nuk e ka zbehur damarin shqiptar sepse ndonëse të shpërndarë në shumë vende të botës miliona shqitarë ia kanë dalë mbanë të qëndrojnë të lidhur me gjuhën dhe muzikën e tyre. Në këndvështrimin e saj, ajo që muzika shqiptare sot përfaqëson është një shkrirje kulturash dhe ndikimesh, shprehur në një formë unike.

Pikërisht historitë individuale të migrimit, familjeve, dashurisë, mbijetesës dhe miqësisë do të shihen prej kësaj studiuese të re amerikane në mënyrën sesi ato reflektohen në muzikën shqiptare. Natyrisht që libri të lexohet nga të huajt duhet të shkruhet në anglisht. Ai do tu drejtohet anglishtfolësve të nivelit akademik dhe ekspertëve në cështjet e Ballkanit. Qëllimi më I fundit I Ashley-t është vendosja e këtij studimi në debatin amerikan mbi emigracionin.

APELI PËR FONDE

Por që të realizojë kërkimin e saj dhe më pas librin të cilin synon ta botojë vetë për të mos pasur asnjë ndikim të mundshëm politik nga botues të ndryshëm, duhet një buxhet I cili është përcaktuar deri tani në 8 mijë dollarë. Studiuesja ka shpërndarë kështu apelin e saj për mbledhjen e fondeve jo vetëm në kickstarter por edhe në youtube, blogjet e saj personale dhe rrjetet e ndryshme sociale.

Përfundimi i fushatës së saj është më 26 maj ndërsa udhëtimi në Shqipëri ku I duhet të bëjë intervistat për kërkimin, parashikohet të kryhet gjatë muajve qershor- korrik. Deri në tetor të këtij viti ajo synon të mbarojë draftin e parë të librit, ndërsa deri në dhjetor të ketë bërë draftin final. Sipas projektit libri duhet të jetë gati në verën e vitit 2014. Por studiuesja nuk kërkon vetëm fonde. Ajo u bën thirrje të gjithë atyre që janë të interesuar për të historinë e emigrantëve shqiptarë të marrin pjesë në këtë projekt.

KUSH ËSHTË ASHLEY ELIZABETH WOOD

Ashley Elizabeth Wood është diplomuar në univertitetin e Georgias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjuhët Hispanike. Ajo ka një doktoraturë dhe përvoja kërkrimi në Amerikën Latine ndërsa ka shkruar për politikën, gjuhën dhe kulturën prej të paktën 13 vjetësh Ajo është duke bërë përpjekje që të mësojë gjuhën shqipe duke iu referuar gjuhën së përditshme. Ajo ka shkruar nëj artikull për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë dhe për hip hopin shqiptar.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)