Pas skandalit seksual me punëgjetësin vullnetar të një deputeti në Sarandë, një mjek ngacmon një vajzë të re seksualisht, në kohën kur kjo shkon për t’u operuar nga apendiciti. E sa raste të tilla të padenoncuara ka në mjekësinë shqiptare? Me qindra. Viktimat, në pamundësi financiare, nganjëherë edhe fizike për t’i rezistuar ngacmimit, ulin kokën dhe e pësojnë. Një Kryetar komune i kërkon marrëdhënie seksuale një pastruese shkolle, dhe pastaj për t’u hakmarrë, e heq nga puna. Po raste të tilla a ka në administratën tonë vendore? Me duzina, të paktën.

Kjo valë ngacmimesh e skandalesh seksuale nuk do të thotë se perversët publikë janë bërë më aktivë. E tashmja e menaxhimit të administratës sonë publike na ofron  një tablo të tillë të errët, e cila ka funksionuar njëlloj perverse në të gjithë këta 24 vite tranzicion. Vetëm se tani, kurajo e viktimave është rritur dhe prandaj kemi më shumë denoncime. Dhe media është më e vëmendshme e i përcjell në mënyrë më profesionale ato. Madje nganjëherë përfshihet edhe vetë (gazetarë investigativë) për të goditur fort vesin. Vetëm këto kanëndryshuar.

Zhvillimi më pozitiv në shoqërinë tonëështë kurajo e rritur e viktimave të ngacmimeve seksuale. Dhe kjo kurajo thërret për emancipim të shoqërisë sonë, për një reformë të thellë etike në administratën tonë shtetërore.Është një detyrë që duhet ta ndjejmë të gjithë si pjesë e jona, jo vetëm ata nga ne që punojnë në Shtet. Nëse shtojmë me ndjeshmërinë tonë presionin mbi etikën publike, diçka do të ndodhë. Qoftë dhe me manifestime publike kundër dhunës seksuale në administrimin shtetëror. Etika publike përmban një grumbull rregullash të moralit publik.

Në rast se këto rregulla të etikës nuk zbatohen me rigorozitet, morali publik është shumë i dobët, ose shpesh edhe humbet, duke ja lënë vendin zvetënimit dhe llogjikës së parasë dhe perversit. Kështu ka shkarë jeta publike tek ne dhe është shumë vështirë të rimerret terreni i humbur. Por kjo gjëështë e domosdoshme të bëhet. Edhe qeveria jonë duhet të vërë një dorë. Të propozojë masa shumë të rrepta për ngacmimet seksuale në kryerje të detyrës publike, ku mund edhe të ndryshohet Kodi Penal për këto raste shkeljesh.

Nga ana tjetër, në praktikë, administrata jonë publike vuan nga mungesa e një kodi etik të qartë dhe  nga mosvendosja e rregullave etike strikte në kontratën individuale të punës për secilin shërbestar publik. Edhe aty ku disa nga këto rregulla janë, nuk respektohen. Ky kod etik dhe zbatimi i rreptë i dispozitave të tij duhet të promovohet e të jetë pjesë e atmosferës shoqërore në çdo njësi të administratës sonë publike. Media bën të vetën, duke bërë publike skandalet seksuale. Por ajo vetëm kaq mund të bëjë, të ndërgjegjësojë. I takon aradhës së madhe(lart nga 2 mijë vetë) të audituesve të brendshëm në administratën tonë publike prej 142 mijë vetësh, që të marrë detyrën(ose t’i bëhet e qartënga titullari se e ka edhe këtë detyrë dhe ta shohë me përparësi), për të audituar, kontrolluar zbatimin e rregullave të etikës.

Nëse etika rritet në institucionet tona shtetërore(kuptohet, jo ajo formale), të jemi të sigurtë se korrupsioni mund të ulet. Ka një lidhje mes perversit dhe hajdutit publik. Që të dy nuk pyesin për moral shoqëror. Nuk ka asgjë të keqe nëse një audituese e brendshme pyet shoqet e saj të punës për raste ngacmimi seksual, dhe pastaj i raporton me konfidencialitet drejtuesit, duke i dhënë edhe opinionin e saj për rastet e konstatuara. Vetëm një mjedis i tillë antibiotik ndaj vesit mund të na ruajë disi nga perversët e çdo tipi qe fshihen pas xhybes së pushtetit. Ndërkohë, dënimet për rastet e skandaleve seksuale të provuara, duhet të jenë shembullore.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)