Fushata mbaroi, zgjedhjet ndodhen në votat e fundit që po numërohen për preferencialet e kandidatëve nga zarfet e diasporës dhe KQZ pritet të zyrtarizojë rezultatin për 140 deputetët e rinj të Kuvendit të ardhshëm.

Paszgjedhjet ishin edhe tematika kryesore e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, në Report TV.

Juristi Kreshnik Spahiu në analizën e tij u shpreh se kjo ishte fushata elektorale më e ftohtë e 35 viteve në Shqipëri, ku edhe partitë i mbushnin sheshet me karrige, sepse kishte pak njerëz. Madje ai e cilësoi edhe si “fushata e karrigeve”.

“Kjo ishte fushata më e lexueshme në 35 vitet e fundit, e ftohtë, pa entuziazëm, ishte fushata e karrigeve. Më parë kishte entuziazëm, rrinin edhe në këmbë e kërcenin nga shpresa prej premtimeve. Kurse këtë herë, qofta mazhoranca dhe opozita, kishin vetëm një mundësi për të mbushur sheshet, për të shpërndarë hapësirën dhe vendosur karriget”, u shpreh juristi për Report Tv.

Por pse fitoi PS-ja zgjedhjet sipas tij?

“Pavarësisht shifrave, në shikim të parë shqiptarët zgjodhën të keqen më të vogël dhe e keqja më e madhe ishte Berisha, edhe për shkak të së kaluarës dhe moshës së tij. Në vota kombëtare PS mbetet në të njëjtat kuota, po aq se sa është votuar 4 apo 8 vite më parë dhe më pak se në 2013, edhe pse atëherë kishte 42 forca koalicion”, shpjegoi ai.

Teksa vuri theksin edhe tek fakti negativ i kësaj fushate, ku partitë e reja nuk u bashkuan që të maksimalizonin votën dhe të mos shpërndahej e të fitonin kaq pak deputetë në raport me numrin e votave, të dëmtuar nga sistemi zgjedhor.

“Ishte votë për të keqen më të vogël, madje partitë e vogla u votuan masivisht, ku partitë e reja ishin alternativë. Por edhe këto humbën një shans historik, pas vota u shpënda, ato nuk u grupuan dhe humbën shumë deputetë”, tha Spahiu.

Spahiu komentoi edhe arsyen përse qeveria e Uashingtonit nuk ka uruar ende, duke nënvizuar se me rëndësi është Europa dhe BE ka zgjedhur Tiranën si kryeqytetin e Ballkanit, ku zhvillohen edhe samite.

Kurse për urimet nga SHBA tha se ato do të vijnë, por se duhet respektuar edhe “qoka” për 6 mln dollarët e paguar nga PD te ish-shefi i fushatës së sekretarit amerikan Rubio, që po lobon për ta dhe për t’i kënaqur të gjitha palët.

“Qeverisja e Ramës është më partnerja, properëndimorja dhe jo më kot kanë zgjedhur Tiranën si kryeqytetin e rajonit dhe Ballkanit edhe për të zhvilluar. Është duke u bërë një qokë personale në këmbim të atyre 6 mln dollarëve që u paguan për kompaninë e ish-shefit të fushatës së  Rubios, sepse duhet justifikuar. Por sigurisht që do të ketë një urim edhe nga Uashingtoni”, u shpreh juristi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:52
Spahiu: Vetëm PD ankohet për vjedhje, ndonse ka numërues dhe jo partitë e reja që s’kanë komisionerë!

 

A pati ndërhyrje në zgjedhje me manipulim, vjedhje apo blerje votash siç po pretendon edhe Partia Demokratike?

Juristi Kreshnik Spahiu e quan të ekzagjëruar dhe të pabazuar pretendimin e partisë kryesore të opozitës, e drejtuar nga Sali Berisha.

Dhe faktet se PD nuk kishte baza të forta ishin rezultati i thellë dhe mungesa e ankesës nga ana e partive të tjera. Madje duke ironizuar, ai kujton se PD ishte parti që kishte komisionerë dhe numërues dhe tani është e vetmja që ankohet.

“Ka një fakt të pamohueshëm në këto zgjedhje, që ndryshon qasjen nga të gjitha zgjedhjet e tjera.  Epara është vota e diasporës, që provon dhe konfirmon rezultatin e Shqipërisë. Që do të thotë se nuk janë manipuluar dhe shitur qytetarë në Kanada, SHBA, Gjermani, Angli, Itali e më gjerë. Është e pamundur. Partitë e reja e konfirmojnë rezultatin. E vetmja që pretendon është PD-ja, që është kundër rezultateve dhe për më tepër që ka numërues dhe komisionerë. Si ka mundësi që një parti që ka njerëz në komisione është ajo që ankohet edhe më shumë. Në SPAK shkohet me kallëzime, me fakte dhe prova. Tani çështja është se sa para është paguar Chris LaCivita. Rezultati i zgjedhjeve ishte i paracaktuar që para fushatës. Përsa i përket Task-Forcës për krimet zgjedhore, para zgjedhjeve pati 15 denoncime në SPAK dhe pas zgjedhjeve me sa di unë janë 10 të tilla”, tha Spahiu.

Kurse në lidhje me mandatet e fituara nga PS me 83 deputetë dhe debati më i fundit me zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, duke marrë referencë takimin e sotëm të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, me kreun e akuzës Altin Dumani, juristi shpjegoi se ky do jetë edhe debati i katër viteve të ardhshme.

“Ky do jetë debati i 4 viteve. PS ka shumicën e cilësuar, që nënkupton se një parti, mazhoranca, mund të ndryshojë çdo ligj organik, institucional dhe ligj kushtetues, përveç Kushtetutës që kërkon 94 vota. Me këtë shumicë PS padyshim që do i përdorëpër dy qëllime kryesore: Influencë në drejtësi dhe sistem të favorshëm elektoral, ndaj këshilloj partitë e reja për shumë kujdes, që të jetë vigjilente në këtë pikë. PS i ka votat edhe në lidhje me SPAK-un dhe zgjatjen e mandatit të tyre. Do jetë një debat që nuk është mirëpritur. Kompetencat e SPAK janë të përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë, kanë dispozitë, sa kam lexuar nuk i prek këto. Ministri nuk i ka këto kompetenca te SPAK, nuk mund të ndërhyjë dot”, u shpreh mes të tjerash Spahiu.

Ora 21:58
Spahiu: Nëse një bandë siguron 20 mijë votues, ky është problem shoqëror dhe psiqik, jo politik!

 

Juristi Kreshnik Spahiu komentoi edhe zërat e ditëve të fundit dhe akuzave të opozitës për emra preferencialë të bandave kriminale në disa qarqe, që kanë marrë numër të lartë votash që nuk i përgjigjen karrierës së tyre politike, në krahasim me shumë figura më me eksperiencë në politikë, apo që kanë mbetur edhe jashtë Parlamentit.

“Që ka përfaqësues të bandave, sigurisht që ka, sepse nuk janë kinezë, por janë shqiptare dhe ato janë prezente, se ka shumë të tilla. Por ky nuk është problem bandash, sepse nëse një bandë siguron 20 mijë vota, do kishim problem serioz shoqëror dhe psikik. Kemi një rezultat me diferencë të madhe”, tha Spahiu në lidhje me debatin se disa emra të panjohur në listat e hapura kanë siguruar numër shumë të lartë votash preferenciale.

Më tej ai jep edhe një nga faktorët dhe argumentet e kësaj fushate me listat, teksa edhe Berisha sipas tij ka futur në listë një njeri të arrestuar me vendim gjykate dhe prokurorie.

“I vetmi që nuk duhet të flasë është zoti Berisha që ka futur në lista emra të akuzuar apo arrestuar. Unë nuk jam për t’u marrë me emrat. Unë e kam për Ilir Metën. Berisha vendosi Metën që është i paraburgosur me vendim gjykate dhe këta përmendin Sara Milen që është familjare, pa probleme penale dhe për të cilën nuk ka prova. Por edhe sikur të kishte lidhje familjare me dikë, çfarë përgjegjësie ka ajo se ka një kushëri. Ligji nuk e ndalon dhe as penalizon atë. Është kapur me tre  emra dhe këta na paskan bërë këtë, kush e thotë këtë, kush e provon”, vijoi juristi.

Por pse shumë figura të vjetra me karrierë politike morën më pak vota dhe madje disa senatorë nuk janë më deputetë.

“Figurat e vjetra kanë marrë shumë pak vota, lista e hapur ka marrë më shumë se lista e mbyllur në vota. Ka pasur edhe orientime për kandidatët në emra të caktuar, kjo kuptohet, ndaj janë këto shifra të kandidatëve”, tha Spahiu.