Policia e Shtetit finalizon një tjetër operacion për goditjen e prostitucionit të paligjshëm “Escort”.

Arrestohen si menaxhere të rrjetit një ruse dhe një ukrainase, të cilat grumbullonin paratë e biznesit ilegal nga 11 femra që drejtonin në aktivitetin e paligjshëm në Tiranë. Burimet policore thanë se të arrestuarat janë Anna Tkachenko dhe Elena Maslova.

Policia konfirmon realizimin e aksionit të koduar “Escort Tirana”, sipas faqes që të dyshuarat menaxhonin, teksa janë vënë në kërkim edhe të organizatorëve që qëndronin në hijë dhe mblidhnin fitimet e aktivitetit.

"Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasja ukrainase A. T., 27 vjeçe, dhe shtetasja ruse E. M., 37 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprat penale “prostitucioni”, “shfrytëzimi i prostiucionit” dhe “mbajtja e ambienteve për prostitucion”, njofton policia.

Burime zyrtare sqaruan se të dyshuarat janë kapur në flagrancë në  rrugën "Naim Frashëri" në kryeqytet, duke marrë shuma parash, nga shtetase të huaja, të cilat dyshohet se i shfrytëzonin për prostitucion. 

“Gjatë verifikimeve të kryera ka rezultuar se ato mblidhnin shumat e parave të përfituara nga shtetaset e huaja që dyshohet se i shfrytëzonin për prostitucion, të cilat reklamoheshin në faqen "Escort Tirana", dhe më pas këto shuma parash ia transferonin organizatorëve të kësaj faqeje, shtetas ende të paidentifikuar”, sqaron policia.

Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për 11 shtetase të huaja, për ushtrim prostitucioni. 

Më parë u godit rrjeti kinez i prostitucionit eskortë i koduar “Foreinger”, me të paktën 7 femra të arrestuara apo proceduara.

1727168132_aaaaaaaa.jpg

Anna Tkachenko dhe Elena Maslova, dy shtetaset ruse dhe ukrainase të arrestuara