Një nga trafikantët e arrestuar në operacionin “Plazhi Vilunit”, ku në fundjavë policia arriti të sekuestrojë mbi 1.5 ton kanabis, është penduar duke treguar edhe skemën e trafikut të drogës.

Sipas deklarimeve të tij ai ka thënë se “Droga merrej në zonën e Vlorës aty ku ka disa vende ku mbahet e paketuar, më pas e kanë transportuar me makina të marrë me qira në drejtim të Velipojës”.

Dëshmia e të penduarit ka ndihmuar hetuesit të kuptojë dhe rolin e policit kufitarë Enriko Zylo, ku sipas deklarimeve Zylo ka qenë personi që ka prenotuar me 500 euro për një natë të gjithë godinën që shërbente si hotel buzë plazhit.

Ndërkohë të martën krimet e rënda do të vlerësojnë masën e sigurisë për 7 të arrestuarit për të cilët prokuroria kërkon masën arrest me burg.

Dy ditë më parë në fshatin Vilun të Velipojës policia sekuestroi 1.5 ton drogë dhe arrestoi 6 persona, ku mes tyre edhe një polic. Një pjesë e kanabisit u gjet në oborrin e një hotelit në pronësi të një personi me inicialet P.V. rezident në Itali, në një furgon , ndërsa pjesa tjetër brenda hotelit.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com