ITALI - Milano është përfshirë nga trazira të dhunshme me mbi 500 protestues, pjesëmarrës në protestat e “1 Majit” duke i vënë flakën qytetit. Protestuesit i kanë vënë flakën automjeteve dhe situate paraqitet kritike me bomba letre, bomba Molotov, gaz lotsjellës e mjete të ndryshme rrethanore.
 
Mediat italiane dhe pamjet tregojnë për kaos në mes të qytetit Italian, ku barrikadat dhe kordonët me forca policore po përpiqen të vënë situatën nën kontroll.
 
Protestuesit e dhunshëm kanë ndërmarrë akte vandale duke u vënë zjarrin makinave dhe dyqaneve.
 
“Lufta guerrilase” është e përqendruar në zonën Magenta ku janë hedhur e përdorur bomba molotov, shumë makina janë përfshirë nga flakët. Dyer e xhama të objekteve të ndryshme përgjatë kësaj zone raportohen se janë thyer.

Policia italiane u është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës protestuesve të dhunshëm të cilët kanë lënë tërësisht në hije hapjen e Panairit Botëror “Milan Expo”
 
Konfrontimet kanë ardhur vetëm pak orë pas ceremonisë së jashtëzakonshme të hapjes në “Milan Expo”, ku kryeministri Matteo Renzi lavdëroi fillimin e ekspozimin gjashtëmujor të pjesëve të ndryshme të kulturës dhe teknologjisë, të fokusuara kryesisht te prodhimi i qëndrueshëm i ushqimeve.
 
Mjaft persona kanë kritikuar organizimin e panairit, duke e konsideruar atë një simbol të interesave të bizneseve të mëdha, duke shkaktuar edhe protestat.