1 qershor 1924, kur Shkodra
nisi revolucionin opozita

1 qershor 1924, kur Shkodra<br />nisi revolucionin opozita
TIRANE - Shkodra kryeqendër e katolicizmit dhe islamizmit shqiptar, qyteti i një ekuilibri të brishtë të ruajtur me zgjuarsi edhe në çastet me të vështira, edhe kur politika ka tentuar të ndez zjarret përvëluese. Shkodra e diversioneve, me fytyrë nga perëndimi dhe shpirt nostalgjik nga orienti. Më 1910-n Shefqet Durgut Pashën e priste me plumba e me lule, në Deçiç të Malësisë Madhe valëviti  e para ndër shoqe flamurin e Kastriotit, ndërkohë që dikush bënte thirrje me tellall: o “burra” t’u biem të pafeve që na ngritën flamurin me sorrë të armiqve të babës.

Shkodra e rrethuar ne tela për 6 muaj gjatë luftës turko-malazeze mbështeti dhe sabotoi këtë aventurë të çmendur që e shpuri këtë qytet në prag të rrënimit katastrofal. Xhonturqit e Shkodrës e deshën dhe kontribuuan në vdekjen e gjeneralit turk Hasan Riza Pasha që mbronte qytetin  e tyre me forcat dhe flamurin turk. Kjo vrasje  misterioze nga një dorë shqiptare iu atribuua gjeneralit shqiptar Esat Toptani, por gjer me sot  nuk vërtetua  plotësisht.

Shkodra e Gurakuqit, djepi i opozitës së majtë shqiptare në 1924-n dhe Shkodra e Musa Jukës e grushtit të hekurt e  të pamëshirshëm të Ahmet Zogut. Shkodra e  Zef Malës dhe Vasil Shantos, pionierë të fillimit të Lëvizjes komuniste  shqiptare dhe krateri më i fuqishëm  anti-komunizmit më ekstrem (fashizmit) të Anton Arapit dhe Maliq Bushatit. Shkodra antikonformiste ishte e gatshme të dilet kundër  diktaturës komuniste. 
 
REVOLUCIONI  I QERSHORIT 1924
 
Nisi si një melodramë e dhimbshme mes orientalistëve të privilegjuar nga trashëgimia osmane e pushtetit dhe çifligjeve dhe okisdentalisteve konfuzë e të dëshpëruar. Në Shqipërinë pa as një traditë demokratike, politika nuk u shtri në parlament dhe institucione, por doli duke u rreshtuar në dy llogore armike: “O unë, o ti”!

Në vitin 1923 u formua në mezlisin parlamentar me një parti në krye të së cilës ishin Luigj Gurakuqi, katolik nga Shkodra, Mr. Fan Noli, ortodoks dhe të tjerë katolikë dhe myslimanë nga Shkodra. Këta ishin bastioni luftarak i  opozitës së majtë shqiptare të atyre viteve. Apostulli i opozitës dhe parlamentarizmit ishte Luigj Gurakuqi dhe grupi i mbështetësve të tij që propagandonin të bëhej Shkodra kryeqytet i Shqipërisë.

Gazeta “Ora e maleve” nga studiues objektiv është quajtur si “Mitrolozi i opozitës” që nuk pushoi për as një çast luftën kundër qeverisë, ndërsa Malësia e Shkodrës në përgjithësi dhe Dukagjini në veçanti janë cilësuar si “Kazerma” e opozitës. Manipulimi i shëmtuar i zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1923 nga ana e qeverisë ishte burimi i acarimit të klimës politike deri në antagonizëm mes maxhorancës qeverise përfaqësuese e shtresave të fuqishme të elitës orientale dhe opozitës konfuze, por me frymë oksidentale.

Deputetë të blerë dhe gazetarë të shitur thërrisni “Shpëtimtari i atdheut”. Madje, disa poetuc rrugësh i këndonin vargje ose e ngrinin në qiell Ahmet Bej Zogollin, i cili në marshimin e tij drejt pushtetit dukej i pandalshëm dhe i pamëshirshëm ndaj çdo kujt i dilte përpara. Në pranverën e 1924-s, situata e brendshme politike mes forcave qeveritare dhe te Opozitës demokratike Fanoliste, acarohet akoma më shumë.
 
VRASJA E AVNI RUSTEMIT. PËRGATITEN KRYENGRITJET JUG-VERI
 
Nga ana e opozitës pas vrasjes së Avni Rustemit, më 5 maj 1924, filloi një punë e gjerë dhe e organizuar për të përgatitur kryengritjen dhe për të bërë për vete ushtrinë. Përgatitjet bëheshin paralel si në Shkodër ashtu edhe në Vlorë. “Nga Përmeti Koço Tasi me 120 vullnetarë, nga Skrapari Riza Cerova me 60 vullnetarë dhe aspirant Xhemal Mandili me 50 veta.

Sa për Shkodrën Postriba ka qenë me Zogun,  pra vetëm Bajram Hyseni nga Rjolli mori pjesë në Kryengritje për hatër të Sulçe beut(njeriu i Sulçe Beut), por pa influencë mori pjesë në kryengritje me një fuqi prej 300 vetësh. Gjithashtu morën Toger Ndokë Gjeloshi me 200 dukagjinas dhe Dom Loro Caka me 100 malësorë nga Shllaku, ndërsa në Vlorë kanë marrë pjesë dy kompani me 200 ushtarë.

(Sejfi Vllamasi, “Ballafaqine politike në Shqipri”, 1912- 1939, fq 256.) Me 13 maj nga qeveria dhanë dorëheqje dy ministrat demokratë, Luigj Gurakuqi dhe Fahri Reshiti, duke paraqitur si arsye faktin se qeveria nuk gëzonte më besimin e Asamblesë.

KOLONEL REXHEP SHALA SHPALL SHKODRËN KUNDËR QEVERISË

Pas tri ditësh, më 16 maj garnizoni i Shkodrës, me komandant Nënkolonel Rexhep Shalën, u shpall kundër qeverisë”. Ndërkohë Prefekti i Shkodrës Abedin Neprevishta, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Musa Juka dhe Qark Komandantin e xhandarmërisë Kapiten Ferid Frashrin, u munduan të luaj me të gjitha kartat për të mbajtur situatën nën kontroll.

Mblodhën parinë dhe i bënë thirrje popullit të rrëmbente armët për mbrojtjen e rendit nga forcat tradhtare të dezertorve të ushtrisë, duke provokuar kështu rrezikun e një vëllavrasje të përmasave të gjera. Fuqitë e Ushtrisë nën komandën e Nën Kolonel Rexhep Shalës të mbështetur Ndokë Gjeloshi,Vas Kiri, Xhemal Bushati, Dodë,Thana, Xhemal Bushati, Mark Raka  morën masa të menjëhershme  me një vullnet të fortë e guxim të madh demonstruan hapur vendosmërinë dhe epërsinë e tyre që dukej  sheshit.

Populli i Shkodrës me shumicë absolute u solidarizua e me veprimin e ushtrisë dhe të opozitës, tek e cila kishte mbështetur gjithë shpresën e vet. Ditën e shtunë më 31 maj Prefekti Neprevishta shpalli një alarm provokues në popull, duke  thanë “se do cuba të Dukagjinit po mësynin Shkodrën e se Prefektura kish nda mos me u lëshua”(“Ora e Maleve, 12.06.1924.)“Fuqia qeveritare e përberë prej 125 xhandarësh, mbeti me 32 xhandarë, gati të gjithë prej jugut.

Nga paria e Shkodrës, Postribës, Shkrelit dhe Grudës së bashku me oficer të ushtrisë Kombëtare bëheshin 42 vetë (Sejfi Vllamsi, “Ballafaqime politike” 1912-1939, fq 258). Ky lajm shkaktoi trazim me tepër në qytet, pasi se autoritetet po përpiqeshin ta mbanin me çdo kush Prefekturën në zotërim. Mbas këtij tellalli propagandistik dhe provokues, Rexhep Shala në emër te forcave të Garnizonit të Ushtrisë së Shkodrës shpalli gjendjen e Shtetrrethimit. 

QEVERIA ZOGISTE PROVOKOI TRAZIRAT NË EMËR TË FESË NË SHKODËR

Në mbrëmjen  e 31 majit, përpara se të kërciste pushka u iniciua lëvizja e fundit  dhelparake, duke tentuar ndezjen e  zjarrit të fanatizmit fetar në qytet. Me urdhër të prefektit Abedin Nepravishta e të kryetarit të Bashkisë Musa Juka u mblodhën hoxhallarët në xhaminë e Parrucës, për të biseduar nëse e lejonte feja apo jo që pushka të kthehej kundër qeverisë.

Edhe hoxhallarët e Shkodrës ishin të ndarë në dy grupe: me opozitën edhe me Zogun. Ata që anonin nga Zogu(shumica),përgatitën këtë thirrje: ”Binduni Perëndisë, binduni resulit (profetit) si dhe sunduesit tuaj”. Sigurisht këtë e bënë me qëllim që të ndalohej kryengritja e të mos niste pushka kundër qeverisë ( Revolucioni i Qershorit 1924. Ngjarjet e Shkodrës, Halim Shpuza, fq. 226).

Kur e panë se ishte e pamundur të frenohej revolta, hoxhallarët Zogistë vendosen që të hiqej prefekti Abedin Neprevishta e në vend të tij të vihej përkohësisht një hoxhë sigurisht ithtarë i Zogut. Ishte pikërisht momenti kur hoxhallarët po i afroheshin  ndërtesës së prefekturës, me urdhër të komandantit të ushtrisë të Shkodrës  nisen veprimet ushtarake.

Ndrecë Prenga bëri një mësymje kundër Zyrës telegrafike, ku ndodhej Luigj Gurakuqi, duke u marrë vesh me Tiranën, por u detyrua të zmbrapset, pasi forcat e ushtrisë të shpallura kundër Zogut kishin marrë masa për mbrojtje e Gurakuqit  që ishte shpirti dhe ideatori kryesor i kësaj lëvizjeje të Shkodrës (“Ora e Maleve”, 12.06.1924). As veprimet e dëshpëruara të toger Luigj Shantojës nuk arrtën të frenonte vrullin e lëvizjes që  hyri në histori si “Revolucioni i Qershorit”.

(vijon në numrin e ardhshëm)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Kryebashkiaku i Nju Jorkut uron shqiptarët: Do jemi gjithmonë krah njëri-tjetrit! Djali më thotë do jetoj në Shqipëri

112-vjetori i Pavarësisë/ Kryebashkiaku i Nju Jorkut uron shqiptarët: Do jemi gjithmonë krah njëri-tjetrit! Djali më thotë do jetoj në Shqipëri