Mbi 2 mijë fëmijë dhe të rinj festuan 1 Qershorin në aktivitete artistike, sportive dhe edukative të organizuara përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
“Janë fëmijë që kanë kënduar vazhdimisht nëpër koncerte dhe sot kemi ardhur për të festuar festën e fëmijëve. Fëmija është vetë jeta jonë dhe kur punon pranë tyre ndihesh gjithmonë i ri në shpirt.”, tha mësuesja e muzikës Drita Demaj.
Të vegjlit u përfshinë në aktivitete kreative, ndërsa artistët e Teatrit të Kukullave sollën momente argëtimi për të pranishmit.
“Më pëlqen shumë kur e nis ditën me këngë dhe ndihem shumë mirë. Edhe mësuesen e kam shumë të mirë.”, tha një vajzë.
Përveç festës, fëmijët ndanë edhe dëshirat e tyre për një qytet më miqësor, për më shumë hapësira të gjelbra dhe ambiente sportive.
“Unë dua më shumë parqe që të luajmë dhe të argëtohemi. Dua më shumë gjelbërim dhe të kemi më shumë hapësira për fëmijët. Merrem me vrap prej gjashtë vitesh dhe kam fituar shumë kupa. Na duhen pak më shumë kushte që të stërvitemi.”, tha Oltea Zaimi, nxënëse në klasën e gjashtë në shkollën “Osman Myderizi”.
Mes këngëve, lojërave dhe buzëqeshjeve, u dëgjua edhe zëri i fëmijëve të kryeqytetit, për të kuptuar se çfarë presin ata nga qyteti ku rriten.
Komente











