1 Qershori/ Veliaj: Iku koha kur për ideal të partisë prisheshin votimet, Tirana do ecë përpara për fëmijët

1 Qershori”, Dita e Fëmijëve, e ka shndërruar kryeqytetin në një hapësirë festive për të vegjlit, ku muzika, argëtimi dhe lojërat pafund i kanë sjellë Tiranës gjallërinë, gëzimin dhe ngjyrat e pranverës. Të vegjlit, të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre, kanë vërshuar në sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” apo në kodrat e Liqenit Artificial, ku i janë gëzuar aktiviteteve të shumta festive të organizuara nga Bashkia e Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një moment reflektimi për të gjithë. Ai nënvizoi se njerëzit kanë prioritet fëmijët dhe familjet e tyre dhe jo partitë politike.

“Jam shumë i lumtur sot që na janë bashkuar kaq shumë fëmijë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet. Në këtë stinë të nxehur politike, fëmijët janë kujtesa më e fortë se për çfarë jetojmë, për çfarë i bëjmë gjërat që bëjmë, për çfarë i bëjmë festat. Sot kushdo duhet të reflektojë pak, t’i bëjë vetes një pyetje: çfarë ka prioritet - idealin e partisë apo të ardhmen e fëmijëve? Gjithmonë e më shumë njerëz në Tiranë kanë prioritet fëmijët e tyre, familjet e tyre”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Tirana është e vendosur të ecë përpara dhe tha se ka ikur koha kur për ideal të partisë prisheshin proceset zgjedhore. Veliaj shprehu bindjen se qytetarët do të dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur, në mënyrë që Tirana të vijojë transformimin edhe për katër vitet e ardhshme.

“Iku koha kur për ideal të partisë prisheshin votimet dhe shkatërroheshin proceset. Sot jemi në një epokë tjetër, Tirana po ecën përpara. E sigurt që do të vazhdojë të ecë përpara edhe katër vitet e ardhshme. Ama, këtë do ta bëjmë të gjithë bashkë. Nëse mbajmë parasysh çfarë është e rëndësishme në jetë, atëherë do të marrim vendime të duhura për këtë muaj fushate ku po futemi, si dhe për çfarë do të bëjmë pas datës 30 qershor”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se 30 qershori është një datë e rëndësishme për qytetin, në mënyrë që katër vitet të ardhshme të ketë më shumë shkolla, çerdhe, gjelbërim, kënde lojërash dhe një qytet miqësor për të gjithë.

“Data 30 nuk është që partitë të zgjedhin popullin, por është koha kur populli zgjedh partitë. Zgjedhja në Tiranë është çfarë do të bëjmë për fëmijët: do vazhdojmë të ndërtojmë më shumë shkolla, kopshte çerdhe, siç bëmë këto 4 vjet? Do vazhdojmë të mbjellim më shumë pemë? Do vazhdojmë të shtojmë këndet e lojërave, siç bëmë tek “7 xhuxhat” dhe te Liqeni? Nëse ky qytet është miqësor për fëmijët, është miqësor për të gjithë”, nënvizoi Veliaj, teksa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që në këtë muaj të rëndësishëm të mendojnë më shumë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Dua t’iu uroj gjithë fëmijëve Gëzuar 1 Qershorin. I uroj të gjithë prindërit, u them se duhet të mësojmë nga fëmijët, ata janë më idealistë, më të pastër, më seriozë me qytetin e tyre dhe me të ardhmen tonë. Nëse themi që i duam fëmijët, të mendojmë një çikë më shumë për ta se sa për partitë. Gëzuar 1 Qershorin”, deklaroi Veliaj.

Festimet për 1 qershorin filluan që prej orës 9 të mëngjesit dhe atmosfera ndihet kudo. Sheshi “Skënderbej” është shndërruar në një arenë argëtimi, ndërkohë që një mini-fermë është improvizuar përpara Bashkisë së Tiranës, me shpendë, kafshë të ndryshme, dhe lepurushë të vegjël, që ka tërhequr jashtëzakonisht shumë vëmendjen e fëmijëve. Po kaq interesant për më të vegjlit e kryeqytetit, është edhe panairi i mjedisit, i cili jo vetëm i njeh ata me elementët kryesorë të tij, por edhe i mëson fëmijët me informacionin e duhur për ta mbrojtur ambientin që na rrethon. Syrin kureshtar të fëmijëve e tërhoqi edhe panairi i Policisë së Shtetit dhe i Ushtrisë, ku disa mjete ushtarake dhe të forcave të rendit të vendosura në Bulevard janë vizituar nga të vegjlit.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion