Çiftelia është pjesë e familjes Prenga prej të paktën 1 shekulli. Ky instrument muzikor me të cilën identifikohet me madhështi trashëgimia dhe e sotmja e kulturës shqiptare, sidomos në zonën e veriut, trashëgohet prej 4 brezash në këtë familje mirditore.

Rapsodi dhe Instrumentisti Llesh Prenga tregon se frymëzimin për çiftelinë e ka marrë nga të parët e tij, ndërsa ka nisur ti bie që në moshë të vogël.

"Gjyshi i babës i binte lahutës, gjyshi im i ka rënë çiftelisë, xhaxhai i ka pasur rënë çiftelisë, e mësuam dhe ne fëmijët se na dukej si gjë e jona e shtëpisë sonë. Të gjithë në familjen tonë i bien çiftelisë, e kemi trashëguar me dashuri jo me imponim", tha rapsodi Llesh Prenga.

Përgjatë veprimtarisë së tij si rapsod e instrumentist, Prenga thotë se ka marrë pjesë në shumë aktivitetet folklorike brenda dhe jashtë vendit, ku është vlerësuar me çmime.

"Kam marrë pjesë në shumë koncerte, në festivalin e Gjirokastrës, në Tiranë, Kosovë jam vlerësuar me çmimin lider nderi për folklor", tregoi më tej Llesh Prenga, rapsod e instrumentist.

Për Report Tv ai rrëfen vështirësitë që ka pasur në kohen e regjimit komunist: "Kam qenë në prova në kooperativë dhe natën finale na kanë zbritur nga skena në Rrëshen për biografi të keqe, për mua ka qenë këputje e krahëve".

Të njëjtën rrugë po ndjekin edhe dy djemtë e familjes Prenga, të frymëzuar nga babai i tyre.

"Është kënaqësi me i ra çiftelisë dhe nuk e kam problem se çfarë thonë shokët. Në bazë të çiftelisë kemi mësuar dhe kitarën. Frymëzimi më ka ardhur nga babi dhe më ka tërhequr ta mësoj dhe vete, ka një melodi të bukur. Unë çiftelisë i bie kur vij në shtëpi, sepse studimet i ndjek në lice për kitarë", shprehen Gjin dhe Lorenc Prenga.

Familja Prenga është shembulli më i mirë i përçimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, e cila ka nisur të venitet gjatë viteve të fundit.