Ishte viti 2008 kur u denoncua vjedhja e 18 ikonave nga Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” e Labovës së Kryqit në Gjirokastër. 14 vite më pas, një operacion policor i quajtur “Cultural Heritage” zbuloi në Tiranë një bazë me qindra vepra arti të vjedhura. Mes tyre dhe 10 ikonat që sot iu rikthyen Kishës ortodokse, pas përfundimit dhe të të gjitha procedurave gjyqësore. Gjatë kësaj periudhe ato ishin ruajtur në mjediset e Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.
Rikthimin e tyre në shtëpinë e zotit, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi një akt drejtësie historike dhe shpirtërore
“Jo vetëm u “shpëtuan” nga trafikimi pasuritë kulturore, por është edhe një shembull shumë domethënës suksesi, i cili dëshmon qartë se sa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin. Qëllimi ynë është i qartë, të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore, ta restaurojmë dhe t’i japim identitetin e merituar vendit tonë në këtë mozaik unikal të trashëgimisë kulturore”, tha ministri.
Për Kryepeshkopin Joan, rikthimi i ikonave përfaqëson një moment të rëndësishëm për Kishën dhe historinë e saj
“Dua të falenderoj të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë, dhe sidomos jam shumë mirënjohës ndaj Ministrit, i cili pati angazhimin, dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse. Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pashaportat tona edhe për identitetin tonë europian, e të kulturës europiane”, u shpreh ai.
Restaurimi dhe ruajtja e kishave dhe manastireve, që janë monument kulture, si dhe forcimi i bashkëpunimit me komunitetet fetare ishin po ashtu pjesë e bisedës mes ministrit Gonxhe dhe kryepeshkopit Joan.
Komente











