Pas 14 vitesh mungesë, kinemaja shqiptare rikthehet në Tiranë.  Një ditë më parë u ngrit sipari i Edicionit të 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, pranë Universitetit të Arteve, në një mbrëmje që bashkoi kineastë, aktorë, artistë dhe dashamirës të filmit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale tha se ky festival është një homazh për mjeshtrit që hodhën themelet e filmit shqiptar, por edhe një premtim për brezin e ri të kineastëve që po ndërton të ardhmen e tij

“Pas 13 vitesh mungesë, i rikthejmë kinemasë shqiptare skenën që meriton dhe publikut një traditë të çmuar, e cila ruan kujtesën tonë artistike dhe u hap rrugë zërave të rinj. Ky festival është një homazh për mjeshtrit që hodhën themelet e filmit shqiptar, por edhe një premtim për brezin e ri të kineastëve që po ndërton të ardhmen e tij. Nga 3 deri më 12 shtator, Tirana bëhet një hapësirë takimi mes brezave, kujtesës dhe krijimtarisë, sepse historitë tona meritojnë të tregohen, të shihen dhe të festohen”, shkroi Gonxhja.

Për 10 ditë, Tirana do të jetojë me filmin shqiptar, ndërsa për publikun do të shfaqen mbi 100 filma nga rreth 220 që janë prodhuar me financim të QKK-së gjatë 14 viteve.