Inspektoriati i Përgjithshëm ka nisur hetim disiplinor për 7 inspektorë të drejtorisë rajonale të AKU në Shkodër dhe tre të tjerë në pozicione të larta po hetohen për shpërdorim detyre për rastin e skandalit të misrit blegtoral të kontaminuar me aflatoksinë B1, pranë subjektit ‘MODI’, sh.p.k.
"3 inspektorë të drejtorisë rajonale Shkodër për masë disiplinore. kemi edhe 4 inspektorë të tjerë të drejtorisë së Shkodrës në Hanin e Hotit që do t’i nënshtrohen masës disiplinore. Ka përgjegjësi edhe në 3 persona në pozicione të larta, po shikohet për këta persona nëse kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës", tha kryeinspektori Dashnor Sula.
Sipas kryeinspektorit Sula, subjekti ‘Modi’ i cili rezulton se ka 32. 600 pula për vezë dhe 40 mijë zogj që rriten për mish, është dërguar në Prokurorinë e Shkodrës për hetim penal pasi ka dëmtuar shenjën e bllokimit të 104 ton misër për kafshët duke e nxjerrë produktin e kontaminuar në treg.
"Nga 104 ton të bllokuara, janë konstatuar vetëm 9.5 ton, gjendje në datë 04.03.2026. Kjo është objekt hetimi. Sipas të dhënave nga Tatimet, subjekti ka tregtuar rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 shkurt 2026. Nuk ka vend për panik për kontaminimin e vezëve. Deri në këtë fazë nuk ka evidencë të konfirmuar për rrezik të drejtpërdrejtë nga vezët", thotë ai.
Nga verifikimet rezulton se nuk janë ndjekur plotësisht procedurat për marrjen e mostrave dhe bllokimin e misrit serb në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Kryeinspektori sqaron se është urdhëruar asgjësimi i produktit dhe jaën vendosur 5 masa administrative.
Komente











