Në nder të vendimit të qeverisë së Vlorës për sistemin gjyqësor, - të pavarur, profesional dhe dinjitoz, - siç e deshëm, por siç nuk e kemi as pas 100 vitesh shtet.

Sot ne kemi gjykata e prokurori, kemi gjyqtarë të lartë dhe kushtetues, kemi Kolegj Zgjedhor dhe Ministri Drejtësie, kemi KLD dhe Shkollë Magjistrature! I kemi të gjitha, por na mungon ende drejtësia dhe besimi ndaj saj. Disa e gjejmë shkakun tek korrupsioni, të tjerë tek tradita, të tjerë tek paragjykimi nga publiku. Unë futem tek ata që mendoj se përgjegjës kryesor është politika, mungesa e një konsensusi 20 vjeçar për ta bërë drejtësinë, (keq)përdorimi i saj nga pushtetet dhe politika e ditës si dhe vetë gara midis njerëzve të drejtësisë për të zënë sa më shumë miqësi e lidhje personale me politikën dhe politikanët!

Ndaj sot diplomojnë 2600 juristë në vit, por mezi gjejmë një për ta rekomanduar për një punë serioze juridike; kemi ministër drejtësie një jurist që ka braktisur detyrën gjyqësore duke preferuar profesionin fitimprurës të avokatit, përpara se të bëhet edhe politikan; qeverisja e gjyqësorit drejtohet nga një jurist që kurrë më parë nuk ka qenë në një sallë gjyqi dhe as ka shkruar një studim 1 fq. A4 mbi drejtësinë; kemi president, kryetar e zv/kryetar parlamenti me juridik part-time; kemi një kryeministër që flet gjithë ditën për kushtetutën, të cilën e refuzoi/bojkotoi gjatë votimit më 1998 duke e etiketuar si kushtetutë krimi; kemi një kryetar opozite, i cili në emër të ligjit merr sëpatën dhe rrëzon shtyllat e dritës elektrike; kemi vetëm 3% të deputetëve juristë ndaj 17% mësues të gjuhëve të huaja; kemi një komision parlamentar ligjesh ku më i rikandiduari është ai që thyen ligjin sa herë humbet skuadra e tij e futbollit; kemi një komision hetimor parlamentar që drejtohet nga një punonjës social; kemi 2/3 e anëtarëve të gjykatës së lartë e kushtetuese, të diplomuar fillimisht në filozofi politike ose shkollën e policisë/sigurimit të shtetit; ndërkohë që reformat e premtuara të qeverisë nuk bëhen me ligje në parlament por me shënime të përditshme në Facebook!

Ndaj nuk është çudi kur ndryshe nga vendet e tjera, tek ne asnjë politikan nuk përgjigjet përpara drejtësisë, gjyqet e zyrtarëve të lartë mbyllen “për procedurë”, kurse vrasësit më të bujshëm na rezultojnë të liruar për sjellje të mirë! Dhe mbi të gjitha, - në një vend ku për çdo temë ligji përmendim edhe Maliqin, ku policia çdo vrasje e justifikon me kanunin, ku vetëm 45% e qytetarëve paguajnë rregullisht taksat, faturat e dritave, ujit, gjelbërimit, etj, - është e pritshme që koncepti i të drejtës të jetë relativ, sllogan dhe pritshmëri e largët.

Rëndësi nuk i jepet brendësisë por imazhit, lajmit: p.sh ministri i drejtësisë ftoi dje në takim nderimi gjithë ministrat e drejtësisë, edhe ata të periudhës komuniste, ndau ca tituj e lavdërime, por nuk tha asgjë se çfarë do ndodhë me sistem që ai drejton. Ndaj nuk reflektojmë si shoqëri, zgjidhet i kërkojmë me greva urie, korrupsion apo ikje nga problemet; palët politike nuk pranojnë nënshkrimin e një pakti kombëtar për reformën në drejtësi; ligjet e drejtësisë nuk votohen, gjyqtarët e lartë nuk zgjidhen me dy të tretat e votave, si dhe shkalla e zbatimit të ligjit varion 35-40%.

Për ata gjyqtarë, juristë, profesionistë, njerëz të ndershëm dhe të drejtë, - pra të gjithë ata për të cilët drejtësia mbetet ende mision, objektiv, detyrë e përgjegjësi, - Gëzuar 10 majin dhe më shumë drejtësi për të gjithë!!!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqitarja.com)